Folklori muzikor, isopolifonia & monodia
Folklori muzikor, isopolifonia & monodia Gjinia: Muzikë. Autori: Vasil S. Tole. Shtëpia botuese: "Uegen". Viti i botimit 2007. Faqet e librit 562. ISBN 978-99943-39-53-2
Fragment nga libri
RedaktoRëndom pohohet se degët e tjera të artit si: muzika, arkitektura, skulptura e piktura, nuk kanë qenë të panjohura në Shqipëri dhe në disa kohë patën arritur shkallën më të lartë sikurse na e vërtetojnë sot gërmimet arkeologjike. Megjithë ngjyrimet romantike që mbart citimi i mëposhtëm, thuhet se në kohët e vjetra "... shqiptarët i kushtuan perëndisë së muzikës qytetin e Apolonisë" dhe se akoma "...banorët e atyre viseve mbajnë emrin Myzeqarë".
Sipas Konicës: një herë është shprehur një mendim se muzika polifonike mund të ketë buruar në Shqipëri , ku vizituesit italianë nuk kanë mundur të mos vërejnë këtë veçori etj. Edhe më tej gojëdhëna të ndyshme për mitizimin e muzikës nga ilirët na janë bërë të njohura prej autorëve të antikitetit.
Duke vazhduar me dokumentat që na vijnë prej arkeologjisë sonë muzikore, do të përmendja edhe një unazë të shek. XV para erës së re, në gurin e së cilës është gdhendur figura e Panit brinoç me këmbë dhie, duke i rënë një vegle frymore me dy tyta të bigëzuara. Nga këto dëshmi provohet gjithashtu edhe ekzistenca e instrumentave polifonikë qysh në ndërtim si p.sh tipi i fyellit të dyfishtë që dokumentohet në Shqipërinë Jugperëndimore, në Apolloni, që në shek. VI - V p.e.re dhe në luginën e sipërme të Vjosës në shek. IV-III p.e.re etj. Gjithashtu theksohet fakti se ekzistenca e polifonisë sot tek arbëreshët në Itali, provon se në shek. XIV - XV, kohë kur ata emigruan, polifonia ishte një relitet muzikor i pranuar nga të gjithë në Shqipërinë e Jugut.
Ende, në pamundësi të dokumentimit të fenomenit sonor të polifonisë sonë në kohët e vjetra, mund të themi se ekzistenca në folklorin muzikor polifonik e disa gjinive si. p.sh në këngën polifonike me origjinë mitologjike apo në "vallet rituale", mund të provojë se polifonia ka qenë bashkëudhëtarja muzikore e përhershme e gjinisë. Në këtë tip kënge të bien në sy, si një shtresim i lashtë me prejardhje mitologjike, një varg thirrjesh që sjellin jehonën e praktikave ritualo - magjike, të lashta.
Si shembull mund të përmendim të tilla formula stereotipe të fillimit të këngëve: "Oj lia oj", / Vaj lia vaj/ Vaj duduk vaj! etj. Këtu një vend të posaçëm do t'i kushtonim edhe baladave por dhe këngëve historike të cilat këndohen dhe vallëzohen në polifoni. Ndër më tipiket kemi këngën e Dhoqinës e cila gjendet në një zonë të gjerë që përfshin Durrësin, Gramshin, Pogradecin (gjurmë të saj i gjejmë në Korçë), Përmetin, Libohovën, Gjirokastrën, Beratin, Fierin, Vlorën, Sarandën, Çamërinë si dhe këngët polifonike "Skënderbeu trim me fletë" dhe ajo e "Gjorg Golemit" etj.
Ajo ç'ka duhet theksuar përsa i përket studimit të polifonisë, lidhet me faktin se muzika popullore polifonike shqiptare ishte fare e pastudiuar deri para viteve '40 të shek. XX, sepse "... para çlirimit të atdheut askush nuk merrej në vendin tonë me studime muzikologjike, prandaj nuk trashëguam nga e kaluara asnjë farë literature shkencore". Arsyet rreth kësaj mund të jenë nga më të ndryshmet, por deri më atëhere vetë folklori shqiptar si fenomen më i gjerë nuk ishte bërë ende objekt i plotë studimi, e për më tepër polifonia e cila ende sot ngelet nga dukuritë më elitare të folklorit tonë muzikor.
