Francis Bacon (1561 - 1626) ishte filozof, jurist dhe orator i shquar anglez.

Francis Bacon

Biografia

Redakto

Francis Bacon, 1st Viscount Saint Alban (shqipërimi: Frensis Bekoni), u lind më 22 janar 1561Londër. Babai i tij, Nikolas Bekoni, kishte postin e rojës së vulave, një prej detyrave më të larta të mbretërisë nën Elizabetën I. Pas kryerjes së studimeve me rezultate të shkëlqyera në Kembrixh, Frensis Bekoni kaloi dv vjet në Paris si atashe në ambasadën e Anglisë. Me t'u kthyer në Londër, filloi karrierën e juristit. Avokat duke filluar nga viti 1579, ai hyri në Parlament në moshën njëzetetrevjeçare. Karriera e tij politike u zhvillua nën mbretërimin e Xhorxhit I: avokat i Kurorës më 1604, roje i vulave më 1617, Kancelar i Madh më 1618 dhe në të njëjtën kohë u bë baroni Verulam, pastaj vikonti i Shën Albanit më 1621. Ndërkaq, po atë vit, u dënua për shkelje të detyrës dhe u burgos. I liruar në krye të disa ditëve, humbi të gjitha detyrat dhe titujt. I mërguar në pronën e tij, ua kushtoi vitet e fundit të jetës veprave të tij filozofike dhe kërkimeve në shkencat e natyrës. Frensis Bekoni vdiq më 9 prill 1626 në Highgate, pranë Londrës. Më 1597 u botuan dhjetë nga Sprovat e tij të famshme, që i plotësoi pesëmbëdhjetë vjet më vonë, duke paraqitur një botim të ri të ripunuar, i cili përmbante njëzet e nëntë sprova. Pak para vdekjes, i bëri rregullime të tjera kësaj përmbledhjeje, duke e shtuar edhe më shumë. Botimi i fundit doli më 1625 me titullin Sprova apo këshilla praktike dhe morale. Vepra e tij kryesore.. Restaurimi i madh i sundimit njerëzor mbi natyrën, ishte një enciklopedi e shkencave, që duhej të përbëhej nga gjashtë vëllime. Bekoni përfundoi vetëm dv prej tyre: Për dinjitetin dke zhvillimin e shkeneave, të botuar në anglisht më 1605, pastaj në latinisht më 1623, dhe Organoni i ri 1620. Romani i tij utopik, Atlantida e re, filluar ndoshta rreth vitit 1621 dhe i përcaktuar për të qenë një aneks i Restaurimit të madh, mbeti i papërfunduar. Krahas veprës Utopia (1516) të Tomas Morit dhe Qyteti i diellit (1623) të Tomaso Kampanelës, Atlantida e re është një nga shkrimet utopike më të njohura të shekujve XVI dhe XVII. Ky roman, fillimisht i ngjizur si projekt për një shtet ideal, materializon bindjen e brendshme të Bekonit: shkenca e natyrës, e nxjerrë si përfundim logjik i eksperimentimit, është kusht i domosdoshëm për lumturinë e njerëzimit."Njeriu... vepron dhe di në vartësi të asaj që vëzhgon nga rregulli i natyrës, materialisht apo shpirtërisht; ai nuk di dhe nuk dëshiron më shumë." Të tilla janë fjalët e para tek Aforizma mbi interpretimin e natyrës dhe të sundimit të njeriut të Frensis Bekonit (Francis Bacon). Kur njeriu do që "të veprojë" dhe t'ia arrijë qëllimit të diçkaje, duhet që në fillim të vërejë natyrën dhe këtë ta bëjë me arsye. Ai nuk mund të ndërmarrë asgjë kundër natyrës dhe arrin në sundimin e saj vetëm kur njeh ligjet e brendshme. Për këtë, ashtu si punon në përsosjen e veglave mekanike, duhet të fabrikojë një vegël intelektuale të zotërimit dhe duke e bashkuar vëzhgimin me arsyen rregullatore, domethënë duke vënë në rregull në mënyrë të mjaftueshme të dhënat empirike, njeriu do të mundet të nxjerrë si përfundim logjik ligje, sidomos po të kryejë eksperimentime të sakta, të afta për të pohuar apo përgënjeshtruar vëzhgimet e veta. Me t'u vendosur një ligj i këtij Iloji, udha e "përfundimit logjik" do të bëjë të mundur shumë zbatime të dobishme. Aforizmat janë një tërësi frazash të mprehta, që vendosen mbi themele të arsyeshme të një shkence të dobishme për njeriun, që çojnë te Novum Organum, pjesë e Instauratio magna (Restaurimi i madh), që Bekoni i ka dhënë fund. Organum- i i vjetër ishte fizika dhe metafizika e Aristotelit, që Novum-i duhet ta zëvendësojë në kuadër të një "përtëritjeje" të plotë të shkencës. Aristotelianët, siç shkruan Bekoni, punojnë si merimanga që thur një rrjetë të mrekullueshme shumëkëndëshe, por duke e nxjerrë nga vetë trupi i saj, pa lindur diçka me të vërtetë të re. Empiristët e ngurtë nuk sjellin asgjë më tepër: ashtu si milingonat, ata grumbullojnë një pirg të madh materialesh, por nuk dinë t'i vënë në rregull. Shkencëtarët e së ardhmes do të sillen si bletët, që i shpërndajnë ushqimet nëpër qeliza të ndërtuara që më përpara dhe me imtësinë