Gjinkallat këshilltare
Gjinkallat këshilltare Gjinia: Komedi. Autori: Elian Gjini. Shtëpia botuese: "FLESH". Viti i botimit 2012. Faqet e librit 119. ISBN 978-9928-131-13-3
Koment për librin nga autori
Gjinkallat Këshilltare është një komedi filozofike në të cilën, me anë të zërit të 4 personazheve kryesore, trajtohen tema të rëndësishme të zhvilimit ekonomik dhe të tranzicionit shoqëror shqiptar gjatë këtyre dekadave. Një nga problemet që Shqipëria u ndesh, dhe vazhdon të ndeshet, është problemi i ikjes në masë (gjithashtu i ikjes së trurit), dhe konsekuencat e këtij fenomeni për politikat e zhvillimit ekonomik e shoqëror të Shqipërisë. Cili është qëndrimi i shoqërisë në përgjithësi, dhe politikave shtetërore në veçanti, ndaj këtyre dhe shumë problemeve të tjera? Ndërsa shumë tema kontroversale diskutohen në këtë libër, një fill mendimi që i lidh bashkë të gjitha idetë është irracionaliteti shoqëror shqiptar.
Mungesa e "zërit" të përbashkët vazhdon të jetë e dukshme në Shqipëri dhe shqiptarët përsëri duken të shkëputur nga debatet botërore qofshin këto ekonomike, shkencore apo ideologjiko-politike. Ky trend vazhdon edhe pse një pjesë e madhe e tyre ndodhen jashtë trojeve shqiptare; edhe pse informacioni është më i disponueshëm; edhe pse çfarë ndodh në anën tjetër të globit ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi apo financë dhe rrjedhimisht në jetën e tyre të përditshme.