Fatmir Minguli ka lindur më 27 shkurt 1946 në Tiranë. Ka përfunduar studimet për inxhinieri mekanike, ka qenë kryeinxhinier në ish-uzinën mekanike bujqësore në Shkozet, kryetar i ish-komitetit ekzekutiv të këshillit popullor të rrethit Durrësit (ku përfshihej dhe Kavaja deri në Rrogozhinë), deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitin 1991. . Ka bërë punë të ndryshme për sigurimin e jetesës, por njëkohësisht ka drejtuar dhe kurse dhe projekte formimi profesional. Ka botuar libra teknikë-profesionalë (“Boshtet kardanike në makinat bujqësore”, “Makinat me zgarë aktive në përpunimin e tokës”, “Panelet diellore për ngrohjen e ujit”) deri dhe gastronomik (“Erëza, pikante dhe salca”). Është pedagog në UAMD, Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën. Fatmiri ka një pasion të jashtëzakonshëm për letërsinë dhe historinë, duke shkruar me dhjetëra studime të botuar në të përditshmet kombëtare shqiptare dhe që kanë ngjallur interes për origjinalitetin, si dhe tregime. Gjithçka i ka përmbledhur në librat “Tjetërlloj – Ese dhe kritika letrare”, “Poezia moderne dhe Moikom Zeqo”, “Kanuni i përkitur”. Si edhe librin i tij me bashkautor studiuesin e njohur shijakas Halim Maloku “Lexikon: krijues të Durrësit: histori, arkeologji, letërsi”.