më të madhe. Edhe tani, arsyeton Bekoni, nuk dimë më shumë se shkencëtarët e Antikitetit, me mendimet e të cilëve bashkohet ende shumica e dijetarëve, kur ata nuk shpikën as shtypshkronjën, as barutin, as busullën. Në romanin e tij Nova Atlantis (Atlantida e re), Bekoni sjell mrekullitë e një qytetërimi tekniko-shkencor që do të vijë, një shtet ku qytetarët do të jetonin të lumtur dhe të kënaqur, falë zhvillimeve të nxitura nga industria dhe nga bujqësia e mbështetur te shkenca, së bashku me makinat me avull, makinat fluturuese dhe telefonin. Guximi me të cilin Bekoni fshin gjithë shkencën e mëparshme në epokën e tij, përputhet në fakt me atmosferën e përgjithshme të zgjimit në shkencë, teknikë, arte, letërsi dhe filozofi, që kishte përfshirë mbarë Europën në fund të Rilindjes dhe që gjeti në Anglinë e Elizabetës I - në Anglinë e Shekspirit - një truall veçanërisht të begatë. Kuptimi dhe synimet e mendimit shkencor kishin ndryshuar rrënjësisht që në fund të Mesjetës: nuk bëhej më fjalë për të themeluar dhe pohuar pozicionin e njeriut në kozmosin e krijuar nga Zoti, me qëllim që gjithçka të mbetej në rregull. Brezi i ri i teoricienëve dhe prakticienëve kishin më shumë për detyrë të arrinin qëllimet që njerëzit i kishin fiksuar nëpërmjet shkencës dhe të përdornin mendimin shkencor si mjet për të arritur një jetë të lumtur. Nikola Makiaveli kishte qenë i pari që shprehu këtë racionalitet të ri praktik, por vetëm në fushën e mendimit politik. Dituria është pushtet, ajo e shton, sa më shumë që është e mundur, lumturinë tokësore. Pragmatizmi i një mendimi të tillë bën që çështjet e vjetra themelore të filozofisë të duken të kota, ashtu si konceptet e përgjithshme të realitetit dhe të jorealitetit: e vërteta dhe realja të çojnë te dobishmëria e shkencës. "The proof of the pudding is in the eating" - kjo e vërtetë proverbiale e pragmatizmit anglosakson flet vetë. Bekoni ishte rrënjësisht skeptik sa i takon asaj që shtirej si e vërtetë, por që nuk ndihmonte në zgjidhjen e çështjeve praktike; ai quante "idole" ato që sot i cilësojmë "gënjeshtra ideologjike". Megjithatë Bekonit i duhej të hapte sytë mirë, që të mos ngacmonte Kishën dhe shtetin me idetë e tij të guximshme dhe novatore, që synonin lumturinë tokësore të individit: një teprim i risisë te mendimi mund të qe vdekësor. Në Itali, filozofi dhe shkencëtari Xhordano Bruno (1548-1600), u torturua mizorisht dhe u dogj i gjallë nga Inkuizicioni, sepse kishte arritur në një përfundim logjik nga zbulimi i Nikola Kopernikut - Toka nuk është qendra e sistemit diellor - se kishte, sigurisht, një pafundësi sistemesh të tjera diellore pa një pikë të fiksuar qendrore; një Univers i pafund, ku nuk kishte vend për një Zot krijues. Galileu, bashkëkohësi i madh i Bekonit, u arrestua nga Inkuizicioni i Papës sepse mbronte teorinë e Kopernikut dhe u shtrëngua të hiqte dorë nga tezat e tij. Mbrojtësi i madh i Bekonit, Robert Deverë, kont i Eseksit, një kohë favorit i mbretëreshës, u dënua dhe u ekzekutua po ashtu për herezi - këtë herë politike: ai u kishte dhënë shumë përparësi interesave vetjake. Me qëllim që të shpëtonte kokën dhe pozitën e tij në Oborr, Bekoni u shtrëngua të bashkëpunonte vetë në akuzën kundër mikut dhe mbrojtësit të tij. Po ashtu ai e ruajti veten që të mos ngatërrohej në çështjet e Kishës apo të vinte në dyshim të vërtetën që zbulonte feja; veç të tjerash, ai hodhi poshtë teorinë e Kopernikut. Ai thoshte se adhurimi ishte edhe më i keq se mungesa e besimit. Në Oborrin e Xhorxhit I, Bekoni u ngrit në postin e Kancelarit të Madh dhe u emërua baroni Verulam. Por me gjithë urtësinë e tij politike, nuk mundi t'i pengonte armiqtë ta akuzonin - pa dyshim me ndonjë arsye - si njeri të shitur dhe si shpërdorues i besimit. Pas dënimit, u fal nga mbreti, por u detyrua të tërhiqej në tokat e tij, ku kaloi vitet e fundit të jetës duke vazhduar redaktimin e Sprovë e moralit dhe politikës, vepër tepër e lexuar. Ai vdiq më 1626, viktimë e pasionit të tij për shkencat natyrore: ftohja që pësoi gjatë eksperimenteve për ruajtjen e ushqimeve, qe fatale për të. Veprat kryesore: Novum organum scientiarum, (1620); De dignitate et augmentis scientiarum (1623); Essay, (1597 dhe 1625); Sylva sylvarum (posth. 1627); Advancement of Learning (1605); New Atmantis, (1624).

