Arsimimi në fshatin Fterra
- Artikulli kryesor: Fterra
Të përgjithshme
RedaktoFterra është fshat me tradita të shquara arsimore. Fillesat e arsimit në Fterrë datohen në shekuj. Shumë fteriotë të mërguar në kurbet në shekullin e 19-të, kryesisht në Perandorinë Turke, u arsimuan në shkolla të mesme e të larta të kohës. Isa Hizmo arriti deri në detyrën e dekanit të Drejtësisë në Universitetin e Stambollit, ndërsa Ali Xhama, Omer Korkuti e të tjerë, deri te Hivzi Bezhani, kanë kryer shkolla të ndryshme të larta e të mesme jashtë e brenda vendit, sidomos për fenë, drejtësinë e mësimdhënien.
Shqipja
RedaktoMësimi i gjuhës shqipe në Fterrë është fiksuar si i dokumentueshëm në vitet e fundit të shekullit të 19-të. E sigurt është se Abetaren e parë shqipe e solli në Fterrë Isa Hizmoja në vitin 1905, ndërsa në vitin 1910 Fetah Zani, i arsimuar në Janinë, krahas shkollës në gjuhën turke të çelur në xhami, u mësonte bashkëfshatarëve edhe gjuhën shqipe.
Shkolla
RedaktoMegjithatë, për shkak të ngjarjeve të rënda të Luftës së Parë Botërore, shkolla e parë në gjuhën shqipe u çel në Fterrë në tetor të vitit 1916, me rreth 20 nxënës. Mësuesi i parë qe Selim Gjonika, që kishte mbaruar Medresenë e Janinës e kreu dhe një kurs të veçantë për mësues.
Shkolla nisi të forcohej kur më 1922 filloi detyrën e mësuesit Neim Zani, që punoi një jetë të tërë për arsimimin e bijve të fshatit. Më 1925 u ndërtua shkollë e re dhe më 1926 në të u ulën 39 nxënës, midis tyre për herë të parë dhe 16 vajza.
Shkolla vazhdoi me ndërprerje edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku mësuesi Hiqmet Dusha, dëshmor i atdheut, krahas mësimit, i edukonte nxënësit me ndjenja të zjarrta atdhedashurie.
Pas Çlirimit shkolla njohu rritje sasiore e cilësore. Që më 1945 u çelën dhe kurset kundër analfabetizmit, ku mësuan shkrim e njehsim shumë gra të fshatit. Në maj të vitit 1956 çelet kopshti i fëmijëve parashkollorë. Më 1 mars 1961 Fterra dekorohet nga Kuvendi Popullor për merita të shquara në arsim me motivacionin: “Fshat nga gjiri i të cilit kanë dalë me dhjetëra mësues, që kanë kontribuar në zhvillimin e arsimit në krahina të ndryshme të vendit”. Mbas ndërtimit të shkollës së re me dy kate në vitin 1968, në vitin shkollor 1968-69 çelet në Fterrë klasa e pestë dhe merr udhë arsimi 8-vjeçar. Hapen njëra pas tjetrës klasat e tetëvjeçares, duke u rritur nga viti në vit numri i nxënësve dhe i mësuesve.
Sot
Ky numër ka ardhur duke rënë vitet e fundit, për shkak të emigracionit.
Fterriotet arsimdashës
RedaktoPara Çlirimit 20 fteriotë mbaruan shkollat e mesme të vendit, midis tyre 19 vazhduan ose mbaruan shkollën Normale të Elbasanit, që ishte “universiteti” i mësuesisë për kohën. Nga kjo shkollë dolën dhe Mësuesit e Popullit, bij të fshatit, Lame Xhama e Xhevdet Kofina.
Fteriotët kanë qenë dhe janë arsimdashës, kanë rrezatuar arsim e dituri në të gjitha krahinat e vendit. Vetëm shkollën për mësuesi e kanë mbaruar deri në vitin 2004 mbi 130 djem e vajza. Arsimin e lartë e kanë mbaruar mbi 300 fteriotë dhe të mesmen mbi 500. Nuk gjen asnjë degë të shkencës e të dijes ku fteriotët të mos kenë dhenë ndihmesën e tyre të vyer. Prej tyre numërohen 11 Profesore e Doktorë Shkencash, si dhe Mësues të Popullit e të Merituar, pedagogë, shkrimtarë, artistë, ushtarakë, inxhinierë e ekonomistë, mjekë, agronomë etj.
Dashuria për arsim e dituri përbën një nga tiparet më dalluese të fteriotit.