Fajtorë pa emër
Fajtorë pa emër publicistikë, Autori: Mëhill Tanushi. Botuesi: Toena. Faqet e librit 374.
Mëhill Tanushi është një gazetar i talentuar i politikës së vështirë shqiptare. Me natyrshmëri dhe me një stil të këndshëm, ai analizon situatat e vështira dhe të pakuptueshme të asaj që po ndodhte në Shqipëri në vitin 1997. Ai ringre memorien e shqiptarëve për një nga periudhat më të zymta, më absurde dhe më të dhimbshme të pasviteve ’90: piramidat, një popull i vogël, i tejvarfër humbet paratë, humbet kursimet... dhe shteti që i “dha një dorë” në këtë humbje.
Përjetimi i kësaj periudhe është ende një mister i pazbuluar deri në fund. Por, pas kësaj, Tanushi kalon në politikën shqiptare të postpiramidave, në përpëlitjet e politikanëve për të (ri)ngritur shtetin, në dilemat e të huajve që kuptuan se Shqipëria kishte nevojë për një patericë të fortë. Kujtimi i piramidave ka nevojë për një tjetër piramidë që duhet ngritur për hir të kujtesës dhe rrëfimit. Libri ka një rëndësi të madhe historike. Ai është një dëshmi për një periudhë të rëndësishme të tranzicionit shqiptar ku shoqëria e zbuloi dhe e njohu veten më mirë.
Ky libër është një vlerë e madhe dhe kontribut serioz për historianët që duhet të kenë filluar punën për të mbledhur copkat e ngjarjeve të atyre viteve, është ndihmë për të rinjtë që e kanë lexuar dhe dëgjuar ’97-n si përrallë, por që iu jepet rasti ta njohin atë nga afër.
Në publicistikën e Mëhill Tanushit, lexuesit do të gjejnë, produktin e një gazetarie në zhdukje, për fat të keq, të asaj gazetarie që ishte gjithnjë në vendin e ngjarjeve, që sikur shpalosej nga vetë ngjarjet për tu shkuar e gjallë, e vërtetë dhe prekëse lexuesve. Do të gjejnë produktin e një gazetari profesionit, të përkushtuar dhe të ndershëm, që ka si busull të vërtetën dhe etikën, që respekton parimet e profesionit dhe kërkesat e stilit të thjeshtë, të rrjedhshëm, të kuptueshëm dhe të pëlqyeshëm për publikun e gjerë.
Kryesorja, lexuesit do të gjejnë produktin e një gazetari kurajoz, që zgjedh pothuajse gjithnjë të jetë oponent i qeverisë, ku personazhi kryesor ndjehet se është publiku, njeriu i thjeshtë.Kjo publicistikë është me vlerë për gazetarët e rinj, për mediat e reja dhe padyshim edhe për historinë e publicistikës sonë.