Kureshti nga jeta e filozofit

Redakto
 
Bacon, Sylva sylvarum
  • Bekoni hyn në radhën e mendimtarëve më të ndritur dhe më të guximshëm të shekullit XVI e XVII në përgjithësi. Duke krijuar bazat «për reformimin e shkencës» në mënyrë të plotë antiskolastike, Bekoni u përpoq nëpërmjet metodës induktive, deriatëherë të papërfillur ta vinte tërë diturinë njerëzore në themele të reja. Njëkohësisht konsideronte se çdo «ndërmarrje intelektuale përfundon me aksion», kështu që çdo njohje edhe quhet me të drejtë «fillim i aksionit». Ndërkaq, edhe ata njerëz që u përpoqën t'i themelonin pavarësisht dituritë, nuk kishin guxim të ndahen nga ato që ishin përvetësuar më parë, por kënaqeshin me atë që në të ekzituaren të «futnin dhe të shtonin» diçka me kujdes. «Nuk ekziston askush» - ankohet Bekoni në parathënien e «Organonit të ri» - «që do të përqendrohej si duhet tek sendet dhe përvojat». Sepse, as vetëm me guxim nuk mund të arrihet shumë në qoftë së kjo bëhet vetëm «me zhurmë të zakonshme për të përmbysur të përparshmen». Godina e këtij universumi ende gjithnjë po i duket arsyes njerëzore si labirint, kurse mendimi dhe përvoja akoma nuk kanë gjetur një raport të harmonizuar, dhe Bekoni konsideronte se në këtë drejtim me rezultatet e veprës së vet ka bërë një kthesë të qenësishme. Nga ideja grandioze e tij e Restaurimit të madh (Instauratio magna), është realizuar, ndërkaq, vetëm një pjesë e tij, Organoni i ri. Si kundërshtar radikal i meditimeve sterile skolastike që janë të privuara nga çfarëdo diturish reale, Bekoni konsideronte se njohje të vërteta janë vetëm ato që njëmend e zgjerojnë fuqinë e njerëzve dhe «u shërbejnë interesave njerëzore». Te këto njohje nuk arrijmë nëpërmjet kurrfarë logjike të silogjizmave: «Logjika e cila përdoret, shërben më shumë për forcimin dhe vërtetimin e iluzioneve që themelohen në nocionet e zakonshme sesa në hulumtimin e së vërtetës: andaj është më shumë e dëmshme sesa e dobishme» («Organoni i ri»).
  • Për të pasur njohje të vërteta, njerëzit para së gjithash duhet të çlirohen nga paragjykimet e ndryshme, thellësisht të rrënjosura dhe të përhapura. Ekzistojnë katër lloje të paragjykimeye të tilla, të nocineve të rreme (ose të i d o 1 e v e). Idola tribus (idolet e fisit) janë paragjykime karakteristike për njeriun si pjesëtar i llojit njerëzor, domethënë ekzistojnë në vetë natyrën njerëzore, në ndijimet e tij, madje edhe në atë botën magjike-mitologjike e cila krijohet në bazë të frikës, të parandjenjës së turbullt, të dëshirës dhe të fantazisë. Idola specus (idolet e shpellës) bazohen në cilësitë individuale konkrete, në shprehitë që topitin fuqinë burimore të mendimit, në edukimin e shtrembëruar që i rrëmben njeriut aftësinë për dallimin e fantazmes nga realiteti, për të gjykuar pavarësisht dhe pa iu nënshtruar autoriteteve dhe traditës. Idola fori (idolet e sheshit) janë paragjykime që lindin në bazë të gjuhës, sepse fjalët që krijohen në mënyrë stihike si mjet për t'u marrë vesh inteligjencat më të thjeshta, shpeshherë janë burim i