Ferdije Zhushi Etemi
Ferdije Zhushi Etemi është një biologe e shquar e Kosovës. Ajo është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe ligjeron në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore, në Departamentin e Biologjisë. Nga viti 2009 deri në vitin 2015 ajo ishte kryetare e Këshillit Shtetëror për Cilësi në Arsimin e Lartë të Kosovës. Më 2011 Ferdije Zhushi Etemi është shpallur nga revista "Kosovarja" si njëra ndër dhjetë femrat më të suksesshme të Kosovës.[1]
Biografia
RedaktoFerdije Zhushi Etemi u lind më 25 maj 1960 në Mihaliq të Vushtrrisë.
Ajo është njëri nga shtatë fëmijtë e prindërve të saj.
Pas një viti familja e saj u vendos në Prishtinë, ku ajo e kaloi fëmijërinë e saj.
Ajo ishte një fëmijë energjik, e donte lojën me moshatarët e saj dhe ishte aktive. E adhuronte në veçanti natyrën dhe kafshët dhe ëndërronte ta bëjë një ekspeditë hulumtuese nëpër botë.[2]
Shkollimi fillor dhe i mesëm
RedaktoFerdije Zhushi Etemi ka përfunduar shkollën fillore dhe gjimnazin në Prishtinë.[3]
Ajo ishte një gjimnaziste e shkëlqyeshme. Merrej edhe me aktivitete të lira, e sidomos ishte aktive në grupin letrar, ku shquhej për shkruarjen e hartimeve të bukura.
Studimet
RedaktoFerdije Zhushi Etemi ka studiuar biologjinë në Universitetin e Prishtinës. Si njëra nga studentet më të mira, ajo ishte edhe bursiste e Universitetit. Këto studime ajo i përfundoi më 1984.
Studimet postdiplomike i vijoi në Universitetin e Zagrebit[4] dhe në ate të Prishtinës, duke e fituar në vitin 2001 titullin shkencor - magjistre e shkencave. Ajo me këtë rast e mbrojti me sukses punimin e magjistratures me titull: "Pleshti i ujit (Daphnia pulex) si indikator i shkallës së ndotjes së lumit Sitnicë me ujëra industriale të termocentraleve "Kosova" në Obiliq."
Punimin e doktoratures me titull " Valorizimi biologjik i ujërave të lumit Sitnicë në bazë të përbërjes së faunës bentale" e mbrojti me sukses në Universitetin e Prishtines në vitin 2005.
Me qëllim të vlerësimit biologjik të ujërave të lumit Sitnicë, autorja e punimit të doktoratures ka kryer hulumtimet e faunes bentale në 10 lokalitete përgjatë rrjedhës së këtij lumi. Hulumtimet kanë përfshirë rrjedhën e epërme, rrjedhën e mesme dhe rrjedhën e poshtme të lumit.[5]
Gjatë studimeve të doktoratures ajo ka patur një qëndrim njëmujor studimor, me një bursë austriake, në Departamentin e Ekologjisë të Fakultetit të Shkencave të Natyres, në Universitetin e Vjenës.[6]
Puna në Universitetin e Prishtinës
RedaktoFerdije Zhushi Etemi e filloi punën në Universitetin e Prishtinës më 1984 si asistente. Në vitin 2002 ajo ishte ligjeruese, më 2006 profesoreshë asistente, nga viti 2011 ajo ishte profesoreshë e asocuar dhe nga viti 2021 ajo është profesoreshë e rregullt dhe ligjeron në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore, në Departamentin e Biologjisë.[7]
Aktivitetet në organizimin e arsimit të lartë në Kosovë
RedaktoFerdije Zhushi Etemi ka ushtruar detyra të rëndësishme në lëmin e organizimit të arsimit të lartë të Kosovës.
