Guri i Rozetës
Guri i Rosetës – çelësi për të deshifruar mbishkrimet egjiptiane
Guri i Rozetës është një gur i rrafshët granodioriti me mbishkrim, i gjetur në 1799, i mbishkruar me tre përkthime të një dekreti lëshuar në Memfis, Egjipt në vitin 196 pr.e.s gjatë dinastisë ptolemeike në emër të mbretit Ptolemeu V. Tekstet në fillim dhe në mes janë në gjuhën e lashtë egjiptiane duke përdorur, përkatësisht, shkrimin me hieroglife dhe atë popullor (demotik), ndërsa teksti poshtë është në gjuhën e lashtë greke. Meqënëse dekreti ka vetëm ndryshime të vogla midis tre versioneve (përkthimeve), Guri i Rozetës rezultoi të ishte çelësi për të deshifruar hieroglifet egjiptiane.[1]
Guri, i skalitur në granodiorit të zi gjatë periudhës helenistike, fillimisht mendohet të ketë qënë ekspozuar brenda një tempulli, mundësisht pranë qytetit Sais. Ndoshta ishte lëvizur gjatë periudhës së hershme kristiane apo asaj mesjetare, dhe ishte përdorur përfundimisht si material ndërtimi në ndërtimin e Fort Julien-it pranë qytetit të Rashidit (Rozetës) në Deltën e Nilit. Ky gur u rizbulua aty në korrik të vitit 1799 nga një ushtar francez gjatë ekspeditës napoleonike ushtarake në Egjipt. Ishte teksti i parë dygjuhësor i lashtë egjiptian i rigjetur në kohët moderne, dhe ka shkaktuar interes të gjerë publik me potencialin për të deshifruar gjuhën e papërkthyer më parë të hieroglifeve. Kopje litografike dhe suvaje nisën të qarkullonin në muzeumet dhe te studiuesit europianë. Ndërkohë, trupat britanike mundën francezët në Egjipt në 1801, dhe guri origjinal u zotërua nga britanikët ku sot ndodhet në Londër i ekspozuar për publikun brenda një muzeumi,që prej vitit 1802, dhe është një nga objektet më të vizituara aty.[2]
Studimi i dekretit nisi tashmë të zbatohej kur përkthimi i parë i plotë i tekstit grek u shfaq në 1803. Mirëpo, u deshën 20 vjet para se përkthimi i shkrimeve egjiptiane të prezantohej nga Jean-François Champollion në Paris në 1822; u desh një kohë e gjatë para se studiuesit të ishin në gjendje të lexonin mbishkrime dhe literaturë të hershme egjiptiane në mënyrë të sigurtë.
Dy kopje të tjera të të njëjtit dekret u zbuluan më vonë, si dhe shumë mbishkrime të ngjashme dygjuhësh apo tregjuhësh të njohura tashmë. Pra, Guri i Rozetës nuk është më unik, por ishte çelësi kryesor për të kuptuar sot literaturën dhe qytetërimin e lashtë egjiptian.
Referime
- ^ "Rosetta Stone". wikipedia britanike (në anglisht).
- ^ "Guri i Rozetës".