Gruemira
Gruemira (njësia administrative Gruemirë) është komunë e bashkisë Malësi e Madhe në qarkun e Shkodrës.
Pozita gjeografike
RedaktoKomuna Gruemirë kufizohet në veri me komunën e Koplikut dhe komunën e Shkrel, në lindje me komunën Pult, në jug me komunën Rrethina dhe në perëndim me liqenin e Shkodrës. Përfshin 15 fshatra nën administrim.
Veçoritë natyrore
Ka reliev kryesisht fushor, ku shtrihet edhe fusha Gruemirë-Grizhë (pjesë e fushës së Mbishkodrës). Përveç fushave, janë prezente edhe kodrat dhe vargmalet, ku maja më e lartë është mali i Maranajt (1576m).
Klima
Është tipike mesdhetare (verë e nxehtë dhe e thatë, dimër i butë dhe i lagësht) dhe reshjet e shiut shkojnë deri në 500 mm.
Hidrografia
Njësia administrative Gruemirë laget nga Liqeni i Shkodrës dhe vija e Vrakës, e cila derdhet në liqenin e Shkodrës.
Popullsia
RedaktoGruemira ka një popullsi prej 8890 banorësh (2011) me një dendësi prej 78 b/km². Territori përfshin 113.7 km².
Besimi është në dominancë musliman, por ka në numër të madh edhe katolikë, po ashtu edhe pakica ortodokse (kryesisht në Boriç i Vogël - Boriç i Madh).
Pakicat etnike në zonën administrative Gruemirë, i gjejmë kryesisht në fshatrat Boriç i Madh dhe Boriç i Vogël, të mbetur në Shqipëri, pas mbylljes së kufinjve shqiptar me Malin e Zi dhe Serbinë.
Migrimet dhe emigrimet kanë qenë të shumta dhe kanë ndikuar ndjeshëm në rënien e popullsisë së kësaj zone. Vendet që janë preferuar më shumë për migrim janë: Shkodra dhe Tirana, kurse për emigrim, janë: Anglia, Gjermania dhe Italia. Kohët e fundit është rritur preferenca për emigrim drejt Francës.
Ekonomia
RedaktoProdhimet kryesore sigurohen nga bujqësia dhe blegtoria, por një vend të rëndësishëm zenë edhe pyjtaria dhe bletaria. Në këtë zonë, duke qenë se klima është kryesisht mesdhetare, kultivohet bima e duhanit, sherebelës, levandës, makthit etj. Po ashtu kemi vreshtari dhe pemishte, drithëra, perime. Tek blegtoria përfshihet kryesisht mbajtja e bagëtive të trasha dhe më pak ato të imëta. Gjithashtu është i zhvilluar edhe peshkimi.