Gurra e Domgjonit
Gurra e Domgjonit ujësjellësi i lashtë karakteristik, ka një origjinalitet të pa krahasuar me tunele hepuese të nëndheshme. Sot ruhen një pjesë e atyre nëntokësore, si dhe pusi i kontrollit. Tuneli është hapur në galeri horizontale, veshur me mure anësore, kurse nga sipër mbuluar me qemer. Gjerësia e tunelit është rreth 1 m, kurse lartësia lëviz nga 80 cm deri në 1,3 m, përmasa që lejonin kalimin e njeriut me trup përkulur. Rreth 100 m nga dalja e tunelit nëntokësor (nëpër të cilin rrjedh vrullshëm uji i ftohtë e i kthjellët), është ndërtuar pusi i kontrollit, që nis me një hyrje të maskuar nga sipërfaqja e tokës. Nga kjo hyrje, për në fundin e pusit zbritet me anë të 23 shkallëve guri në formë spiraleje, të vendosura në faqet e brendshme murore të pusit. Gjerësia e pusit shkon deri 2,15 m, lartësia e pusit është 8 m, në fund është puset e kontrollit.
Ujësjellësi i Domgjonit është i vetmi i këtij lloji në rrethin e Mirditës dhe në vendin tonë dhe pa paralele në të gjithë Ballkanin. Së bashku me kështjellën, që në popull njihet me emrin "qytezë", ndërtuar në antikitetin e vonë e kryesisht në shekullin VI të erës sonë, flasin për një vendbanim të rëndësishëm. Ndërtuesit kishin një traditë të shquar në punimet nëntokësore, si nxjerrës të mineraleve. Ky objekt unik është shpallur "Monument Kulture".