konfuzioneve të gabueshme. Idola theatri (idolet e teatrit) krijohen me rastin e pranimit jokritik dhe dogmatik të të gjitha tezave të disa autoriteve filozofike, në realitet të filozofëve të rremë (të cilët, sipas Bekonit, janë si racionalistët ose sofistët ashtu edhe empiristët dhe filozofët nën ndikimin e religjionit dhe të paragjykimeve të tjera). Vetëm pasi të çlirohen nga të gjitha këto paragjykime, dhe nëse mbështeten në përvojen dhe hedhin poshtë diturinë e rreme, njerëzit mund të merren me njohje të vërtetë. Kjo njohje në esencë themelohet në studimin e fakteve të veçanta konkrete.
  • Në kundërshtim me aristotelizmin e atëhershëm dominues, që silogjizmin dhe deduksionin e konsideronte parime themelore të njohjes, Bekoni «armën e re» të vet (Novum organon) e bazon para së gjithash në induksion ose më saktësisht në «induksionin e vërtetë», si të vetmen metodë të sigurt të zbulimit të së vërtetës. «Unë ju dhashë armë - thotë Bekoni në Organonin e ri - kurse përmbajtja duhet të merret nga vetë sendet». Qëllimi themelor i induksionit është të zbulojë format që gjenden në themelin e të ashtuquajturave «cilësi të thjeshta» ose «të natyrës së thjeshtë». Sipas Bekonit, forma është ligj i brendshëm i të gjitha objekteve dhe fenomeneve, kështu që njohja e formës mundëson të menduarit aktiv dhe shndërrimin e trupit nga njëra formë në tjetrën. Një varg tabelash dhe konkluzionesh nga këto tabela (të ashtuquajturat tabela të instancave pozitive, tabela të instancave negative, tabela të shkallëve, tabela të instancave prerogative) mundësojnë njohjen e formave. Çdo studim i fenomenit, sipas tij, duhet të niset nga analiza e sendeve të veçanta, në mënyrë që vetëm pastaj të bëhen të përgjithshme dhe të kuptohet gjithë ligjshmëria.
  • Një nga përcaktimet e qenësishme dhe karakteristike të filozofisë së Bejkënit është edhe qëndrimi i tij kritik radikal lidhur me vëzhgimin teleologjik të natyrës, pra, të vëzhguarit nga pikëpamja e shkaqeve finale, i cili, sipas mendimit të Bekonit nuk është i dobishëm dhe nuk ka kurrfarë rëndësie.
  • Frensis Bekëoni paraqet në historinë e mendimit njerëzor përpjekjen e parë të themelt që të likuidojë plotësisht skolastikën mesjetare dhe metafizikën spekulative si dhe inaugurimin e guximshëm të epokës së diturive natyrore dhe të hulumtimit konkret eksperimental. Pavarësisht nga orientimi filozofik i tij i njëanshëm (i cili shprehet në mënyrë më plauzibile në refuzimin e plotë të deduksionit), nga një varg paragjykimesh shoqërore - politike, nga të metat dhe dobësitë njerëzore, merita e Bekonit është epokale: ai ishte luftëtar për reformën e diturive natyrore të vërteta dhe për krijimin e një metode të re. Me tezat e veta të guximshme materialiste-empirike, Bejkëni i kontribuoi më shumë se askush para tij çlirimit të mendimit njerëzor nga skemat dogmatike mesjetare dhe u dha orientim ecurive të reja drejt zbulimeve të papara natyrore-shkencore.

Lidhje të jashtme

Redakto
  Commons: Francis Bacon – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale