Forcat e Armatosura të Malit
Forcat e Armatosura të Malit (frëngjisht: Forces Armées Maliennes) përbëhen nga Ushtria (frëngjisht: Armée de Terre), nga Forcat Ajrore të Republikës së Malit (frëngjisht: Force Aérienne de la République du Mali), dhe nga Garda Kombëtare. Ato janë rreth 7,000 dhe janë nën kontrollin e Ministrit të Forcave të Armatosura dhe të Veteranëve. Biblioteka e Kongresit që nga janari 2005 deklaroi se "ushtaria është e paguar dobët, e pajisur dobët dhe ka nevojë për racionalizim. Organizimi i saj ka vuajtur nga përfshirja e forcave të parregullta Tuareg në ushtrinë e rregullt pas një marrëveshjeje të vitit 1992 midis qeverisë dhe forcave rebele Tuareg”.
Në vitin 2009, Bilanci Ushtarak i IISS-së renditi 7,350 ushtarë në ushtri, 400 në Forcat Ajrore dhe 50 në Marinë. Xhandarmëria dhe forcat e policisë vendase (në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe të Sigurisë) ruajnë sigurinë e brendshme. IISS-ja renditi forcën totale paraushtarake si 4,800 personel: 1,800 në Xhandarmëri (8 kompani), 2,000 në Gardën e Republikës dhe 1,000 oficerë policie. Disa malianë kryejnë trajnime ushtarake në Shtetet e Bashkuara, në Francë dhe në Gjermani.
Shpenzimet ushtarake përbëjnë rreth 13% të buxhetit kombëtar. Mali është një kontribues aktiv në forcat paqeruajtëse në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore; Biblioteka e Kongresit tha se në vitin 2004 Mali merrte pjesë në operacionet e Kombeve të Bashkuara në Republikën Demokratike të Kongos (MONUC, 28 personel duke përfshirë 27 vëzhgues), në Liberi (UNMIL, 252 personel, përfshirë 4 vëzhgues) dhe në Sierra Leone (3 vëzhgues).