Franz Bopp
Franz Bopp (1791-1867) ishte nje gjuhetar gjerman dhe albanolog i njohur per studimet e tij ne fushen e gjuheve indoevropiane.
Jeta dhe vepra
Redakto1. Studimet dhe vepra e parë. 2. Metoda krahasimtare-historike. 3. Veprimtaria në Berlin: “Gramatika e krahasuar”, synimi i Bopp-it. 4. Veprat albanologjike (1843, 1854): analiza e numërorëve, e formave foljore (veta II dhe III njëjës; format përdore-vetvetore) dhe përemrave pronorë.
Franz Bopp lindi më 14 shtator 1791 në Majnc. Nën ndikimin e ideve të veprës "Über die Sprache und Weisheit der Indier" ("Mbi gjuhën dhe urtësinë e Indianëve") të gjuhëtarit Friedrich Schlegel (1808) i hyri studimit të sanskritishtes si gjuha e shenjtë e induizmit (feja e indianëve të lashtë). Në vitet 1812-1816 jetoi në Paris, ku studioi me zell disa gjuhë si greqishten e vjetër e të renë, latinishten, hebraishten, arabishten, persishten, sanskritishten, indishten etj. Me njohuritë që fitoi nga studimi i tyre hartoi dhe botoi studimin "Über das Conjugationssystem der Sanskritsprache in Vergleichung mit jenem der griechischen, lateinischen, persischen und germanischen Sprache" ("Mbi sistemin e zgjedhimit të sanskritishtes në krahasim me atë të greqishtes, latinishtes, persishtes e gjermanikishtes"), Frankfurt-mbi-Majn, 1816. Për herë të parë me këtë vepër u studiuan sistematikisht lidhjet gramatikore (në sistemin e zgjedhimit) ndërmjet gjuhëve indoevropiane. Kjo vepër i dha më pas famën e themeluesit të metodës krahasimtare-historike dhe të gjuhësisë indoeuropiane. F. Bopp-i tregoi në këtë vepër se afritë në sistemin e zgjedhimit të gjuhëve që kishte krahasuar, nuk mund të shpjegoheshin veçse me lidhjen gjenealogjike ndërmjet tyre, d.m.th. ato gjuhë kishin një burim të përbashkët. Edhe më parë ishin vënë re analogji leksikore ndërmjet gjuhëve indoevropiane, por ato pjesërisht mund të shpjegoheshin nëpërmjet huazimeve të fjalëve nga njëra gjuhë te tjetra ose si përkime të rastit, ndërsa analogjitë gramatikore nuk mund të shpjegohen veçse si pasojë e një burimi të përbashkët. Dy vjet më parë, më 1814, gjuhëtari danez Rasmus Christian Rask kishte hartuar studimin "Undersøgelse om det gamle Nordiske eller Islandske Sprogs Oprindelse" ("Kërkime mbi origjinën e gjuhëve të vjetra nordike ose islandeze"), por vepra e tij u botua më 1818 dhe nuk pati jehonën e veprës së F. Bopp-it, i cili njihet njëzëri si themeluesi kryesor i gjuhësisë krahasuese historike indoeuropiane. Pas një periudhe qëndrimi në Londër, ku u njoh me Wilhelm von Humboldt-in , atëherë ambasador i Prusisë në Angli, F. Bopp-i u vendos përfundimisht në Berlin, ku edhe me rekomandimin e Humboldt-it mori në Universitet katedrën e sanskritishtes dhe të glotologjisë. Ai u bë edhe anëtar i Akademisë së Arteve të Prusisë. Në Berlin hartoi veprën e tij madhore "Vergleichende Grammatik des Sanskrit, Zend , Griechischen, Lateinischen, Litauischen, Gotischen und Deutschen" ("Gramatika e krahasuar e sanskritishtes, zendishtes, greqishtes, latinishtes, lituanishtes, gotishtes dhe gjermanishtes"), që u botua në gjashtë pjesë në vitet 1833-1852. Më pas ai përfshiu në krahasimet e tij edhe gjuhët sllave, armenishten, gjuhët kelte dhe shqipen. Përveç këtyre studioi edhe disa gjuhë jashtë familjes indoeuropiane (polineziane, kaukaziane). Edhe F. Bopp-i mendonte se nëpërmjet krahasimeve të gjuhëve indoeuropiane do të arrinte të rindërtonte gjuhën e vjetër bazë; atëherë kujtohej se kjo gjuhë bazë ishte një fazë më e moçme e sanskritishtes. Në këtë kuptim gjuhëtari francez Antuan Mejé (Antoine Meillet, 1866-1936), ka shkruar se ashtu si K. Kolombi zbuloi Amerikën duke kërkuar të arrinte në Indi, edhe F. Bopp-i zbuloi gjuhësinë krahasimtare-historike duke kërkuar të rindërtonte gjuhën bazë indoeuropiane. Vdiq në Berlin më 23 tetor 1867.
