Guri i Topit
Guri i Topit është mal në kufi midis rrethit të Gramshit e atij të Pogradecit me lartësi 2120 m. Në jug kufizohet me Valamarën, kurse në veriperëndim me Gurin e Zi. Ka një kreshtë të valëzuar me forma të relievit akullnajor (mbi 1600-1700 m), të përfaqësuar nga lugje, cirqe, morena dhe liqene akullnajore. Në shpatin perëndimor burojnë disa degë të Devollit, kurse në atë lindor degë të Shkumbinit. Bimësia përbëhet kryesisht nga pyje ahu, pishe dhe kullota alpine.