Gjave
Gjave është dramë e shkruar nga Sami Frashëri. Drama njihet edhe me emrin Farkëtari Gave. Konsiderohet si drama e rinisë së Sami Frashërit e botuar në Stamboll më 8 janar 1876. Kur flitet për dramaturgjinë e rilindasit, është Besa ajo që përmendet më shumë. Besa u vu në skenën e teatrit perandorak në Stamboll në vitin 1874, një vit para botimit. Kësaj drame i njihen disa përkthime në shqip dhe një variant tjetër anglisht. Janë tre drama gjithsej që i njihen Sami Frashërit. Por tek “Gjave” për të cilën ai vetë do shprehej se deri-diku mund të quhet një dramë kombëtare, jo në kontekstin shqiptar, por në atë turk. Njihen prirjet e tij drejt mitologjisë botërore dhe asaj shqiptare në veçanti, prirje e natyrshme kjo për një rilindas që rëndësi të madhe i kushtoi kërkimit të rrënjëve në një kohë kur nocioni komb për ballkanasit po niste të ngjizej. Xhevat Lloshi, redaktori i veprës shqip në 20 vëllime të Sami Frashërit pohon se “Gjave”, dramë në pesë akte e merr temën nga “Shah-Nameja” ose i njohur si Libri i Mbretërve i poetit të madh persian Firdesiu, i cili jetoi në shekullin X. “Sami Frashëri në këtë dramë hedh poshtë një kult paramonoteist siç është kulti i gjarpërinjve. Nuk kemi të bëjmë veçse me kthimin në dramë të disa pjesëve nga Shah-Nameja”,- thotë profesor Lloshi, meqenëse edhe vetë autori pretendonte se ky ishte interpretim i një kulti të vjetër në disa popuj, kult për të cilin kishin ngritur tempujt e kësaj mënyre të besimit. Në qendër të dramës është Farkëtari Gave i cili lufton kundër këtij kulti.
Këtë dramë të Sami Frashërit të panjohur në botën shqiptare gjithmonë studiuesit e kanë përmendur sa herë flitej për “Librin e Mbretërve” dhe botën iraniane në veprën e Sami Frashërit. Në 100-vjetorin e vdekjes së tij, prof.dr Gazmend Shpuza, botoi veprën ku e trajton këtë figurë jo në atë të atdhetarit, por të studiuesit dhe hulumtuesit skrupuloz mbi kulturën orientale. Sami Frashëri i ishte vënë punës për të përkthyer dhe studiuar veprën e madhe epope “Shah – Name-ja” dhe arriti të përgatisë “Ajkën e Shah-Name-së”, një përmbledhje të pjesëve më të mira të veprës, të cilën e përktheu edhe në gjuhën turke. Me këtë synonte t’ua ofronte këtë kryevepër poetike të thjeshtëzuar e të shkurtuar, të gjithë njerëzve. Ndodhi pikërisht gjatë kësaj kohe, kur ishte rreth 24-vjeçar që të shkruante dramat “Suhrab” më 1875 dhe “Gjave”. Mbi këtë njohje të thellë të kulturës së vjetër perse dhe kultivimit të motiveve nga kjo botë në disa vepra, Sami Frashëri do të bënte studime mbi ngjashmëritë dhe lidhjet mes gjuhës shqipe dhe asaj perse. Sipas profesor Xhevat Lloshi, nga të dhënat që dalin nga bibliografitë e veprës së Sami Frashërit, mësohet se ai ka shkruar dramën “Tetari plak” për të cilën thuhet se në 1874 është vënë në skenë dhe një dramë tjetër “Dhuna e Andaluzisë”, për të cilën nuk ka të dhëna.
Të pabotuar kemi prej tij në dorëshkrim dramën “Ndërgjegjja”.
Veprat dramaturgjike të Sami Frashërit i përkasin moshës së rinisë, para se të hidhej në gazetari e publicistikë si redaktor dhe kryeredaktor në gazetat “Mëngjezi” 1876, “Java”, etj. Ishte kjo fazë kapërcyell për dijetarin e ardhshëm, shkencëtarin, linguistin, sociologun, ideologun e lëvizjes kombëtare shqiptare, njeriu që kontribuoi shumë për gjuhën, alfabetin dhe shkollën shqipe.
E përkthyer për herë të parë shqip, "Gjave" nuk i kalon 100 faqet, ndodhet në tryezën e punës të drejtorit të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Drama në fjalë, “Farkëtari Gjave” është shqipëruar nga origjinali turqisht, pas 130 vitesh, nga Raif Morina nën konsulencën për turqishten e vjetër të prof. Irfan Morina.
Këtë vepër e ka tashmë në dorë edhe dramaturgu e regjisori Mihal Luarasi. Ndoshta mendohet që një ditë të vihet në skenë.