Kuptohet se për të studiuar polifoninë nuk është njësoj, fjala vjen si të studiosh poezinë popullore e cila ka vite që është dokumentuar (pa ja ulur vlerat kësaj të fundit), sepse vetë polifonia, proçesi i shqyrtimit të saj mpleks probleme dhe vështirësi nga më të shumtat. Ky konstatim gjithsesi nuk mohon se nuk ka pasur prekje dhe lokalizim të saj në rrafshin teorik si një dukuri specifike e traditës popullore shqiptare.
Megjithëse pa ekzistencën e punimeve të mirëfillta mbi polifoninë popullore, ka ekzistuar një interes i përgjithshëm rreth këndimit muzikor shqiptar me shumë zëra, i shfaqur në punime të ndryshme, qofshin këto letrare, të arteve pamore apo dhe të fushave të tjera të dijes, i cili me sa kemi mundur ne të hulumtojmë deri më sot, datohet qysh në dhjetvjeçarët e parë të shek. XVIII.
Më poshtë, në rend kronologjik do të paraqesim punën e autorëve shqiptarë dhe të huaj të cilët kanë përmendur në veprat e tyre (të botuara brenda apo jashtë Shqipërisë), fenomenin e polifonisë popullore, si dhe të gjitha ato kujtime, vizita dhe përshtypje për Shqipërinë, së bashku me krijimtarinë poetike folklorike gojore, një pjesë e madhe e së cilës lidhet me këndimin polifonik edhe sot e kësaj dite. Ky interesim buronte dhe ishte i lidhur me faktin se "... Shqipëria mesjetare kish një pamje të një vendi të ashpër malor, të një zone tipike "strehimi e reliktesh", ku ruheshin tipare arkaike të kulturës lëndore e shpirtërore e të organizimit shoqëror".
Kryekreje, një të dhënë të rëndësishme për konstatimin e të kënduarit polifonik në jug të Shqipërisë na i jep Evlija Çelebi Sejjahatnamesi, në udhëpërshkrimet e tij të viteve 1660 - 1664. Ai shkruan se "... gjirokastritët kanë edhe një zakon tjetër të çuditshëm: vajtojnë njerëzit që kanë vdekë deri shtatë a tetëdhjetë vjet përpara. Çdo të Diellë gjith far' e fisi i të vdekunit mblidhen në një shtëpi dhe bajnë përshpirtje për të ndjerin tue mbledhë vajtuese me pagesë të cilat qajnë e vajtojnë me dhimje të madhe, me za të naltë e të mallëngjyeshëm tue derdhë lot si rrëke. Në këtë ditë në qytet nuk mund të qëndrojë njeriu nga poterja e zhurma e vaktueseve. Unë e pagëzova Gjirokastrën "qyteti i vajtimit".
Nga autorët shqiptarë përmendim afreskun e pikturuar nga piktori David Selenicasi rreth vitit 1715, i cili gjendet në manastirin "Laura e Madhe, kapelja e virgjëreshës Kukuzelisa", në malin i Shenjtë. Afresku paraqet katër gra duke kërcyer të shoqëruara nga një formacion me vegla i përbërë nga dy vegla aerofone dhe dy kordofone. Sipas F.Hudhrit, në këtë punim vihet re trajtimi jetësor i figurave, duke "shkelur" dogmat e diktuara nga kanonet bizantine.
Paskëtaj kemi një fjali të vetme të shkëputur nga vepra e Marie Wortley - Montagu, "Letters and Works", në të cilën ajo pas vizitës në Shqipëri më 1817, shkruan për shqiptarët se: "Ata të gjithë janë të veshur dhe të armatosur me paratë e veta, ca burra zakonisht lakmitarë, të veshur në pëlhurë të pastër të bardhë, duke mbajtur pushkë tepër të gjata, të cilat i mbajnë mbi supe sikur të mos ndjenin peshën e tyre, me prijësin që ia jep një këndimi të ashpër, jo të pakëndshëm, dhe me të tjerët, që përbëjnë korin".
