Hefesti
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli. |
Hefesti (greqisht: Ἥφαιστος, Latin: Hephaestus) - i biri i zotit suprem, Zeusit dhe gruas së tij Heres, zoti i zjarrit dhe farkëtar, armëpunues i zotërave. Nga mitologjia romake, atij i përshtatej Vullkani.
Në mbretërinë e Olimpit, ishte i angazhuar për punimin e stolive dhe gjësendeve të ndryshme artistike. Edhe pse, në dukje tejet i shëmtuar dhe nga këmbët i çalë, ai kishte duar dhe trup të fortë. Në dukje vërtet njihet si i shëmtuar, por dashurisë së tij nuk kanë mund t’i ikin shumë femra të bukura.
Nga aviturat e shumta dashurore që kishte, përpos Afroditës, përmenden edhe AGLEJA dhe HARI.
Lindi i shqepët, andaj e ëma e hudhi nga Olimpi. Ka fluturuar deri te Oqeani, mirëpo asgjë nuk i ndodhi, sepse e kanë kapur Eurinoma dhe Tetida, hyjneshat e detit. Është rritur në shpellën e tyre nëntokësore dhe e ka mësuar zejen e farkëtarisë. Kur u bë mjeshtër i zejes së vet e bëri fornin e mrekullueshëm prej arit dhe ia dërgoi si dhuratë nënës së vet, por vetëm që t'i hakmirret. Posa Hera e ul në të dolën prej tij prangat e fshehur, e lidhën dhe nuk e lejuan më të çohet. Asnjëri prej zotërave nuk ka mundur ta çlirojë. Së pari të gjithë u hidhëruan thellë në Hefestin, por nuk u mbet gjë tjetër përveç se ta ftojnë. Ndërkaq Hefesti nuk dëshironte aq fort të kthehet në Olimp dhe këtë ia kumtoi fare qartë Hermesit, lajmëtarit të zotërave. Prandaj zotërat u shërbyen me dinakëri. Hefestit ia dërgojnë Dionizin, zotin e verës i cili të dehur dhe në gomar e solli në Olimp. Hefesti i hareshëm dhe i gëzueshëm harroi në padrejtësinë që ia ka bërë e ëma e tij, e çliroi të ëmën dhe vendosi që përherë të mbesë në Olimp, në mesin e zotërave. Për më tepër vendosi që këtu edhe të martohet dhe prindërit e tij e shpërblyen, duke ia dhënë për grua hyjneshën më të bukur. Sipas një verzioni, kjo ka qenë Karita Aglaia, ndërsa sipas tjetrit të zgjëruar, ishte Afrodita, hyjnesha e dashurisë dhe e bukurisë.
Ardhja e Hefestit në Olimp ka pasur pasoja të mëdha. Tërë Olimpin e ka ndërtuar dhe rrethuar. Si kanë banuar zotërat e Olimpit deri atëherë nuk dihet. Nga të dhënat për veprat e Hefestit kemi mësuar se ai ua ka ndërtuar pallatet madhështore prej ari, argjendi dhe bronze. Kuptohet se nuk e ka harruar as veten. Vetes ia ndërtoi një pallat dhe aty rregulloi edhe punishtën. Homeri, p.sh. me admirim i përmend rrëshekët e tij të cilët automatikisht i frynin zjarrit dhe merrnin urdhërat për punë drejtpërdrejt nga truri i Hefestit. Përkundër kësaj, Hefesti nuk e lente pasdore as punën fizike. Shpesh shihej i djersitur dhe i lodhur në lëvizje të përhershme me çka edhe dallohej prej zotërave të tjerë.
Kuptohet se Hefesti si artist i gjithanshëm ka qenë shumë i dashur në mesin e zotërave. Megjithatë, nuk e konsideronin tejet serioz. E përqeshnin çalimin e tij (dhe ndonjëherë nuk ka qenë kjo përqeshje e thjeshtë, por "të qeshurit e zotërave" i njohur te Homeri), p.sh. kur në vend të hyjneshës Heba, ai shërbente rreth tryezës së tyre.Bashkëshortja e tij, Afrodita, haptas e mashtronte me zotin Ares. Vetëm Hera sillej ndaj tij me mirëkuptim, natyrisht duke i ardhur keq që dikur e ka ofenduar. Gjatë një zënke Zeusi e hudh nga Olimpi. Hefesti tërë ditën fluturon deri në limanin e madh dhe bjen në ujëdhesën Lemnos. Banorët e atjeshëm ndaj tij silleshin me kujdes dhe Hefesti ishte mirënjohës ndaj tyre. Në afërsi të vullkanit Moshila e ndërtoi farkëtoren e vet. Kur kaloi prej panteonit grek në atë romak (nën emrin Vullkan) e ndërtoi edhe një farkëtore të vetën në Sicili nën malin Etna. Kjo ka qenë, kuptohet, një ndërmarrje e madhe, andaj Hefesti për ndihmës të vet i fton disa Qiklopë viganë.
