Hafiz Ymer Shemsiu
Hafiz Ymer Shemsiu ishte hoxhë, mësues, atdhetar, pedagog, poet, shkrimtar, rapsod, këngëtar, valltar.
- "Kur na erdh e para Sërbi
- Q'na ngushton ket t'zezë Shqipni
- Ka tridhet n'patare ka shti
- Ka tridhet po shtje n'patare
- Don shqiptarët mej qit fare"
- - Hafiz Ymer Shemsiu
Hafiz Ymer Shemsiu lindi në Prishtinë në vitin 1895, në Mahallën e Muhaxhirëve.
Muhaxhirë ishin të parët e tij, gjyshi Mustafë Sylejmani, me vëllezërit : Ibrahimin, Ismailin dhe Osmanin, të cilën erdhën në Kosovë nga Prokuplja. Mësimet fillestare i ndoqi në Prishtinë, ndërsa medresenë e vazhdoi në Prishtinë dhe Shkup. Veprimtarinë arsimore-pedagogjike e filloi në mejtepin e Ferizajit, pranë dajës, Haxhi Pllanës, ku do të mbajë mësime, ndërsa vetë përgatitej për hafiz. Kur u përgatit për hafiz, pra, kur e mësoi Kur'anin e shenjtë përmendësh, atëherë, titullin e nderuem Hafiz e mbrojti publikisht në Xhaminë e Boshnjakëve, para komisionit përkatës. Gjatë Luftës së Parë Botërore, (1915-1918), në kohën e Austrisë, siç thotë populli, u hapen nëpër Kosovë shkollat shqipe. Me ndihmën e Hasan Prishtinës, në vitin 1915, Hafiz Ymer Shemsiu e hapi një shkollë shqipe, në katundit Sazli, në rrethin e Ferizajit. Ferizaji ishte zonë e pushtuar nga bullgarët, të cilët e mbyllën pa u bë muaji, kurse mësuesin, hoxhën, Hafiz Ymer Shemsiun e lidhën me zingjirë dhe e dërguan, ashtu të lidhur, në burgun e Ferizajit. Burgu i Ferizajit nuk e dobësoi hoxhën, por e forcoi, këtë e dëshmon veprimtaria e tij në vazhdimësi, për fe e atdhe. Hafiz Ymer Shemsiu, që nga viti 1920, ishte një veprimtar i devotshëm në Lëvizjet kryesore çlirimtare-shqiptare, nëpër Kosovë, disa prej të cilave janë edhe këto :
- Komiteti për Çlirimin Kombëtar të Kosovës.
- Veprimtar në Xhemiet (Bashkimi), e drejtuar nga atdhetari Ferhat Bej Draga.
- Bashkëpunonte me Lëvizjen Kaçake Kombëtare.
- Në Xhaminë e Talinovcit e themeloi Komitetin e Komitetit të Kosovës.
Në mejtepin e tij, Hafiz Ymeri, përveç mësimeve fetare, ua mësonte nxënësve të tij, në fshehtësi, shkrim-leximin shqip, pastaj edhe njohuri të tjera si në histori, gjeografi, matematikë, fizikë, kështu, përgatiti kuadër të aftë edhe për administratë. Hafiz Ymer Shemsiu, përveç veprimtarisë atdhetare- çlirimtare-kombëtare, arsimore-padagogjike-kulturore, është marrë edhe me krijimtari letrare, duke shkruar ilahi, poezi, me përmbajte fetare dhe atdhetare. Poeti i ndërgjegjës fetare e kombëtare, Hafiz Ymer Shemsiu ka shkrue shumë ilahi, poezi, të cilat janë në frymën e vargut popullor lirik dhe epiko-historik.
Në një ilahi, kushtuar Muhammedit (a.s.) që ka 48 vargje, ndër të tjera, shkruen :
- "Hallall bomna ej ymmet
- Nasihat se kom vasijet
- Shoqi shoqin mos me dhan
- Si n'idhnim qashtu n'gzim
- Se n'birlik ka gjallnim."
Në poezinë e Hafiz Ymer Shemsiut, pasqyrohet në mënyrën më besnike krimet e forcave armike, krimet barbare ndaj popullsisë shqiptare :
- "Kur na erdh e para Serbi
- Q'na ngushton ket t'zezë Shqipni
- Ka tridhet n'patare ka shti
- Ka tridhet po shtje n'patare
- Don shqiptarët mej qit fare."
- "Nam po bojn o n'shqiptar zi
- Po presin gra po presin fmi
- Edhe me zjarm poj djegun n'shpi
- Fmin e foshnje ngulin n'singi."
Hafiz Ymer Shemsiu, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte kundërshtar i forcave partizane-komuniste, ndërsa ishte përkrahës i forcave kombëtare-nacionaliste. Kur forcat partizane-komuniste-çetnike e morën pushtetin, atëherë, menjëherë, Hafiz Ymerin e izoluan. Në fillim të muajit maj, 1945, ashtu, në izolim, Hafiz Ymer Shemsiu, ndërroi jete në mjerim.