Gjurmë të polifonisë në artet pamore gjejmë gjithashtu edhe në dy afreske të pikturuar po nga piktorë shqiptarë në vitin 1744. I pari afresk paraqet një bari të vogël duke i rënë fyellit i pikturuar nga Konstandin Shpataraku në kishën e Shën Thanasit në Voskopojë, ndërsa i dyti punë e Zografëve paraqet dy barinj, ku i dyti në sfond, i shoqëruar nga tufa e bagëtive i bie gjithashtu fyellit në një sfond tipik.
Nga veprat e F.C. Pouqeville "Voyage en Moree, a Constantinople, en Albanie (pedant les annees 1789 - 1801), kemi këtë konstatim për vallen e kënduar polifonike kur thotë se "... këta banorë të maleve Akroqerame e bashkojnë këtë valle me këngë, që vijnë që nga shekujt famëmadhë të Skënderbeut dhe e përdorin për të qortuar qullosjen e osmanllinjve". Në veprën tjetër "Voyage de la Grece", të botuar më 1826, veç të tjerash, ai shpjegon efektin që i la këndimi i një kënge të dëgjuar pranë Lukovës me fjalët: "... shqiptarët këndonin me një zë aq të fortë sa të çponte veshët", që ne mendojmë se nuk është gjë tjetër veçse këndimi së bashku në grup i një kënge polifonike.
Konstatim të polifonisë gjejmë edhe në veprat letrare me karakter autobiografik. Xhorxh Gordon Bajron (1788 - 1824), në veprën e tij "Çajld Haroldi", mes të tjerash jep edhe këtë poezi mbresëlënëse të ndërtuar mbas dëgjimit dhe efektit sugjestionues të valles së kënduar polifonike:
Në zall të shtruar ndritën zjarret natën, darka mbaroi, vjen rrotull verë e kuqe ; Dhe kush u ndodh atje pa pritur gjë, Ju muar mentë fare nga ajo pamje ; Se sa pa shkuar orëz e mesnatës, Përcjellësit ia nisën këngës tyre ; Çdo Palikar e flaku tutje shpatën Kërcyen dorëpërdorë njëri pas tjetrit, Me këngë apo vajtim u drodhën fustanellat.
Vlerësime më të përgjithshme për këndimin polifonik të jugut dhe atë të arvanitasve kemi edhe nga Henry Holland, në veprën e tij "Travels in the Ionian isles, Albania, Thessaly during the years 1812 - 1813"[22] . Një e dhënë mjaft interesante për konstatimin e iso - polifonisë në gjysmën e parë të shek. XIX, na vjen edhe nga udhëtimi në Shqipëri, e konkretisht në Janinë, në periudhën shtator tetor të vitit 1830 i anglezit Benzhamin Dizrael (1804 - 1881), më pas kryeministër i Anglisë për rreth 12 vjet. Në një nga letrat që i dërgon nga Janina të atit ndër të tjera ai shkruan: "... një natë Mehmet Aga solli një grup këngëtarësh të cilët kënduan me iso një balladë për vrasjen e Veli Beut dhe rebelëve të tjerë".
Më tej, në artet pamore, do të gjejmë shembuj të tjerë të dukurisë së polifonisë popullore shqiptare. Në këto vite (1820 - 1840) kemi tre piktorë të huaj dhe pikturat e tyre në vaj me këtë temë. A. Deka (1803 - 1860) me veprën "Valltarët shqiptarë", vallen të cilën ata kërcejnë e ka shpjeguar edhe T. S. Huges duke e quajtur "Albanitico" ose vallja kombëtare e palikarëve shqiptarë, L. Zherom (1824 - 1904) dhe K. Udvil (1856 - 1927), të dy me pikturat e titulluara njësoj: "Shqiptarët që këndojnë".
Në veprën e Ami Boue " La Turquie d'Europe" të botuar në Paris më 1840, gjejmë edhe shpjegimet mbi mënyrat e të kënduarit të popujve të ndryshëm. Ndër të tjera ai thotë se "... grekët bile dhe zinzarët (vllehët) këndojnë më mirë se sllavët dhe banorët e Shqipërisë së Jugut janë në mes të tyre". Nga kolana e mbledhësve dhe botuesve të huaj të folklorit letrar polifonik do të evidentoja ndër ta J. G. Hahn me botimin e "Albanesischen Studien" më 1854, ku zë vendin e saj edhe kënga shumë e njohur e "Urës së Qabesë".
