Fatmir Dalladaku është kirurgu i parë kardiovaskular nga Kosova i njohur edhe për operacionet e para në zemër të hapur në Kosovë,[1] si dhe për punën pro-bono me pacientët nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Si pasojë e masave të dhunshme të instaluara në Kosovë në fillim të viteve të 90-ta, pas përfundimit të subspecializimit në Berlin, RF e Gjermanisë, u punësua po aty, pasiqë nuk iu mundësua vazhdimi i veprimtarisë profesionale në Kosovë.

Fatmir Dalladaku
Lindi5 dhjetor, 1953
KombësiaShqiptar

Biografia

Redakto

Karriera e hershme

Redakto

Fatmir Dalladaku u lind më 5 dhjetor të vitit 1953. Pas përfundimit të gjimnazit, i regjistroi studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ku edhe diplomoi në vitin 1979. Vazhdoi studimet postdiplomike dhe magjistroi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Zagrebit në Kroaci, nën udheheqjen e Prof. Dr. Ivo Despot dhe Prof. Dr. Josip Sokolic. Mes viteve 1979 dhe 1982, Dalladaku punoi në një numër ambulancash mjekësore në gjithë Kosovën, si dhe në Shtëpinë e Shëndetit në Prishtinë. Më pas vazhdoi specializimin në klinikat e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë nën udhëheqjen e Prof. Dr. Velibor Moracic dhe Prof. Dr. Gazmend Shaqiri. Në periudhën 1985-1986, përfundoi specializimin nga kirurgjia e përgjithshme në klinikën Ozren Novosel dhe KBC Rebro në Zagreb, nën udhëheqjen e Prof. Dr. Mladen Stulhoffer dhe Prof. Josip Sokolic.

Periudha në Gjermani

Redakto

Në vitin 1989, Dalladaku fitoi bursën e senatorit të Berlinit Perëndimor për të vazhduar subspecializimin nga kirurgjia kardiovaskulare pranë Deutsches Herzzentrum në Berlin të Gjermanisë Perëndimore, ku mentor e kishte Prof. Dr. Roland Hetzer. Plani fillestar i Dalladakut ishte që të kthehej në Kosovë pas përfundimit të subspecializimit, dhe që së bashku me kolegët e tij nga Departamenti i Kirurgjisë Vaskulare ta themelojne klinikën shumë të nevojshme të kirurgjisë së zemrës pranë Fakultetin të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Megjithate, si pasojë e heqjes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe zhvillimeve politike që pasuan, ky plan nuk arriti të jetësohet asnjëherë. Me ngritjen e tensioneve politike në Kosovë, në vitin 1991, shumica dërrmuese e profesorëve dhe mjekëve shqiptarë në Universitetin e Prishtinës u larguan nga puna. Me leje të strukturave të sapokrijuara paralele të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Dalladaku e pranoi ofertën për punësim si mjek specialist në Deutsches Herzzentrum në Berlin. Dalladaku bëri operimin e parë në zemër të hapur në vitin 1990 gjatë qëndrimit në Berlin, dhe që nga ajo kohë, ka bërë më shumë se 4000 ndërhyrje të tilla kirurgjike.[2]

Në vitin 1994, së bashku me një grup kolegësh nga Berlini dhe Heidelbergu, Dalladaku bashkëthemeloi klinikën Deutsches Herzzentrum në Lahr-Schwarzwald të Gjermanisë, ku edhe vazhdon të jetë i angazhuar si kryemjek (Oberarzt).

Ai u kthye në Prishtinë në vitin 2003 për të bërë operacionet e para në zemër të hapur në Kosovë. Mes viteve 2004 dhe 2008 ishte poashtu i angazhuar si ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Është autor dhe koautor i punimeve të shumta si dhe pjesëmarrës në shumë kongrese dhe simpoziume mjekësore nacionale dhe ndërkombëtare.

Operacioni i parë në zemër të hapur në Kosovë

Redakto
 
Dr. Dalladaku dhe ekipi i tij gjatë operacionit të parë në zemër të hapur në Kosovë

Në maj të vitit 2003, Dr. Dalladaku erdhi me ekipin e vet nga Gjermania për të bërë dy operacionet e para “bypass” në zemër të hapur në Kosovë . Përveç diagnostifikimit falas të pacientëve të bëra në Klinikën Kardiologjike të Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë disa ditë para operacioneve, ai poashtu e organizoi transportin e pajisjeve të nevojshme mjekësore nga Gjermania në Kosovë, përfshirë makinat ekstrakorporale dhe pompat intraaortale. Pas katër ditësh udhëtimi dhe komplikimeve të shumta burokratike gjatë rrugës, më 23 maj, pajisjet teknike arritën në Prishtinë nën përcjelljen e kolegut të Dalladakut, Michael Rothe.[3] Ditën e nesërme, më 24 maj, dy pacientë të moshës 67 (A.Gj.) dhe 51 vjeçare (E.D.), iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjike të cilat u kryen në sallën e saporenovuar të operacionit në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Operimet u kryen falas, pasiqë të gjitha shpenzimet u mbuluan nga klinika Herzzentrum Lahr/Schwarzwald, FD Company, ish-biznesi i familjes Dalladaku në atë kohë, dhe agjencioni Eurokoha. Edhe pse operimet u kryen pa asnjë komplikim, trupat gjermane të KFOR-it të stacionuara në Kosovë ishin të gatshme t’i transportonin në çdo kohë dy pacientët nga Kosova në Gjermani në rast nevoje.

Ekipi mjekësor i përbërë nga Dr. Andre Gille (anesteziolog), Ass. Dr. Petra Gehle (asistente), Michael Rothe (kardioteknik), dhe Jens Kubsdella (instrumentalist), si dhe ekipi i kujdesit intenziv i përbërë nga Dr. Armin Lehmann, Gabrielle Herrmann, Katja Vogel, Christoph Wehler, dhe Michael Fellhauer u kthye në Gjermani një javë pas përfundimit të suksesshëm të operimeve. Përderisa pajisjet mjekësore u kthyen në Gjermani, Dalladaku mbeti në Kosovë edhe nje kohe pas operimeve me qëllim të mbikqyrjes së trajtimit të mëtejmë të pacientëve nga kolegët vendas. Ai poashtu e mbikqyri procesin e dhënies donacion të të gjitha medikamenteve të pashfrytëzuara dhe materialit harxhues (gjithsej 18 valixhe të mëdha alumini) të sjellura nga Gjermania, klinikave të ndryshme të QKUK-së.

Jeta personale

Redakto

Dalladaku është i martuar me piktoren dhe ligjeruesen e artit Bukurije Oseku-Dalladakun dhe ka dy fëmijë. Ai momentalisht jeton në Lahr/Schwarzwald të RF Gjermanisë dhe punon në MediClin Herzzentrum Lahr/Baden.

Referime

Redakto
  1. ^ Xharra, Arbana (25 maj 2003). ""Kryhet me sukses operacioni i parë në Kosovë në zemër të hapur"". Koha Ditore. {{cite news}}: |access-date= ka nevojë për |url= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Isufi, Rexhep; Osmani, Shqipe. ""Kryemjeku që operoi me sukses mbi 4000 pacientë në Berlin të Gjermanisë"". Bota Sot. {{cite news}}: |access-date= ka nevojë për |url= (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Postaremczak, Petra. ""Lahrer Herzspezialisten leisten humanitäre Hilfe"". {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)