Historiku

Revista online Pa Fokus nisi si projekt në prill të vitit 2013 ndërsa numri i parë i revistës u publikua online me datë 5 shtator 2013. Projekti u nis nga një grup të rinjsh që morën përsipër të shpërndanin informacione falas në internet nëpërmjet përkthimeve, ku targeti i audiencës ishin të rinjtë ndërsa përmbajtja e përkthimeve shtrihej kryesisht në rrafshin kulturor dhe artistik, forma dhe alternative të reja të edukimit si dhe zhvillimet më të fundit në këto fusha në Shqipëri, Kosovë dhe botë. Duke parë fluksin e lartë të materialeve të përkthyera dhe shumëllojshmërisë së tyre, vullnetin dhe aftësitë e anëtarëve të grupit që morën përsipër këtë nismë vullnetare, përmbledhja e këtyre materialeve në një platformë të vetme dhe të veçantë u pa si një ndërmarrje e domosdoshme dhe e nevojshme. Gjithçka u konkretizua me vendimin për krijimin e revistës së parë në format online në Shqipëri, e para e një lloji të tillë në vend për nga përmbajtja, formati, aksesueshmëria. Pas themelimit të revistës Pa Fokus dhe publikimit të numrit të parë me datë 5 shtator 2013, stafi i saj filloi të rritej dhe nismës vazhdojnë t’i bashkohen shumë të rinj me dëshirën për të shpërndarë informacione falas, për të sjellë forma të reja të të mësuarit dhe kuptuarit, për të pasqyruar njohuri më të gjera mbi kulturën, problemet dhe veprimtaritë e të rinjve shqiptarë, promovim talentesh dhe nismash.