Zef Jubani, (1818-1880) në artikullin e tij publiçistik "Mbi poezinë dhe muzikën shqiptare", jep ndër të parët një konstatim për muzikën polifonike të Myzeqesë. Ai thotë se banorët e këtyre viseve mbajnë akoma emrin Myzeqarë, që do të thotë njerëz me prirje për muzikën dhe të cilët edhe sot vërtetojnë me fakte këtë cilësim tradicional.
Kur shpirti i tyre ndihet i tronditur nga frymëzimi i muzës, shihen si të dehur dhe të mallëngjyer deri në përçartje dhe është atëhere çasti në të cilin improvizojnë këngë mbi shijen martesore, me koncepte shumë të larta dhe të çuditshme, dhe e përshtasin melodinë e ëmbël dhe patetike në mënyrë origjinale. Nga kjo pikpamje këngët e Shqipërisë së Mesme, d.m.th. të Myzeqesë janë më të mirat dhe më të kërkuarat të këtij kombi.
Nga mbledhësit shqiptarë të folklorit do të përmendim Thimi Mitkon dhe veprën e tij "Bleta shqiptare", të përgatitur për botim më 1874. Një vend të rëndësishëm në të krahas folklorit popullor në tërësi, zënë poezitë popullore të këngëve popullore polifonike, të cilat ai i mblodhi "... i pështetur ndë dorëgjerësinë dhe ndë atdhetarinë e bashkëmëmëdhetarëve të mij, shpërenj që, ndë mbledhje të dytë, të jap ndë dritë lëndë më të shumëtë e më të plotë, prej së cilës gumëzhin Shqipëria". Po kështu edhe Faik Konica, i cili në vitin 1887 thoshte se ajo që do të ofrojë ndoshta një interes të ri, para së gjithash janë vajtimet, trenet, ato gjëmë, kuisje (lamentations) të ritmuara që gratë i improvizojnë mbi varrin e të vdekurve, karakteri antik i të cilave shpesh i ka mahnitur udhëtarët që kaluan andej.
Në parathënien e veprës së tij "Valët e Detit", të botuar në Sofje më 1908, folkloristi Spiro Dine shpjegon mënyrën sesi mblidhte folklorin nga shqiptarët: "... kudo që gjenja shqiptar do t'i ngarkohesha dhe do t'i lutesha të më thosh sa që dinte. Por eshe për fat të mirë atë kohë, ndodheshin dhe shqiptarë shumë n'Egjypt, nga do të shkonje do të piqnje shqiptarë. Karakollët e Kairos qenë plotë gegë e toskë. Këngët e vallet nukë rreshtnin".
Në vitet '30 kemi interesimet e disa kompozitorëve shqiptarë mbi folklorin muzikor polifonik. Thoma Nasi (1892-1964) kompozoi disa vepra me këtë orientim si "E qarë", "Fyelli i bariut" apo "Katër valle", ndërkohë që kompozitori Kristo Kono (1907 - 1991) pretendonte që të krijonte muzikë "... me frymëzim nga folklori i rrethit tonë (Korçës) veçanërisht të atij të bazuar në shkallën pentatonike, pesëtingujshe. Kisha filluar ta mblidhja këngën popullore e ta studioja strukturën e saj që kur isha në Gjirokastër, si nga ana e melodisë, ashtu edhe nga ajo e polifonisë".
Mbi traditat dhe folklorin muzikor shqiptar në përgjithësi, në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX, interesim kanë shfaqur edhe shoqëritë e huaja kinematografike të cilat kanë realizuar shumë filma dokumentarë në të cilët zbulojnë pasurinë etnografike dhe etnomuzikore të shqiptarëve.
Të parët vëllezërit Manaki më 1906 kanë regjistruar filmin "Lojna e kostumeve popullore" si dhe kanë bërë xhirime të kësaj natyre edhe në Korçë, Përmet, Këlcyrë e Janinë. Më 1913 amerikani William Hovard xhiroi në Shqipëri zakone, tradita e kostume popullore. Shoqëria gjermane "Kabinetfilm" xhiroi më 1932 një film dokumentar me zë që shoqërohej me muzikë origjinale popullore.
