František Škroup (me emrin e plotë çek. František Jan Škroup, shq. Frantishek Jan Shkroup) lindi më 3 qershor në fshatin Osice, pranë qytetit Hradec Kralove dhe vdiq më 7 shkurt 1862 në Roterdam në Vendet e Ulëta (Holandë). Ishte kompozitor, muzikant dhe dirigjent çek.

Frantishek Shkroup u rrit në një familje muzikantësh. Babai i tij ishte kompozitori Dominik Josef Shkroup, i cili i mësoi të birit muzikën që nga fëmijëria. Në atë kohë Frantishek Shkroup ishte anëtar i korit të kishës në Loretë dhe në Kishën e Tin-it në Pragë. Shkollën e mesme e ndoqi në Hradec Kralove, ku kreu provimet e maturës me sukses në vitin 1819. Në të njëjtin vit u kthye në Pragë, ku filloi të studionte filozofi dhe më vonë edhe drejtësi. Studimet, megjithatë, nuk i mbaroi, sepse filloi t´i përkushtohej plotësisht muzikës. Ndërkohë, gjatë studimeve, kishte filluar të fitonte para si mësues i këndimit dhe i muzikës. Në vitin 1823 ishte një nga themeluesit e grupit të parë çek të operës, që pastaj veproi në teatrin “Stavovské divadlo”. Repertori i grupit përbëhej nga disa opera të huaja në gjuhën çeke, që ishin shumë të suksesshme te publiku i atëhershëm. Kjo u bë një shtysë për krijimtarinë e Shkroup-it për të kompozuar operën e parë çeke me titullin Dráteník (Kallajxhi).

Në teatrin “Stavovské divadlo” punoi tridhjetë vite, deri më 1857. Pas largimit nga teatri themeloi shkollën e tij të këndimit, ku mes viteve 1857 dhe 1859 punoi si mësues. Në vitin 1860 u bë drejtues i orkestrës në operën gjermane në Roterdam, ku edhe vdiq më 1862.

Gjatë karrierës së tij iu kushtua këngës si tenor dhe bariton, gjithashtu kompozimit e dirigjimit. Falë tij, në teatrin “Stavovské divadlo” u shfaqën shumë vepra të rëndësishme nga tërë Austro-Hungaria. Sot është i njohur veçanërisht falë melodisë që kompozoi për shfaqjen e Josef Kajetan Til-it me titullin Fidlovačka, e cila përfshin këngën Kde domov můj (Ku është shtëpia ime), himnin e sotëm të Republikës Çeke.