Fragment Relievi
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
FRAGMENT RELIEVI I NIMFES NGA KOLEKSIONI ARKEOLOGJIK I ANTIKITETIT NË MUZEUN E KOSOVËS
Në këtë punim bëhet fjalë për këtë ekzemplar kulti,i cili ruhet në njërën nga vitrinat e ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës.
Rrethanat e gjetjës së tij nuk janë të njohura .
Atë e përbën një pllakë mjaft e fragmentuar me përmasa: 13x15x4,5cm.,
punuar në mermer të bardhë kristalor me patinë të verdhë (sipas të gjtha gjasëve nga Greqia).
Është e thyer nga të gjitha anët, prej nga ka mbetë vetëm një pjesë e vogël e pjesës së sipërme me kornizë.
Deri sa tri anë janë të papërpu¬nuara, në anën e përparme në një reliev të lartë është skalitur figura e femrës së re – nim¬fes (nymph), nga e cila është ruajtur gjysma e sipërme e kokës dhe një pjesë e dorës së djathtë.
Koka, megjithëse e gërryer, duket se është trajtuar mjaft mirë, ku në fytyrën e modeluar bukur ovale, duken konturat e rregullta të syve. Po ashtu edhe flokët kanë formë të qartë; nga mbetjet e pakta të përdredhave në tepe,
pa dyshim ishin të përbërë nga tufa të dendura valore, të cilat, duke u ndarë në mes dhe krehur në të dy anët në lartësi të tëmthave, me siguri lidheshin në nyje pas.
Nga dora ka mbetur një pjesë e llërës e ngritur lart së bashku me pëllëmbën e detajizuar me gishta, me të cilën mbante amforën mbi kokë, që i përgjigjet natyrës së kësaj hyjneshe lidhur ngushtë me ujin . Punimi në tërësi është mjaft kualitativ, pos pëllëmbës e cila është predimensionale.
Figura e nimfës në Kosovë dhe në të gjithë Dardaninë është mjaft e rrallë. Deri më tash është ditur se të vetmin rast e kemi të pranishëm në një altar të fragmentuar votiv nga Runjeva te Kaçaniku, i cili u kushtohet nimfave, ku është skalitur një nimfë me amforë në supin e majtë. Mirëpo vështirë është të thuhet se në këtë pllakë ka qenë e skalitur vetëm një nimfë, meqë zakonisht në pllaka paraqiten tri sish. Sidomos, duke u bazuar në pllakën nga Heracleia Lyncestis (Manastiri), të gjysmës së dytë të shekullit II, me paraqitje të tri nimfave në këmbë me amfora, nga të cilat e mesmja e mban në njërin sup, kurse të dy anësoret po ashtu në kokë duke e mbajtur me njërën dorë , me të cilin detaj ekzemplari ynë ikonografikisht është më i afërmi, mund të konstatojmë se edhe në rastin tonë duhet të kenë qënë të paraqitura tri nimfa, pa dyshim të veshura njëjtë, në kitone të gjatë dyfish të ngjeshur për brezi. Ekzemplari ynë edhe kohërisht i përgjigjet kësaj pllake, meqë hyjnesha mban frizurën e cila ka të bëjë me atë të perandoreshave romake të gjysmës së dytë të shekullit II .
Mirëpo, sa i takon vendpunimit, kualiteti i lartë i punimit të kësaj mbetjeje të pllakës sonë, për dallim nga ekzemplari i Heraklesë të punuar në stilin e fortë provincial, tregon se më parë kemi të bëjmë me një vepër të importuar nga një qendër e njohur zanati. Prania e kësaj pllake relivore së bashku me altarin plastiko-epigrafik dhe tri përkushtime tjera epigrafike të këtyre hyjneshave, po ashtu nga territori i Ulpianës , dëshmojnë nderimin e tyre edhe në trevën dardane, ashtu si në trevat e tjera ilire, ku sidomos nga brendia e provincës së Dalmacisë kemi më shumë shembuj pllakash relievore me tri nimfa , sikundër edhe në provincat e tjera romake, ku, një numër i madh pllakash me këtë triadë vjen nga Trakia , të cilat së bashku me ato të Maqedonisë janë trajtuar nën ndikimin e Greqisë .
Përndryshe kulti i tyre ndër shumë popuj indoevropianë, në mesin e të cilëve edhe tek ilirët, është me prejardhje epikorike (vendase), dhe, edhe ato vet janë epikorike, e që janë identifikuar me ato greke, përkatësisht italike .
Mu për këtë arsye edhe në të gjithë Perandorinë Romake janë të pranishme shumë monumente kushtuar këtyre hyjneshave . Në fund do thënë se ky realizim skulpturor paraqet ekze¬m¬¬plar mjaft të vlefshëm në gjininë e relievit të punuar në gur gjatë antikitetit jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë Dardaninë.
Njëherësh me mermermerin kualitativ me prejardhje të huaj, provienca e të cilit më parë duhet të jetë greke, si dhe kualitetin e punimit, ashtu si edhe ekzemplarët tjerë punuar në këtë lloj mermeri, flet për lidhjet tregtare të Kosovës së sotme me qendrat e njohura të skulpturës në Greqi.
Prandaj, së bashku me ekzemplarët tjerë të këtij niveli artistik përbëjnë një thesar shumë të çmueshëm të koleksionit arkeologjik të antikitetit pranë muzeut të Kosovës.
Literatura
RedaktoExhlale Dobruna-Salihu “Pesë monumente skulpturore të pabotuara nga koleksioni arkeologjik i antikitetit në Muzeun e Kosovës”, Gjurmime Albanologjike 38/2008, Prishtinë 2009, ff. 296-322. |