Gaqo Çollaku
Gaqo Thanas Çollaku u lind në një familje shumë të njohur atdhetare. Që fare i ri u përfshi aktivisht në LANÇ. Ai është pjesëmarrës që në Demonstratën masive të 8 nëntorit të vitit 1941. Pjesëtar i Çetës dhe i Batalionit “Hakmarrja”, kuadër në Brigadën IV Sulmuese, anëtar i seksionit politik të Divizionit dhe përgjegjës i Rinisë së kësaj njësie të madhe. Diku do të plagosej, por nuk do t’iu ndahej shokëve, duke e vazhduar detyrën e tij deri në fund. Mbas çlirimit do të kryente detyra të rëndësishme në radhët e Ushtrisë Popullore, deri komisar Korpusi, ndërsa më pas do të ngarkohej me detyrën e Ambasadorit Fuqiplotë në Korenë e Veriut. Edhe mbas daljes në pension e vazhdoi veprimtarinë e tij si veprimtar shoqëror. Ai do të zgjidhej anëtar i kryesisë së komitetit të veteranëve të LANÇ të rrethit të Tiranës, si dhe anëtar i Komitetit Kombëtar. Iu dha titulli i lartë: Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ.