Fjalor i Arkeologjisë është titulluar botimi me autor arkeologët Ardit Miti dhe Eglantina Serjani. Lidhur me këtë nismë autorët shprehen : “Mendojmë se fjalori do të jetë një instrument i vlefshëm si për studentët dhe profesionistët, të cilëve u jepet akses i shpejtë dhe referues (nëpërmjet bibliografisë) për terma të njohur apo të panjohur për ta, gjithashtu edhe për të interesuarit në fushën e arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore që do të kenë lehtësi në të kuptuarin dhe njohjen e terminologjisë”.

Sipas tyre, fjalori nuk ka vetëm një natyrë përshkrimore, por tenton të shkojë edhe më tej, duke sjellë një frymë interpretative e në mënyrë të veçantë për ata terma që lidhen me trashëgiminë arkeologjike dhe kulturore shqiptare.

Ndërkohë që arkeologu Miti bën me dije se ky fjalor përfshin 1983 terma dhe zëra, të cilët variojnë që nga periudhat historike dhe ato gjeologjike, faktet dhe ngjarjet, fiset dhe popujt, evolucioni njerëzor dhe besimet e ritet, biografitë për jetën e mbretërve, perandorëve, koleksionistëve, studiuesve etj.

Po ashtu, ai përmend edhe shtetet, institucionet, qendrat arkeologjike dhe kulturat, artin dhe arkitekturën, elemente, monumente dhe artifakte, teoritë dhe praktikat deri në shkencat dhe disiplinat ndihmëse, ku disa prej tyre i prezantohen për herë të parë lexuesit shqiptar.

"Ky libër është iniciativa e parë për publikimin e një fjalori të plotë të termave arkeologjikë në Shqipëri. Për këtë arsye, edhe pse jemi përpjekur për të sjellë formën më të mirë, nuk mund të themi se kemi mbuluar dhe trajtuar njësoj të gjithë termat", - thotë ai.

Botimi i terminologjisë arkeologjike, i cili pritet të promovohet dhe të hidhet në treg së shpejti, shoqërohet po ashtu edhe me figura e tabela që ndajnë periudhat historike nga njëra-tjetra për ta bërë rrjedhën e ngjarjeve më të qartë e lehtësisht të kuptueshme.

"Kemi parë të domosdoshme që disa zëra të pasqyrohen në imazhe, pra janë 172 figura. Po ashtu edhe në dy tabela, ku njëra u përket periudhave historike, e cila prezanton periodizimin në territorin e Shqipërisë, përkrah atij të territoreve të Greqisë, Maqedonisë, Kosovës, Ballkanit dhe Evropës qendrore e perëndimore, ndërsa tjetra paraqet periodizimin gjeologjik të rruzullit tokësor", - tregojnë autorët.

Të dyja këto tabela janë paraqitur në shkallë, në tabelën e periudhave historike duke filluar nga eneoliti 1 mm që është i barabartë me 20 vjet, ndërsa në atë të periudhave gjeologjike shkalla varion nga 1 mm i barabartë me 6000000 vjet, 1 mm i barabartë me 2000000 vjet deri në 1 mm të barabartë me 160000 vjet për të dhënë idenë e shtrirjes së periudhave, kulturave dhe qendrave arkeologjike në hapësirë dhe kohë.

Libri i ri u shërben shtresave të ndryshme shoqërore, pasi sipas autorëve, arkeologjia nuk është vetëm një disiplinë profesionale që zhvillohet në rang akademik duke qenë pjesë e rretheve shkencore dhe auditorëve universitare, por edhe si një subjekt me karakter publik që përfshin administratën vendore dhe atë qendrore, institucionet që merren me trashëgiminë kulturore si dhe komunitetin lokal.

Fjalori vjen si vullnet i fondacionit "E Ardhmja e Trashëgimisë Shqiptare", në varësi të "Packard". Për paraqitjen e termave në fjalor janë ndjekur disa kritere në funksion të përdorimit. Në rastet kur zëri është një emër i përveçëm, fillon me germë të madhe si p.sh. Iliria dhe në rastet kur ai është një emër i përgjithshëm fillon me germë të vogël si p. sh. kapitel.

Në rastet kur përdorimi i termit është i shpeshtë në gjuhën e arkeologëve, pavarësisht mosnjohjes së tij në fjalorin e gjuhës shqipe, është vendosur në shkrim normal, i shoqëruar brenda kllapave të harkuara me formën e shkurtuar të gjuhës së prejardhjes së tij, si p.sh. as (lat.); damiorg (greq.), etj., ndërsa kur përdorimi është më i rrallë dhe jo gjithmonë i shqipëruar në tekste, brenda kllapave katrore vendoset varianti nga gjuha e origjinës, si p.sh. kaneforë [greq. kaneforos], hiposkenë [lat. hyposcenium] etj.

Terma, të cilët mendojmë se ende duhet të ruajnë trajtën origjinale, janë vendosur në shkrim kursiv dhe sigurisht pas tyre në kllapa të harkuara është vendosur forma e shkurtuar e gjuhës së prejardhjes së tij si p.sh. labrum (lat.) ; oikos (greq.).

Zërat që kanë të bëjnë me biografitë e personaliteteve antike apo modernë të huaj, paraqiten në variantin e shqipëruar, të shoqëruar me emrin dhe mbiemrin origjinal brenda kllapave të harkuara p.sh. Teodoriku i Madh (Flavius Theodoricus, v. 454–526 m.Kr.), Kaban, Pierr (Pierre Cabanes v. 1930) etj.

Emrat e personaliteteve të huaja, të cilët nuk paraqesin zëra më vete në fjalor, janë shqipëruar dhe në shfaqjen e parë të tyre në tekst shoqërohen me emrin origjinal brenda kllapave të harkuara, si p.sh. Pol Treger (Paul Träger).