Francesk Anton Santori (1819-1894) ishte poet e dramaturg arbëresh. Ishte nga Shën Katerina e Kozencës. Studioi teologji dhe pjesën më të madhe të jetës e kaloi në manastir, prej nga u largua vitet e fundit. Që herët nisi të mbledhë këngë popullore arbëreshe e të krijojë edhe vetë në gjini e lloje të ndryshme. Francesk A. Santori lëvroi lirikën, poemën, novelën në vargje, romanin, dramën, tragjedinë, satirën e fabulën. Ai shkroi shumë, por arriti të botojë pak. Ndër botime e tij janë: përmbledhja me lirika “Këngëtorja arbëreshe”, poemat “Valle e haresë së madhe” dhe “I burgosuri politik”. Është autor edhe i disa krijimeve satirike. Francesk A. Santori u interesua edhe për folklorin, i dha 20 këngë arbëreshe J. De Radës, la të pabotuara një përmbledhje këngësh popullore dhe 100 fabula të përkthyera nga Ezopi.