Në jetën e trimave mitikë Hefesti nuk ndërhynte fort. Përkufizohej vetëm në ndërtimin e armëve dhe si armëpunues i mirë ua jipte të dy palëve që ishin në luftim. Në lutje të hyjneshës Tetida, p.sh. ia punoi armët e shkëlqyeshme birit të saj, Akilit. Nuk ndërhynte as në luftëra, me një përjashtim të vetmin. Gjatë betejës në rrafshnaltën trojane me lutjen e Herës e frenoi lumin Ksant, zoti i të cilit ka dashur që me dallgë ta mbytë Akilin. Hefesti veçmas i mbronte adhuruesit e vet, ndërsa prej artizanateve në tokë, më së shumti, i mbronte farkëtarët dhe zejtarët të cilët punën e tyre e bënin me ndihmën e zjarrit. Prandaj njerëzit u detyruan që ndaj tij të jenë mirënjohës. Së paku sipas Himneve të Homerit, me ndihmën e Athenës njerëzve ua mësoi zejet dhe artet, andaj më nuk qenë të detyruar të jetojnë nëpër pyje dhe shpella si kafshët, por në shtëpi dhe qytete të bukura ku "jetojnë mirë dhe të qetë gjatë tërë vitit që rrjedh".
Për nderë të Hefestit grekët organizonin kremte madhështore. Në Athinë kanë qenë të dyllojshme: hefesteiet dhe halkeiet. Të parat kremtoheshin në fillim të secilit vit dhe më vonë prej vitit 329 para e.s., çdo katër vjet në mesin e nëntorit. Të dytat mbaheshin çdo vit dhe në to merrnin pjesë veçmas farketarët. Në Athinë Hefestit ia kushtuan tempullin në stilin dorik, të ngritur në vitet 450-440 para e.s. dhe e kanë stolisur me shtatore të kultit, të cilin e ka skalitur Alkameni (421-413 para e.s.); tempulli ekziston sot e kësaj dite dhe është një nga me të ruajturat nga të gjithë tempujt grekë. (Gabimisht e quajnë Theseon, sepse me skulptura që gjenden aty paraqiten veprat heroike të Tezeut. Kërkimet e reja topografike në Athinë dëshmojnë, se tempulli para se të shndërrohet në kishën e Shën Gjergjit në shek. V para e.s. ishte i përkushtuar Hefestit). Prej tempujve të tjerë të Hefestit më i shquari ka qenë ai në Agrigent të Sicilisë. Deri më sot prej tij është ruajtur vetëm një shtyllë.
Hefestin e njohim nga pikturat në vaza dhe nga relievet. Përkundrazi, skulpturat e tij nga antika janë ruajtur mjaft pak. Prej pikturave në vaza më të njohurat janë me siguri Kthimi i Hefsetit në Olimp (përafërsisht nga viti 440 para e.s.) dhe Hefesti dhe Dionizi me Menada (përafërsisht nga viti 45 para e.s., sot gjendet në Luvër të Parisit). Prej relieveve po cekim Puntorinë e Vullkanit nga koha romake (qe sot gjendet në Muzeun e Kapitolit ne Romë), ndërsa prej skulpturave, shtatoren e vogël që e paraqet Hefestin me vegla dhe gjendet në Muzeun Shtetëror të Berlinit Lindor). Prej veprave të kohës më të re po e përmendim Hefestin i cili i farkon armët për Akilin e permendim Hefestin i cili i farkon armët për Akilin e Gjulio Romanit e viteve 1532-1534 dhe sot gjendet në Pallatin e Dukës së Mantovës, Farkatarin e Vullkanit e Tintoretos (pas vitit 1577, gjendet në Pallatin e Dukës në Veneci dhe pikturën me të njëjtin emër të M. van Heemskerckut e vitit 1536, që sot gjendet në Muzeun Popullor në Pragë, Punëtorinë farkatare të Vullkanit të Velaskezit (e vitit 1630, gjendet në Prado të Madridit), dhe pikturën e madhe Venera dhe marsi të pikasur prej Vullkanit te F. Boucherit (Busherit), e vitit 1754,sot gjendet në koleksionin e Vallaceit në Londër. Prej skulpturave, s'do mend se këtu hyn edhe Vullkani prej mermerit i B. Thorvaldsenit e vitit 1838 (gjendet në Muzeun e Thorvaldsenit në Kopenhagë). Sipas tij është quajtur edhe "kumbarë i të gjithë vullkanëve", Vulcano (Vullkani) ujëdhesa e Liparit.