Hamdi Thaçi (Gjakovë, 23 qershor 1933 - Prishtinë, 22 shkurt 2010) ka qenë 'alim, këshilltar i Adem Demaçit për Lindjen e Mesme dhe përkthyes zyrtar.

Biografia Redakto

U lind në Gjakovë, i biri i Mulla Tahir Thaçit, nga familja e Yvejs Efendiut, prej ku kishin dalë myderrizë, hafizlerë e myftilerë.

U shkollua nën përkujdesjen e të atit, mësimet fillore i kreu në vendlindje, ndërsa medresenë e kreu në Damask më vitin 1965. Menjëherë i vazhdoi studimet në Karaçi, ku edhe diplomoi në Fakultetin e Drejtësisë. Studimet postdiplomike i vazhdoi në Universitetin e Panxhabit në qytetin Lahore, ku edhe magjistroi në letërsi-filozofi në vitin 1971. Më pas doktoroi me temën me mbi 800 faqe me titullin : “Dy koncepte të filozofisë”.

Veprimtaria letrare, kulturore dhe atdhetare Redakto

Pas dhjetë vjetëve shkollimi në Siri dhe Pakistan, në Azi, Mr. Hamdi Thaçi edhe dhjetë vite të tjera i kaloi në Tripoli, Libi, ku jetoi, punoi dhe zhvilloi veprimtari të ndryshme, letrare, kulturore dhe atdhetare... Në Tripoli, Libi, ka punuar si përkthyes zyrtar, në nivel shtetëror, ndërsa në shtypin arab ka botuar shumë shkrime, artikuj, studime. Në veçanti ka bashkëpunuar me gazetën “Java e Kulturës”, që botohej në Tripoli, ku ka qenë bashkëpunëtor i rregullt. Në botën arabe, përmes shkrimeve letrare, Mr. Hamdi Thaçi, e bëri të njohur çështjen shqiptare... Ndër shkrime të ndryshme, këtu vlenë të përmendet shkrimi me titull: “Ndikimi i qytetërimit arab në artin dhe letërsinë shqiptare”... Rreth vitit 1980, pas njëzetë vjetëve në mërgim, në Azi dhe Afrikë, u kthye në vendlindje, në Gjakovë, me përmallim të madh për çdo vend në Kosovë... Pas një kohe të shkurtër, u vendos në Prishtinë, ku e vazhdoi veprimtarinë...

Në Prishtinë ka punuar një kohë si menaxher i “Unioninvestit” për Kosovë, kurse veprimtarinë e tij kulturore e vazhdoi në gazetën “Rilindja”, me shkrime e përkthime nga gjuha arabe, urdu... Ka botuar me dhjetëra, qindra, shkrime nëpër gazeta e revista të ndryshme, jo vetëm në Kosovë...

Mënyra e shkrimit të tij ishte e veçantë, ndonëse shkrimet e tij ishin të gjata, kur e përfundojshe së lexuari të dhimbsej që mbaroi, por secili lexues e ndiente se diçka përfitojë... Në revistën “Dituria Islame”, që e boton Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës në Prishtinë, Mr.Hamdi Thaçi ka botuar shkrime shumë të dobishme për afër njëzet vjet, herë pas here. Për lexuesit e rinj, këtu po i paraqesim vetëm titujt e disa prej shkrimeve të tij.

  • 1. “Shqiptarët në Libi”, “Dituria Islame”, Nr.65, qershor, 1995
  • 2. “Muhammed Ikball, Poezi, përkthye nga urdishtja, Nr.84, dhjetor, 1996
  • 3. “Nga atomi deri te multi universi i nënshtrohen vetëm Allahut” botuar në revistën “Dituria Islame”, Nr.85, tetor-nëntor, 1996
  • 4. “Stresi dhe rrugëdalja”, “Dituria Islame”, Nr.102-103, maj-qershor, 1998.
  • 5. “Misticizmi Hebraik”, “Dituria Islame”, Nr.104, korrik-gusht, 1998
  • 6. “Kuptimi i identitetit”, “Dituria Islame”, Nr. 123-124, 2000.
  • 7. “Bazat e psikologjisë së besimit”, Nr.126, dhjetor, 2000
  • 8. “Kriza e kulturës evro-perëndimore” Nr.127-128, janar-shkurt, 2001
  • 9. “Somnabulizëm (Ecja e përgjumur)”, Nr.141, mars, 2002....etj. etj.

Dy-tri javë, para se të ndërroi jetë, në revistën “Dituria Islame” u botue shkrimi i tij i fundit me titull : “Kur’ani dhe Shkenca e Multiuniversit”, “Dituria Islame”, Nr. 234, janar, 2010.

Përveç këtyre shkrimeve me shumë vlerë, Mr. Hamdi Thaçi ka botuar shkrime, studime, përkthime edhe në revistën “Frymëzimi” të Gjakovës, në revistën letrare “Jeta e Re” të Prishtinës. “Vepra” e “Hëna e Re” të Shkupit dhe në shumë gazeta të përditshme siç janë “Koha Ditore”, “Kosova Sot”, “Zëri”, “Epoka e Re’”, “Bota Sot” etj. Përveç librit me titull : “ Filozofia Indiane” (Politeizmi), Koha, Prishtinë, 2003, botuar nga Ministria e Arsimit, dhe krijimtarisë aq të frytshme e të dobishme të publikuar, Mr. Hamdi Thaçi ka lanë edhe shtatë libra në dorëshkrim, të gatshme për botim...

Gjatë viteve të luftës çlirimtare të UÇK-së, 1998-1999, Mr. Hamdi Thaçi ka qenë këshilltar politik i Bacës Adem (Demaçi), për Lindjen e Mesme, i cili ishte zëdhënës politik i UÇK-së... Ne, si krijesa njerëzore, të gjithë jemi të përkohshëm në jetën tokësore. Të gjithë prej Zotit jemi, të gjithë tek Zoti do të kthehemi. Insha’Allah kthehemi faqebardhë, siç u kthye Mr. Hamdi Thaçi, ditën e hënë, me 22 shkurt 2010, në moshën 77 vjeçare, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën islame-shqiptare...

Mr. Hamdi Thaçi kaloi në jetën e amshueshme, duke na lënë prapa vepra të pamohueshme... U varros në Prishtinë, me 22 shkurt 2010, pas namazit të ikindisë, të cilin e udhëhoqi Dr. Rexhep Boja, i cili e udhëhoqi edhe namazin e xhenazes, në praninë e shumë zyrtarëve të lartë nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, nga hoxhallarët kryesor të Prishtinës, në praninë e shumë intelektualëve nga Prishtina, Mitrovica, Prizreni, Gjakova dhe nga mbare Kosova.

Referime Redakto