I do sytë e mi?
I do sytë e mi? roman, autore: Emila Markgjonaj. Botuesi: Toena. Faqet e librit 182.
Është folur pareshtur, për periudhën pesëdhjetëvjeçare të komunizmit, që la shenjë në të gjithë brezat pasardhës. Ajo është sjellë në letërsi, nga këndvështrime të ndryshme, por autorja e sheh atë nëpërmjet syve të një fëmije. Detaje të së përditshmes; shkolla, familja, lagjja, të gjitha nën një diktat të rreptë, me sjelljet si buratinë të drejtuara nga një forcë e vetme. Një fëmijëri e lindur dhe e rritur mes mungesash, sakrificash e frikash; një fëmijëri e frustruar në ndjenja, dëshira; një fëmijëri që përgjonte e përgjohej. Kjo është autobiografia e autores që ndal në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Në atë moshë, që siç thotë vetë autorja, nuk ekzistonte adoleshenca, por ishte kapërcimi për në moshën e të rriturve. Pra, mund të të arrestonin për arsye ordinere, dhe mbi të gjitha, për arsye politike. Por, gjithsesi, me gjithë humbjet e disfatat, autorja nuk heq dorë nga një tis humori, që e përshkon veprën fund e krye.