Gurri i Rrufesë (folklor)
Një gur rrufeje apo bubullimash është një tip sëpate dore parahistorike, mjet guri ose fosil që përdorej si amulet për të mbrojtur një person ose një ndërtesë. Emri rrjedh nga besimi i lashtë se objekti është gjetur në një vend ku kishte goditur rrufeja.
Folklori i Gurit të Rrufesë
RedaktoShqiptarët besonin në fuqitë supreme të bubullimave (kokrra e rrufesë ose guri i resë), të cilat besohej se formoheshin gjatë goditjeve të rrufesë dhe binin nga qielli. Gurët e rrufeve ruheshin në jetën familjare si objekte të rëndësishme kulti. Besohej se futja e tyre brenda në shtëpi do t'u sillte njerëzve fat, begati dhe përparim, veçanërisht në blegtori dhe bujqësi, ose se plumbat e pushkës nuk do t'i godisnin zotëruesit e këtyre gurëve. Varëset me gurë rrufeje besohej se kishin fuqi mbrojtëse kundër efekteve negative të syrit të keq dhe përdoreshin si hajmali si për bagëtinë ashtu edhe për gratë shtatzëna.
Grekët dhe romakët, të paktën që nga periudha helenistike e këtej, përdornin koka sëpate prej guri neolitik për mbrojtjen apotropaike (magjike) të ndërtesave. Një studim i vitit 1985 i përdorimit të sëpatave prehistorike në kontekstet romano-britanike gjeti dyzet shembuj, nga të cilët njëzet e nëntë ishin të lidhur me ndërtesa duke përfshirë vila, struktura ushtarake si kazermat, tempujt dhe furrat.
Gjatë Mesjetës, shumë nga këta gurë të punuar mirë janë nderuar si armë, të cilat gjatë "luftës në parajsë" ishin përdorur për të dëbuar Satanin dhe ushtritë e tij. Prandaj, në shekullin e 11-të, perandori bizantin i dërgoi perandorit të shenjtë romak një "sëpatë qielli"; dhe në shekullin e 12-të, një peshkop i Rennes-it pohoi vlerën e gurëve të bubullimës si një mjet i caktuar hyjnor për të siguruar sukses në betejë, siguri në det, siguri kundër bubullimave dhe imunitet nga ëndrrat e pakëndshme.
Në Skandinavi, gurët e rrufeve adhuroheshin shpesh si perëndi të familjes që mbanin larg magjitë, shtrigat dhe syrin e keq. Mbi ta hidhej birrë si sakrificë dhe nganjëherë lyheshin me gjalpë. Në Zvicër, zotëruesi i një guri rrufeje e rrotullon atë me anë të një laku, tri herë rreth kokës së tij dhe e hedh në derën e banesës së tij në afrimin e një stuhie për të parandaluar që rrufeja të godasë shtëpinë. Në Itali ato varen në qafë për t'u mbrojtur nga sëmundjet dhe për të shmangur syrin e keq. Në kohën romake, ato qepeshin brenda qafores së qenve së bashku me një copë korali për të mos u tërbuar qentë. Në Suedi ofrojnë mbrojtje nga kukudhët (elfët). Deri në shekullin e 19-të ishte praktikë e zakonshme në Limburg që të qepnin gurët e bubullimave në qese pëlhure dhe t'i mbanin mbi gjoks, me besimin se do të qetësonin sëmundjet e stomakut. Në disa pjesë të Spanjës, për shembull, në provincën e Salamankës, besohej se duke fërkuar gurët e bubullimave në kyçe do të ndihmonte në parandalimin e sëmundjeve reumatizmale. Në Alpet franceze mbrojnë delet, ndërsa gjetkë në Francë mendohet se lehtësojnë lindjen. Në besimet sllave ato shërojnë lythat mbi njerëzit dhe kafshët.
Në Birmani ato përdoren si kurë dhe parandalues për apendicitin. Në Japoni besojet se shërojnë ulçerat. Në Malajzi dhe Sumatra ato përdoren për të mprehur krisin (lloj sëpate), konsiderohen objekte shumë me fat dhe janë vlerësuar si gurë prove për arin.
Në Karolinën e Veriut dhe Alabama ekziston një besim se gurët e strallit të vendosur në zjarr do t'i pengojnë skifterët të ngacmojnë pulat, një besim që ndoshta rrjedh nga ideja evropiane që shigjetat e kukudhit (elfit) mbrojnë kafshët shtëpiake. Në Brazil, stralli përdoret si një gur parashikues për arin, thesarin dhe ujin.
Stralli ishte një objekt nderimi nga shumica e fiseve indiane amerikane. Sipas mitit të origjinës të fisit Pawnee, armët dhe mjetet prej guri iu dhanë njeriut nga Ylli i Mëngjesit. Midis popullit K'iche' të Guatemalës, ekziston një mit që një strall kishte rënë nga qielli dhe ishte copëtuar në 1600 copa, secila prej të cilave ishte bërë perëndi. Tohil, perëndia që u dha zjarrin, ende përfaqësohet si strall. Ky mit ofron një paralele me besimin pothuajse universal në gurin e bubullimës dhe të kujton se si perëndia romake Jupiter adhurohej në formën e një guri stralli.