Vepra Albanologjike
RedaktoF. Bopp studioi në rrafshin e gjuhësisë krahasuese indoeuropiane edhe gjuhën shqipe. Më 23 shkurt 1843 F. Bopp-i paraqiti në Akademinë e Berlinit referatin “Zahlwörter und Pronomina im Albanesischen” (“Numërorët dhe përemrat në gjuhën shqipe”), ku tregoi karakterin indoeuropian të tyre. Referati nuk është botuar dhe nuk është ruajtur. Për këtë referat njofton vetë F. Bopp-i në një letër të datës 6 qershor të atij viti, drejtuar mikut të vet Lorenz Diefenbach, të cilit i shkruan ndër të tjera: “Pott -i e ka përjashtuar këtë gjuhë nga fusha gjuhësore indoeuropiane. Për mua ajo qëndron kryekëput brenda saj.” Më 18 maj 1854 F. Bopp-i paraqiti në Akademinë e Berlinit studimin “Über das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen” (“Mbi gjuhën shqipe në lidhjet e afrisë së saj”), që u botua më 1855. Në këtë studim F. Bopp-i u bëri një analizë historike pak a shumë tërësore strukturës gramatikore dhe disa elementeve të leksikut të gjuhës shqipe. Ai zbuloi një varg elementesh të përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera indoeuropiane dhe vërtetoi në mënyrë përfundimtare se ajo bën pjesë në familjen gjuhësore indoeuropiane, ku zë një vend të veçantë si gjuhë më vete. Në këtë vepër ai shkruan ndër të tjera: "Në një punim të mëparshëm ende të pabotuar (të lexuar më 23 shkurt 1843) unë kam trajtuar numërorët dhe përemrat e shqipes dhe me anën e kërkimeve të mia të atëhershme arrita në bindjen se kjo gjuhë me siguri bën pjesë në familjen e gjuhëve indoeuropiane, por në elementet e saj themelore nuk ka ndonjë lidhje më të ngushtë, ose aq më pak, ndonjë lidhje birërie me asnjërën nga motrat e saj sanskrite të kontinentit tonë." (... und bin durch meine damaligen Untersuchung zu den Überzeugung geführt worden, daß die genannte Sprache zwar entschieden der indoeuropäische Familie angehört, aber in iren Grundbestandteilen mit keiner der übrigen Sanskritschwestern unseres Erdteils in einem engeren, oder gar nicht in einem Abstammungsverhältnisse steht.”) Në atë kohë, duke u nisur sidomos nga pozicioni gjeografik, mendohej se shqipja kishte lidhje afrie me greqishten, por F. Bopp-i konstatoi se në raportet fonetike e gramatikore, shqipja gjen një pikë referimi më të lehtë e më të natyrshme te sanskritishtja sesa te greqishtja. P.sh. numërori gjashtë (te ky numëror -të është një shtesë e mëvonshme, ashtu si edhe te shtatë, tetë, nëntë, dhjetë), është vështirë të shpjegohet nga greqishtja eks, por gjen një shpjegim më të kënaqshëm te sanskritishtja śąś; numërori nën-të shpjegohet më lehtë me rrënjën sanskrite navan sesa me greq. ennéa; fjala natë lidhet me sanskritishten naktam "natën" (si ndajfolje), me gjuhët gjermanike e me lituanishten naktis "natë", ndërsa greqishtja e ka nykt, latinishtja e gjuhët sllave e kanë me zanoren o në rrënjë: nokt, noç; po kështu shqip asht-i, jam afrohen shumë me sanskritisht asthan, asmi (me po atë kuptim). F. Bopp-i hulumtoi në mënyrë më të hollësishme sistemin foljor të shqipes, sidomos ato që njihen si folje të zgjedhimit në -mi, d.m.th. jam, kam, thom/them. Ndër