Më 1936, regjisori gjerman Karl Gelberman xhiroi filmin "Një udhëtim ëndëronjës nëpër Shqipëri", me pamje nga Korça, Ohri etj. ku jepeshin edhe pamje të kostumeve e zakoneve dhe valle e këngë popullore. Këtu përmendim edhe filmin e gjatë dokumentar "Vëllamët", të xhiruar përsëri nga gjermanët, të mbushur me legjenda e folklor. Më tej kemi një film të "Luce" 1940, ku jepen edhe një grup vajzash hoçishtare të veshura me kostume popullore etj.
Pra, deri në vitet '40 të shek. XX, megjithëse pa pasur studime të mirëfillta si dhe transkriptime muzikore me objekt muzikën popullore polifonike, vetë polifonia ishte një univers muzikor i cili shtrihej nga lindja deri në vdekje të shqiptarit jugor, e si e tillë ajo e ishte prezente në të gjitha gëzimet dhe hidhërimet e tij.
Studimi i parë mbi polifoninë tonë popullore është shkruar nga studiuesi Ramadan Sokoli në vitin 1959, me titullin "Polifonia jonë popullore", fillimisht botuar më vete, e më pas si një pjesë e librit të tij "Folklori Muzikor Shqiptar", Tiranë 1965. Megjithëse gjithçka përfshihet atje është veçse disa faqe, piketat e para të studimit të polifonisë sonë popullore u ngulën me këtë vepër. Me pak fjalë aty jepet shtrirja gjeografike e të kënduarit polifonik, veçoritë e ndërtimit të shumëzërëshit, shkallët pentatonike të polifonisë jugore dhe të dhëna të tjera me interes rreth saj, së bashku me disa transkriptime të muzikës popullore polifonike. Në këtë botim mbi folklorin muzikor shqiptar, në pikëpamje të klasifikimit, polifonia zë vendin qendror, dhe trajtohet krahas dukurive të tjera të folkut tonë.
Nga pasqyrimi në letërsinë shqiptare i dukurisë së iso - polifonisë, do të përmendja romanin "Kush e solli Doruntinën" të Ismail Kadaresë ku "... gjejmë të pasqyruar jo vetëm riprodhimin e një prej dukurive më domethënëse të etnomuzikës shqiptare, të polifonisë në vajin e grave, por dhe shpjegimin e gjendjes muzikore me një tjetër "partiturë". Më poshtë kemi një skemë të përafërt grafike të linjave muzikore të 4 vajtojcave :
Vajtimi i vajtojcave Karakteristikat vokale
Zëri I (këndon) zë i dridhshëm
Zëri II (këndon) zë akoma më i dridhshëm
Zëri III (këndon) ligjërim
Zëri IV (këndon) vajtim
Pas polifonisë së plotë në të katër zërat (skema më lart e formuluar nga ne sipas specifikave të dhëna në tekstin letrar), vijohet me një ndërlikim të formulës, e cila qëndron në marrëdhënie më specifike fillimisht mes zërit të I e atij të III e tipit marrje-prerje; pastaj një diafoni e ndërprerë në mes të zërave IV dhe të I ("... duke ndërprerë njëra tjetrën"), të cilave u shtohet edhe zeri i III, e më tej përfundojnë së bashku për të filluar përsëri. Prirja për të "notizuar" dukurinë e polifonisë popullore, nuk mbetet me kaq.
Trajtimi konceptual i lëndës polifonike ka sjellë në veprat e Kadaresë edhe risitë përsa i përket polifonisë si formë. Këtu do të vinim në pah strukturën e romanit "Dimri i madh" i cilësuar si "roman me iso", "roman polifonik", ku çdo gjë në të ndërtohet ashtu si në praktikën e gjallë të të kënduarit popullor ku: "...njëri ia merr këngës, të tjerët rrijnë rreth e rrotull dhe ashtu si njerëzit që i fryjnë zjarrit për ta mbajtur gjallë, ata i mbajnë ison këngës".
Kuptohet se kjo periudhë (1950 - 1990) është periudha më intensive në studimin e polifonisë sonë popullore dhe në interesimin rreth saj, e pasqyruar jo vetëm në sasinë e veprave dhe artikujve të shkruar mbi të, por edhe tek madhësia e lëndës muzikore polifonike e cila ka qënë dashur të mblidhej, të studiohej dhe të transkriptohej.