Ajo ishte drejtoreshë e Zyrës për Cilësi dhe Zhvillim Akademik në Universitetin e Prishtinës (2007-2008), ushtruese e detyrës së drejtoreshes së Agjencisë së Akredimit të Kosovës (2008-2009) dhe kryetare e Këshillit Shtetëror për Cilësi në Arsimin e Lartë të Kosovës (2009-2015).[8]
Ka dhënë kontribut të veçantë në procesin e pranimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës në ENQA[9] (Rrjeti Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë).[10]
Gjatë ushtrimit të aktiviteteve në organizimin e arsimit të lartë në Kosovë, ajo u ndesh me shqetësime të ndryshme. Kështu, më 25 nëntor 2014, ajo arrestohet si e dyshuar per marrje ryshfeti. U lirua të nesërmen. Këto dyshime e akuza ajo i ka kundërshtuar zëshëm, kudo dhe kategorikisht. Është shpallur e pafajshme me vendimin e Gjykates Themelore të Prishtines të datës 29.01.2019.[11] Gjykata e Apelit e shpalli ate përfundimisht të pafajshme me vendimin e datës 03.10.2019.[12]
Punimet shkencore dhe publikimet tjera
Redakto- Contribution to the knowledge of Nymphalidae fauna (Lepidoptera: Rhopalocera) in Kosovo,botuar në Trakia Journal of Sciences, 2017;
- Contribution to the knowledge of the Lycaenidae fauna of central part of Kosovo, botuar në Macedonian Journal of Ecology and Environment, 2016;
- New Records of Araschnialevana (Linneaus, 1758) (Lepidoptera: Nymphalidae) in Kosovo, botuar në J. Int. Environmental Application & Science, 2017;
- New Distribution and Species Records of Caddisflies (Insecta: Trichoptera) from the Republic of Kosovo, botuar në Entomological News, 2015;
- Three new country records from the genus Limnephilus Leach, 1815 (Trichoptera: Limnephilidae) from the Republic of Kosovo, botuar në Biodiversity Data Journal, 2014;
- Heavy metals concentration in mosses and their impact on the lichen value in the Prishtina region, botuar në Physiologia Pentarum, 2008;
- The ichtiyofauna of Drini i Bardhë River (Kosovo), botuar në "Ribarstvo", 68 (4); 149-158; 2010;
- The Impect of Agricultural Pollution in the Water Quality of Rimnik River Based on Macrozoobenthos as a Bio-Indicator, botuar në J.Int.Environmental Application & Science, Vol 5 (4); 586-593 (2010);
- Fauna e Oligoheteve në rrjedhën e mesme të lumit Sitnicë, Buletini 13 FSHMN, 2003:
- Fauna e plecopterave dhe distrbuimi hapësiror në rrjedhën e epërme të lumit Drini i Bardhë, Buletini 13 FSHMN, 2003;
- Hyrje në Entomologji, skriptë për studentët e biologjisë, financuar nga projekti CDP + (WUS Austria), 2005;
- Limnologjia, skriptë për studentët e biologjisë, financuar nga projekti CDP + (WUS Austria), 2007;
- Biologjia për klasën e 10 dhe 11 të gjimnazit, Libri shkollor, Prishtinë, 2003;[13]
Pjesëmarrja në konferencat shkencore
RedaktoFerdije Zhushi Etemi ka qenë pjesëmarrëse e shumë konferencave shkencore të karakterit ndërkombëtar e kombëtar, në të cilat ajo është paraqitur me punimet e saja shkencore.[14]
Të dhënat tjera
RedaktoFerdije Zhushi Etemi pos gjuhës shqipe, e flet edhe gjuhën angleze dhe serbokroate si dhe ka njohuri bazike të gjuhës gjermane dhe italiane. Ajo është anëtare e Shoqatës së Lepidopterologëve të Europës.[2]
Referimet
Redakto.
- ^ Angazhimi i Ferdijes për arsim cilësor, gazeta "Shqiptari eu", publikuar më 12 prill 2016 (Google).
- ^ a b Po aty.
- ^ Më shumë lidhur me këtë, po aty.
- ^ Në Universitetin e Zagrebit ajo ka studijuar nga viti 1989 deri në vitin 1991 dhe i ka kaluar me sukses shumicën e provimeve të parapara. Këto studime ajo u detyrua t´i ndërpres për shkak të fillimit të luftës në Kroaci dhe i ka vazhduar në Universitetin e Prishtinës ( më shumë për këtë: Ferdije Zhushi Etemi, "Valorizimi biologjik i ujërave të lumit Sitnicë në bazë të përbërjes së faunës bentale", faqe 118; Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore,stafi akademik, curriculum vitae, Ferdije Zhushi Etemi (Google)).
- ^ Ferdije Zhushi Etemi, Valorizimi biologjik i ujërave të lumit Sitnicë në bazë të përbërjes së faunes bentale, Disertacioni i doktoraturës, Prishtinë, 2005, faqe 99 (Google).
- ^ Ferdije Zhushi Etemi, vepra e cituar, faqe 118.
- ^ Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Matematike Natyrore, stafi akademik, Curriculum vitae, Ferdije Zhushi Etemi (Google).
- ^ Po aty. Shiko edhe: Procesi i akreditimit, emisioni "Jeta në Kosovë", 2009 (Youtube).
- ^ ENQA - European Association for Quality Aussurance in Higher Education.
- ^ Angazhimi i Ferdijes për arsim cilësor, gazeta "Shqiptari eu", publikuar më 12 prill 2016 (Google); shiko edhe: Mysafire e mëngjesit Ferdije Zhushi Etemi, RTK 2015 (Youtube).
- ^ Kallxo.com, publikuar më 29.01.2019.
- ^ Llapi.inf, publikuar më 03.10.2019.
- ^ Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, stafi akademik, curriculum vitae, Ferdije Zhushi Etemi
- ^ Më shumë për këtë, po aty.