të tjera te mbaresat -sh, -të në v. II dhe III njëjës të së tashmes së lidhores së këtyre foljeve (të je-sh, ke-sh, thua-sh; të je-të, ke-të, tho-të) F. Bopp-i pa ruajtjen e mbaresave të vjetra indoeuropiane -s, -t (krahaso dhe gjermanishten sag-st, sag-t etj.). Te format e aoristit sigmatik (e kryera e thjeshtë me mbaresën -shë në v. I njëjës) dhashë, pashë, rashë etj., F. Bopp-i dalloi relikte të aoristit sigmatik indoeuropian dhe i krahasoi ato me forma të ngjashme të sanskritishtes, greqishtes e sllavishtes së vjetër. F. Bopp-i pa me mprehtësi se ta alternimi t:s në format foljore, si vras - vret; mas, mat, matim/masim, matni/masni etj., format me t janë më të hershme, ndërsa format me s kanë dalë si pasojë e kthimit t>s në rrethana të caktuara fonetike. F. Bopp-i trajtoi edhe format e zgjedhimit pësor-vetvetor të shqipes. Ai zbuloi se pjesëza u (u laga, u lava, lag-u, lah-u) e ka burimin te forma e lashtë indoeuropiane *suom, *sue, e cila ka dhënë në gjuhën shqipe përemrin vetë (ku -të është një shtesë e mëvonshme); ky përemër në formën e hershme ve në pozicion pranë foljeve (para ose prapa) u kthye në pjesëzën e sotme u. F. Bopp-i u kushtoi vëmendje edhe një vargu fjalësh nga pjesë të tjera të ligjëratës, duke bërë analiza etimologjike të tyre, sidomos të numërorëve (shih më lart gjashtë, nëntë) e të përemrave. Ai pa me mprehtësi te përemri pronor im një fjalë të përbërë nga një dëftor (i) e nga një vetor i një rase të zhdrejtë (m), d.m.th. im = (a)i+m(ua); yt = (a)i/y +t(y). Vepra e F. Bopp-it qe një gur themeli në studimin e historisë së gjuhës shqipe. Një pjesë e përfundimeve të tij janë edhe sot të pranueshme nga studiuesit. Arritjet e tij më të mëdha qëndrojnë në krahasimet e strukturës gramatikore të gjuhëve dhe në analizat fjalëformuese.
Referime
RedaktoWilhelm von Humboldt (1767-1835) – filozof dhe gjuhëtar, burrë shteti, përfaqësues i shquar i idealit humanist në fushën e arsimit. Kështu është quajtur nganjëherë gjuha avesta – gjuhë iranike në të cilën janë shkruar tekstet e predikimeve të Zarathustrës (shek. VI-V para erës së re). Gotishtja – gjuhë gjermanike lindore e folur në lashtësi nga fiset gote, të zbritura në luginën e Vistulës (gjerm. Weichsel) nga pjesa jugore e gadishullit të Skandinavisë. Rreth vitit 270 u ndanë në Gotë të Lindjes (Ostgoten) dhe të Perëndimit (Westgoten). Dëshmia kryesore e shkruar është përkthimi i Biblës nga peshkopi Wulfila (311-383). August Frierdich Pott (1802-1887) – gjuhëtar gjerman, njihet si një nga themeluesit e gjuhësisë indoeuropiane, të gjuhësisë së përgjithshme, dhe të etimologjisë shkencore të mbështetur në ligjet fonetike. Lidhur me këtë në vitet ’20 të shekullit të kaluar, albanologu i njohur austriak Norbert Jokl ka shkruar: “... pavarësisht nga Bopp-i dhe dhe dhjetëra vjet para Bopp-it, një nga bashkëkohësit dhe bashkëstudiuesit më të famshëm të tij, danezi Rask, njohu karakterin e shqipes si gjuhë indoeuropiane. (Meritat e Rask-ut për studimin e shqipes i ka vënë në pah Holger Pedersen-i).” (Studime filologjike, 1967, nr. 3, f. 101-102).