Haxhi Rama është autor këngësh i njohur shqiptar. I rritur në një familje qytetare dhe me dhunti të dukshme të humorit, përfundoi shkollën e mesme “16 shtatori” në qytetin e Durrësit, për të vijuar studimet në Institutin e Lartë të Arteve, dega e “Dramës”. Ai u emërua si aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu” të vendlindjes në vitin 1965, pak muaj pas ndërtimit të godinës aktuale të këtij teatri. Krijimtaria e Haxhi Ramës, në fakt ka nisur në vitin e largët 1958, kur në një nga gazetat e kohës u botuan dy epigrame të tij. Ishte fillimi i pasigurt i një pasionanti të zjarrtë, besimi i të cilit mori formë me tekstin e këngës “Lemza”, që e bëri Haxhi Ramën bashkëpunëtor të kompozitorit të mirënjohur Agim Krajka, ndërsa këngët e tij u bënë hite të kohës nën interpretimin e këngëtarëve të mëdhenj, duke filluar nga Vaçe Zela. Komeditë, skeçet, tekstet e këngëve dhe poezitë e shkruara prej tij ndër vite, dhe që janë “ngjitur” në skenë me dhjetra herë, të interpretuara nga artistë të gjinive të ndryshme, erdhën “të heshtura”, në faqet e dy përmbledhjeve, me titullin “BIS” dhe “BIS plus”. Një titull që të kujton suksesin dhe duartrokitjet e merituara, që pjesa më e madhe e veprimtarisë së Mjeshtrit të Madh, Haxhi Rama, ka patur në skenat e të gjithë vendit. [1] [2]

Burimet

Redakto
  1. ^ https://sot.com.al/intervista/haxhi-rama-drama-e-huaj-e-mundi-dram%C3%ABn-shqipe-n%C3%AB-teatro-ja-arsyet Arkivuar 13 shkurt 2021 tek Wayback Machine /
  2. ^ https://www.teksteshqip.com/haxhi-rama/biografia /