Hebrenjtë në Shqipëri, prania dhe shpëtimi

Hebrenjtë në Shqipëri, prania dhe shpëtimi Gjinia: Histori. Autori: Shaban Sinani. Shtëpia botuese: "Naimi". Viti i botimit 2009. Faqet e librit 464. ISBN 978-99956-800-2-2

Mbi librin:

Në vitet 1939 kanë ekzistuar projekte ndërkombëtare për krijimin e një etniteti hebraik në Shqipëri dhe qeveria mbretërore i është përgjigjur pozitivisht këtij vullneti. Hebrenjtë hynë në Shqipëri me dokumente të ligjshme dhe me identitet të fshehur. Në Shqipëri nuk u miratuan kurrë ligje antihebraike dhe nuk ka pasur kampe përqendrimi për hebrenjtë. Shqipëria dhe shqiptarët shpëtuan jo 200 hebrenj vendës, por afro 15 – fishin e tyre, të ardhur nga Europa Qendrore dhe Ballkani. Një listë prej 2265 emrash të hebrenjve të ardhur në Shqipëri para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore gjendet qysh prej muajit gusht të vitit 2005 në Memorial Museum of Holocaust. Në periudhën naziste qeveria dhe Regjenca e quajtën "çështje të brendshme" dhe pjesë të "pavarësisë relative" mbrojtjen e hebrenjve dhe nuk i dorëzuan listat e tyre (shtator 1943, prill 1944, qershor 1944). Rajhu u tërhoq përballë refuzimit të Tiranës. Pati një konvergjencë tërësore të të gjithë krahëve dhe orientimeve: antifashistë dhe profashistë; laikë e klerikë; muslimanë e të krishterë; komunistë e nacionalistë; në veri e jug për të mos lejuar prekjen e hebrenjve të strehuar në Shqipëri. Divizioni SS "Skanderbeg" i krijuar në Kosovë nuk ka marrë pjesë në ushtrimin e holokaustit. Në listën prej 801 personash të shoqëruar prej këtij divizioni në gusht 1944 drejt kampit të Saimište – s, i vetmi kamp shfarosjeje në Ballkan, vetëm 35 janë hebrenj dhe nuk është vërtetuar se këta i janë nënshtruar zhdukjes përfundimtare. Qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë ka qenë i njëjtë.