Gjiri i Panormës
Gjiri i Panormës (Gjiri i Palermos) është gji deti në bregun shqiptar të Jonit, gjiri më i madh i krejt Rivierës Shqiptare.
Shtrihet në juglindje të Himarës, midis gadishullit të Panormës në juglindje dhe gadishullit të Kavadonit në veriperëndim. Ka prejardhje tektonike, gjë që vihet në dukje nga brigjet shumë të thepisura, me gremina që bien 50-70 m nga thellësia e madhe e detit. Gjiri i Panormës është njohur dhe përshkruar nga autorët antikë dhe me po këtë emër është shënuar edhe në hartat e vjetra. Ali Pashë Tepelena, në gadishullin e vogël që futet në gji kishte ngritur një kështjellë, që është ruajtur mirë edhe sot, e cila kontrollonte rrugët detare për Jonin jugor.