Harta arkeologjike e Kosovës me Autorë: Luan Përzhita, Kemajl Luci, Gëzim Hoxha, Adem Bunguri, Fatmir Peja, Tomor Kastrati. Botuesi: Akademia e shkencave dhe e Arteve e Kosovës - Akademia e shkencave e Shqipërisë. Faqet e librit 395. Prishtinë, 2006.

“Harta arkeologjike e Kosovës” përfshin të dhënat arkeologjike për rreth 500 fshatra, ku janë evidentuar 267 qendra arkeologjike. Vepra është përgatitur nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë, në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në mes të këtyre dy institucioneve që në vitin 2000, ndërsa është realizuar nga Instituti i Arkeologjisë në Tiranë dhe nga Muzeu i Kosovës.

Më vonë këtij bashkëpunimi i është shtuar edhe Instituti Arkeologjik i Kosovës, i themeluar në vitin 2004. “Harta Arkeologjike e Kosovës” përfshin të gjitha periudhat që janë vërejtur në terren, prej parahistorisë deri në mesjetën e vonshme, duke përfshirë periudhat: parahistoria, periudha antike e hershme, antikiteti i vonë, Bizanti i hershëm, mesjeta. Për realizimin e këtij projekti kanë qenë të angazhuara edhe institucionet e tjera nga Kosova, si Instituti Arkeologjik i Kosovës, Instituti i Monumenteve i Gjakovës, ai i Prizrenit, si dhe Instituti i Prishtinës.