Hepatiti B
Kjo faqe është e palidhur nga faqe të tjera. |
Hepatiti B: a. Shkaktohet nga virusi i hepatitit B, një hepadnavirus i njohur si HBV (Hepatitis B Virus). b. Përhapet nëpërmjet seksit, shiringave, dhe nga nëna shtatzanë tek bebja (njësoj si virusi HIV i SIDAs). c. Inkubacioni = 2 deri në 6 muaj. Transaminazat janë më të larta se në hepatitin A dhe rrinë të rritura për rreth 3 muaj. d. 1-2% e të sëmurëve bëhen bartës kronikë të virusit; përqindja është më e lartë në të sëmurët me mangësi imune dhe në fëmijët; deri në 90% e bebeve të lindura nga nënat me hepatit B bëhen bartës kronikë. Bartësit kronikë kanë rrezik të shtuar për cirrozë dhe kancer të mëlçisë. Më pak se 1% e infeksioneve akute me HBV përparojnë në hepatit fulminant (mortalitet 60%). Infeksioni me HBV mund të shoqërohet me artrit, glomerulonefrit, poliarterit nodoz. e. Serologjia: si antigjenet e virusit B ashtu dhe antitrupat e drejtuar ndaj tyre mund të maten: (i) HBsAg është antigjen kapsular i virusit B (Hepatitis B surface Antigen); HBsAg shfaqet para rritjes të transaminazave dhe qëndron i rritur gjatë kohës të sëmundjes; prania e HBsAg pas zhdukjes të simptomave do të thotë që i sëmuri po e bart virusin kronikisht. (ii) Anti-HBs është antitrup i drejtuar ndaj HBsAg. Antitrupat anti-HBs shfaqen pas zhdukjes të antigjenit kapsular nga serumi; shfaqja e antitrupave anti-HBs do të thotë që infeksioni u mund. Anti-HBs gjithashtu është antitrupi që shfaqet pas vaksinimit. (iii) Antigjeni HBcAg (antigjen jokapsular) nuk shihet në serum por antitrupat anti-HBc fillojnë e rriten shpejt pas shfaqjes të HBsAg. Prania e antitrupave IgM anti-HBc do të thotë që kemi të bëjmë me hepatit B akut ose me keqësim të hepatitit kronik; niveli i antitrupave IgM anti-HBc qëndron i rritur për 3 deri 6 muaj. Antitrupat IgG anti-HBc qëndrojnë të rritur për jetë pas infeksionit me virusin e hepatitit B. (iv) HBeAg është një antigjen viral që shihet vetëm në serumet që janë pozitivë për HBsAg; HBeAg është një formë e sekretuar e antigjenit HBcAg dhe prania e HBeAg do të thotë që virusi po shumëzohet me shpejtësi. Kur HBeAg qëndron i rritur për më shumë se 3 muaj shanset e kthimit në hepatit kronik rriten. Shfaqja e antitrupave anti-HBe shpesh pason zhdukjen e HBeAg. (v) HBV DNA: prania e materialit gjenetik të virusit shkon paralel me praninë e HBeAg, porse prania e HBV DNA është më sensitive dhe më specifike sesa prania e HBeAg. f. Trajtimi i hepatitit B: Ushqim normal, pa e tepruar. Pacienti nuk duhet të pijë alkool, nuk duhet të bëjë punë të rënda, dhe duhet të shtrihet në shtrat nëse dëshiron. Pacienti duhet vëzhguar për komplikime, si dehidrim, hepatit fulminant, etj. Barnat që mund të përdoren për hepatitin B janë interferoni alfa dhe lamivudina.