Fatos Tarifa
Fatos Tarifa është Drejtor i Institutit të Studimeve Sociale dhe të Politikave në Universitetin Europian të Tiranës nga viti 2008.
Ai ka fituar gradat Master of Arts dhe PhD në sociologji nga Universiteti i Karolinës së Veriut në Chapel Hill (SHBA), si edhe gradën Doktor në shkencën politike nga Universitetit i Tiranës. Tarifa ka mbajtur një sërë pozicionesh akademike në disa universitete perëndimore si: The Institute of Social Studies (Hagë, 1993-1994), The University of North Carolina (Chapel Hill, 1995-1998), Campbell University (1996-1998), Webster University (1999-2001) dhe Eastern Michigan University (2006-2008). Në UET, Tarifa është titullar i një sërë lëndësh në fushën e sociologjisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare si, “Hyrje në Sociologji”, “Teoritë sociologjike klasike” dhe “Mendimi sociologjik bashkëkohor” (progami Bachelor), “Sociologjia politike”, “Gjeopolitika e shekullit XXI” dhe “Marrëdhëniet transatlantike” (programi Master Shkencor) dhe “Teoritë sociale” (programi Doktoral). Tarifa është autor i 33 librave (shumë prej të cilëve të botuar në anglisht jashtë vendit), si Vengeance is Mine (2008), Europe Adrift on the Wine Dark Sea (2007), Acrimonies of Transition (2007), To Albania, with Love (2007), Social Problems of Transition (2003), The Balkans: A Mission neither Accomplished nor Impossible (2002), The Quest for Legitimacy and the Withering Away of Utopia (2001) etj. Ai është, gjithashtu, autor i më shumë se 50 artikujve studimorë të botuar në revista akademike ndërkombëtare të indeksuara si, Social Forces, Policy Review, Studies in Comparative International Development, Development and Change, Journal of Applied Sociology, Modern Age, International Review of Education, Societies without Borders, Mediterranean Quarterly, East European Politics and Societies, Communist and Post-Communist Studies, Higher Education in Europe, Childhood, etj. Tarifa është themelues (në vitin 1998) dhe kryeredaktor i revistës ndërkombëtare Sociological Analysis dhe kryeredaktor i revistës Academe, organi zyrtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave. Ai është, gjithashtu, anëtar i bordeve editoriale të revistave ndërkombëtare Journal of Social Sciences (nga viti 1997) dhe Journal of Applied Social Science (nga viti 2006). Fatos Tarifa është një ndër anëtarët themelues të Akademisë Shqiptare të Arteve dhe të Shkencave (2011), anëtar i Shoqatës Sociologjike Amerikane (nga viti 1992), anëtar i Akademisë së Shkencave Politike me qendër në Nju Jork (nga viti 1995) dhe i shumë organizatave të tjera profesionale amerikane e ndërkombëtare.
Ai është fitues i shumë granteve, fellowshipeve, çmimeve dhe medaljeve, përfshirë “The 2011 Distinguished Researcher President’s Prize” (UET), “Award for Outstanding Service” (Eastern Michigan University, 2008); Global Family Advocate Award (2004), “The Hattie Harris Good Spirits Club International Award for Encouragement of World Peace” (2004); Sociology Departmental Award (University of North Carolina at Chapel Hill, 1996), Senior Research Fellowship (Dutch Foreign Ministry, 1993-1994), Fulbright Senior Research Fellowship (1992), Medalja “Naim Frashëri” e klasit III për kontribut të shquar në fushën e mësimdhënies në Universitetin e Tiranës (1987) dhe Medalja “Naim Frashëri” e klasit III për kontribut në fushën e botimeve shkencore (1987). Fatos Tarifa ka qenë ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës (1998-2001) dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (2001-2005).