Frank Shkreli
Frank Shkreli ka qenë gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip nga viti 1974 deri në vitin 1984. Më pas po tek “Zëri i Amerikës”, zoti Shkreli ka qenë shef i seksionit shqip (1984-1985). Nga viti 1985 deri në vitin 1990 ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në divizionin europian të “Zërit të Amerikës”. Ju kujtojmë që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e Luftës së Ftohtë. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ka qenë zëvendës drejtor i Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, divizion ku përfshihej edhe Bashkimi Sovjetik që ndërkohë u shpërbë. Nga viti 1994 deri në vitin 2003, zoti Shkreli ka qenë drejtor i divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”, divizion nga i cili, përveç gjuhëve të ndryshme evropiane, varej, veç të tjerash edhe seksioni shqip i kësaj radioje. Frank Shkreli ishte pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në mars/prill të vitit 1991, me ç'rast u hap ambasada amerikane pas pothuaj 50-vjetësh dhe morën pjesë si vëzhgues në zgjedhjet e atij viti. Ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Pas daljes në pension nga detyra qeveritare, pas 30-vjetësh, z. Frank Shkreli shërben si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan një organizatë jo-qeveritare që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Uashington DC.