Fjalor Suedisht - Shqip
Fjalori suedisht-shqip i autorit Sadulla Zendeli-Daja me 28000 fjalë, është botim i Agjencisë Kombëtare Suedeze për Arsim-Enti për Zhvillim i Suedisë, Stokholm, 2004. Korrektimi gjuhësor i pjesës shqipe është bërë nga Svetllana Mihali (Tiranë) dhe Shefkije Islamaj (Prishtinë). Ky fjalor është i dyti i këtij lloji. I pari me 17000 fjalë u botua më 1994 dhe është i të njëjtit autor. Autori Sadulla Zendeli-Daja, i njohur në opinionin tonë si veprimtar i madh jo vetëm në fushën e arsimit në Suedi, ka bërë punë të vlefshme edhe si hartues fjalori. Fjalori i tij suedisht–shqip përmban 930 faqe të formatit të madh dhe 66 faqe me fotografi ilustruese me ngjyra. Teknikisht është përgatitur në shkallë të lartë dhe i bashkohet serisë së fjalorëve të tjerë suedisht-gjuhë e huaj. Në korpusin e 54 000 fjalëve janë zgjedhur e përpunuar 28 500 njësi leksikore. Fjalësi i fjalorit është përzgjedhur prej një lënde të gjerë shkrimore bashkëkohore dhe pasqyron realitetin gjuhësor të Suedisë së ditëve tona. Fjalori përmban fjalë dhe shprehje të përdorimit të përditshëm e të veçantë të gjuhës suedeze me përgjegjëset në gjuhën shqipe. Në pjesën shqipe është përfshirë leksiku aktiv, jo rrallë leksiku pasiv dhe ai potencial i shqipes për t’i dalë ballë fjalësit të suedishtes. Janë përfshirë edhe një numër fjalësh të reja, pak të njohura, të huaja me karakter ndërkombëtar, një numër dialektizmash, nga të dy dialektet gegërishtja e toskërishtja. Përmban edhe 1000 emërtime të sferës shoqërore, të cilat janë pajisur me sqarime të nevojshme. Në këtë kontekst, i madh është edhe numri i kuptimeve e ngjyrimeve kuptimore, i sinonimeve dhe antonimeve, i thënieve dhe idiomave. Në fund të fjalorit janë përfshirë fotografi tematike me ngjyra, të shoqëruara me tekst nga fusha të ndryshme të jetës së njeriut.
Një anë shumë e vlefshme e fjalorit është karakteri i tij normativ. Ana normative e fjalorit përfshin të gjitha rrafshet e gjuhës: fonetikë, morfologji, sintaksë, leksik, fjalëformim dhe në rrafshin e stilistikës, për çka, mendojmë se do të ketë një rol të madh edhe në përvetësimin e normës së gjuhës letrare. Shfrytëzimi i përvojave të të dy leksikografive, suedeze dhe shqiptare, i kanë ndihmuar autorit të zgjidhë me sukses një numër problemesh që dalin në hartimin e fjalorëve të këtij tipi. Mund të thuhet, se Fjalori suedisht-shqip i Entit për Shkollim të Suedisë është një fjalor me rëndësi të madhe, sepse pasuron leksikografitë e të dy gjuhëve, suedeze e shqiptare, plotëson zbrazëti të ndjeshme për fjalorë të këtij lloji, përmbush të gjitha kriteret mbi të cilat ndërtohen fjalorët dygjuhësorë bashkëkohorë, përmban informacione shtesë për jetën, kulturën e psikologjinë e popullit suedez dhe sepse ka anën e tij praktike të përdorimit dhe këtë anë e siguron përzgjedhja e duhur teknike e trajtimit të lëndës gjuhësore.
Literatur
Redakto- Dr.Shefkije Islamaj - Shekulli 11/11/2004