Gani Nikollari
Gani Nikollari, ishte mësuesi i parë i shkollës shqipe që u hap më 11.09.1944 në fshatin Senican, të rrethit të Përmetit. I lindur në vitin 1917 në gjirin e familjes patriote të Sulejman Nikollarit, ashtu si pasardhësit e tij, i etur për dije e kulturë kish kryer shkollën plotore në Këlcyrë.
Si mësuesi i parë i shkollës së Senicanit, Ganiu ju mësoi nxënësve të tij shkronjat e para. Krahas alfabetit dhe gjuhës së shkruar shqipe, Ganiu u mësonte edhe aspekte të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, ngjarje dhe figura të rëndësishme të saj, të krahinës dhe në shkallë kombëtare, u mësonte edukatën njerëzore. U mësonte nxënësve këngë patriotike e partizane, u fliste për sukseset e LANÇ, për rilindasit e patriotët e tjerë të Shqipërisë.
Ai mbante lidhje të ngushta dhe shkëmbente mendime me mësues të njohur si Samit Elezin, Sotir Andonin, Halil Selenicën, Bajram Zoton, Islam Gremin, Sami Cafkën, Sami Cuci, etj, që shërbenin në atë krahinë. Ganiu, shumë shpejt fitoi dashurinë dhe respektin e bashkëfshtarëve. Në vitin 1947 me iniciativën e Ganiut dhe kontributin e fshatarëve u ngrit godina e re e shkollës, ku Ganiu vazhdoi të shërbente si mësues i saj, dhe sekretar i këshillit popullor të fshatit, detyrë në të cilën u zgjodh për shumë vjet, dhe ai e kreu me nder e dinjitet deri në vitin 1960, kur ai familjarisht, u vendos në Fermën e Piskovës me detyre llogaritar. Ai ishte Veteran i LANÇ dhe u shqua si aktivist i palodhur shoqëror deri në fund të jetës së tij.