Për vite të tëra fletëvotimet ishin të vetmet mjete për zhvillimin e votimit. Fjala ballot e anglishtes ndërlidhet me fjalën italiane ballota (e që d.m.th. “topth i ngjyrosur”), sepse në të vërtetë vota hidhej duke i përdorur topthat. Në Kosovë deri vonë të moshuarit pyetnin “kujt ia ke qitë kokrrat” pasi që ata kishin votuar me toptha të gomës me ngjyra të ndryshme. Në vendet e tjera votimi me toptha vazhdoi deri në fund të shekullit të XIX-të edhe pse ishin zbuluar makinat për votim. Në disa lloj votimesh të këtilla, me toptha, votuesve u jepeshin dy toptha, një i bardhë e një i zi. Nëse votohej pro kandidatit hidhej topthi i bardhë e nëse votohej kundër kandidatit në kuti hidhej topthi i zi. Një kuti e tillë votimi shihet në figurën 1.

Figura 1: Kutia e votimit me toptha [1]

Përdorimi i fletëvotimeve daton që nga Roma e vitit 139 para erës së re, por koncepti i të votuarit me fletëvotime nis tek nga mesi i vitit 1800. Në votimin e mbajtur në Viktoria të Australisë, u përdoren fletëvotimet në të cilat ishin emrat e të gjithë kandidatëve dhe ku votuesve u lejohej të shënonin drejtpërdrejt kandidatët e tyre. Ky fletëvotim i njohur si “fletëvotimi australian” nuk arriti në SHBA deri në fund të 1880. Shteti i New York-ut dhe i Massachuestt-it ishin të parët që i përdorën fletëvotimet australiane. Makina e parë votuese me leva mekanike, e quajtur “Myers Automatic Booth” (Kabina automatike e majerit) u prezantua më 1892 në Lockport të shtetit të New York-ut. Një lloj i kësaj makine shihet në figurën 2. Me makinat votuese me leva mekanike, secilit kandidat i jepej një levë mekanike. Kabina kishte levën e cila duhej të tërhiqej nga votuesi pasi që të tërhiqte perden për të pasur privatësi. Makina përveç votave numëronte edhe votuesit. Levat ktheheshin në pozitën e tyre origjinale posa perdja kthehej në vendin e saj. Makinat votuese me leva mekanike u popullarizuan aq shumë, sa që më 1930 të gjitha qytetet e mëdha të SHBA-ve filluan t’i përdorin, dhe më 1960 gati gjysma e SHBA-ve votoi me ndihmën e makinave votuese me leva mekanike. Ato tashmë nuk prodhohen dhe janë zëvendësuar me makina votimi të kompjuterizuara.


Figura 2: Makina e votimit me leva mekanike [1]

Kartelat e shpuara (biruara) të cilat u zbuluan më 1880 nga Herman Hollerith, fillimisht u dizajnuan për të hedhur në tabela statistikat për Bordin Shëndetësor të Baltimorit [2]. Ato ishin aq të efektshme sa që qeveria e ShBA-ve vendosi t’i përdorte në regjistrimin e popullsisë të vitit 1890. Në sistemin e votimit me kartela të shpuara (biruara), kartela e shpuar e cila përmbante disa bira të vogla ishte e përforcuar në një pllakë të fortë. Votuesit përdornin maje, ose vegla shkruese me maje, për të shpuar në birat ekzistuese siç shihet edhe në figurën 3. Kartela e shpuar pastaj hidhej nga votuesi në kutinë e fletëvotimeve ose futej në makinën e kompjuterizuar për regjistrim të votave. Që atëherë për qëllim të votimit me kartela të shpuara janë dizajnuar dy lloje të këtyre kartelave, kartelat “votomatic” të cilat kanë numrat që u korrespondojnë secilës birë dhe kartelat “datavote” ku i vetmi informacion i shtypur është numri i birave e emrat e kandidatëve janë të shtypur në lista të veçanta të vendosura në kabinat votuese.


Figura 3: Kartelat e shpuara [2]

Sistemet e votimit me skanerët optikë për njohje të shenjave, shpesh të ashtuquajtur skanerë optikë, kishin fletëvotimet e shtypura të cilat krahas emrave, emrat e kandidatëve përmbanin kutiza, rrathë, trekëndësha ose shigjeta. Votuesi duhej ta mbushte me ngjyrë të zezë kutizën, rrethin, trekëndëshin ose shigjetën dhe ta fuste fletëvotimin në skanerin optik për ta lexuar. Kompjuteri dallonte në fletëvotim shenjën e zezë dhe e regjistronte si votë korrekte për kandidatin. Një tip i skanerit optik është dhënë në figurën e mëposhtme.


Figura 4: Skaneri optik për dallim të shenjave [3]

Makinat elektronike regjistruese të drejtpërdrejta (Direct Recording Electronic – DRE) votuese ishin pothuajse sistemet votuese më të avancuara teknologjike gjatë shekullit të XX. Ato ishin të kompjuterizuara dhe nuk kishte nevojë për fletëvotime, votat hidheshin duke i përdorur ekranet me prekje ose tastet. Ato kishin edhe një tastierë në rast se votuesi dëshironte të shkruante në fletëvotim. Kompjuteri i ruante votat në memorie, disketë ose në kartelat-smart. Makinat më të përhapura DRE që përdoren për votim janë Electrovote 2000 dhe Microvote. Electrovote 2000 në të vërtetë është një PC me një ekran me prekje. Votuesit i shfaqen mundësitë e zgjedhjes në ekran dhe ai vetëm i prek votat sipas preferencës së tij. Ai po ashtu ka mundësi të shkruajë votën nëpërmjet të tastierës. Microvote është njëra nga versionet më të vjetra të makinave votuese DRE, por që përdoret ende. Ky tip i makinës përdorë tastet për të regjistruar votën. Fletëvotimi është i shtypur në letër të mbrojtur prapa dritares mes rendit të tasteve, që nuk mund të hiqet nga votuesi. Në momentin e vendosjes së votës, drita shënon se zgjedhja është regjistruar. Një model i një makine të tillë është paraqitur në figurën 5.


Figura 5: Makina elektronike regjistruese e drejtpërdrejtë (DRE) [4]

Referime Redakto

  1. ^ a b Owen Edwards. (2004, Nov.) Smithsonian. [Online]. http://www.smithsonianmag.com/history-archaeology/object-nov-04.html[lidhje e vdekur]
  2. ^ a b McGraw-Hill Education. History of Voting Machines. [Online]. http://www.glencoe.com/sec/socialstudies/btt/election_day/history.shtml Arkivuar 23 shtator 2010 tek Wayback Machine
  3. ^ Adam Playford. (2010, Nov.) Disabilities Act might force PB County to replace all voting machines by 2016. [Online]. http://www.palmbeachpost.com/news/state/disabilities-act-might-force-pb-county-to-replace-1060662.html Arkivuar 20 janar 2011 tek Wayback Machine
  4. ^ Flickr. Voting for the Future. [Online]. http://www.flickr.com/photos/jenorton/2218973585[lidhje e vdekur]