Poema “Lufta e maleve” është edhe letërsi, edhe histori... sepse është e shkruar nga një pjesëmarrës i ngjarjeve që përshkruhen, pothuaj të gjitha personazhet janë personazhe historike (Ded Gjo Luli e Dergut pasha, Nikë Gjeloshi e Deli Meta, Kolë Marash Vata, Mirash Luca, Çun Mulja e shumë të tjerë) dhe në këtë segment kjo arrin statusin e “besueshmërisë” që kanë këngët popullore historike... Si parantezë dua të rikujtoj se krijimet letrare u nënshtrohen kritereve të së vërtetës letrare që, në kuptimin teorik (nuk është e domosdoshme por) mund të dallojnë nga e vërteta objektive historike dhe për këtë nuk mund të atakohen. Me fjalë të tjera, letërsia gëzon imunitet të plotë në raport me historinë dhe nuk mund të akuzohet për shkallën e besnikërisë ndaj ngjarjes në tërësi apo ndonjë fakti të veçantë.

Shkrimet e prof. dr. Hamit Boriçit - për publicistikën e Traboinit, Fran Camajt - për Ded Gjo Lulin në poemën “Lufta e maleve”, prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj - “Ne bijtë e xhubletës” ku studiuesi veprimtarinë atdhetare dhe publicistiko-letrare të Palok Traboinit e shikon në lidhshmëri me historinë heroike të fisit të Hotit dhe Malësisë së Madhe në përgjithësi dhe të Fatmir Terziut, kritikut dhe shkrimtarit të njohur që aktualisht jeton në Londër, “ Plasticiteti i veprës së Palok Traboinit” ku ai nuk ngurron të shfaqë respektin që ndjen për krijimtarinë por edhe personalitetin e Traboinit, duke e quajtur madje “biblikisht i madhi, Palok Traboini”, përbëjnë së bashku kapitullin - “Studiuesit për Palok Traboinin . Më pastaj vijojnë kapitujt: Shkrime, kujtime, dokumenta;  Atme – kujtime nga Kolec Traboini; Gjenealogjia e fisit Gojçaj; Summary (Rezymeja); Albumi fotografik; Burime dhe referenca; Treguesi i emrave dhe Përmbajtja.Botimi i këtij libri është mbushje e një vakuumi të theksuar në fushën e kulturëssonë, por mbi të gjitha është një borxh që e kishin sidomos “intelektualët” malësorë ndaj këtij patrioti idealist dhe shkrimtari më pak të njohur sesa e meriton.

Fragment nga shkrimi botuar në gazeten "Koha javore", Podgoricë.

Skeda:19-Flamuri ne Deçiq Palok Traboinit 2012.jpg