Tjegull prej argjile të pjekur me dimensione : 35,5x27x2,5cm., e cila për shkak të paraqitjeve figurative në avers dhe revers paraqet një lloj të veçantë ikone. Sipas informatave nga terreni, tjegulla u zbulua në arën e bukës në lokalitetin e quajtur “Lugu i shpellës” shumë më herët dhe është ruajtur deri më sot nga familja Sejdiu. Lokaliteti i përmendur gjendet përafërsisht 1 kilometër larg nga Banja e Uglarit, nja 5 kilometra nga Pogragja përafërsisht 7-8 km nga Banja e Dobërçanit.

Në avers të tjegullës është paraqitja në reliev e një kompleksi arkitektonik. Këtë kompleks e përbëjnë (nga e djathta në të majtë): dy kulla `binjake` të mbuluara me çati dhe të përforcuara me shtylla anash, me lartësi prej 18 dhe gjatësi prej 7cm, ndërsa në sipërfaqen mes tyre gjendet një kullë qendrore, po ashtu e fortifikuar me një lartësi e cila është paksa më e e ultë sesa dy kullat anësore (16x7cm) dhe e cila përfundon me mur mbrojtës në formë kurore të dhëmbëzuar, pa dyshim me qëllim të mbrojtjes së hyrjes. Në vazhdim, në anën e saj të majtë gjendet një mur përgjysmë më i ultë sesa kullat, i cili e ka majën po ashtu në formë kurore të dhëmbëzuar. Në anën e majtë nga kulla e dytë `binjake` paraqitet muri rrethues me një lartësi sa gjysma e lartësisë së kullave dhe me gjerësi prej 10cm (përmes korridorit mbi të lidheshin 3 kullat në fjalë), dhe i cili është paraqitur duke vazhduar në brendësi në një përspektivë e cila krijon përshtypjen se muri në fjalë e rrethon ndonjë kompleks të madh.

E veçanta e këtij kompleksi është se kulla e parë `binjake` dhe kulla e mesme duket që janë të ndërtuara me ndonjë teknikë ndërtimore me gurë të vegjël dhe tjegulla (opus mixtum) ndërsa pjesa e poshtme e kullës së mesme, kullës së dytë binjake dhe të murit që i lidh janë paraqitur si të murosura me blloqe të mëdhenj të gurëve. I tërë kompleksi ka vetëm një të hapur masive në përdhes që duhet të ketë qenë portë, meqë këtë e dëshmon edhe kulla me mur mbrojtës në formë kurore të dhëmbëzuar mbi të me qëllim të mbrojtjes sa më efikase të hyrjes, ndërsa kullat anësore kanë në pjesën e epërme, secila për vete nga një dritare të madhe të kurorëzuara me shtylla anash. Nën godina është një shokë me një gjerësi prej 1cm, ndërsa nën këtë është një shokë e gjerë 8cm në mes të së cilës është shënuar numri IV sipas sistemit numerik romak. Në revers të tjegullës është paraqitja e një elementi dekorativ të ekzekutuar me tre gishtërinj ose me imtim të gjurmëve të 3 gishtërinjve. Kjo paqitje e cila ka dimensionet: 15-17x24cm., i përngjan simbolit të ndonjë shpeze dhe mund të jetë shenjë e mjeshtrit i cili punoi këtë tjegull apo e punëtorisë në të cilën u puna ajo.

Tjegulla në fjalë është një zbulim tejet i rëndësishëm arkeologjik me që e karakterizojnë veçoritë të cilat nuk kanë analogji në zbulimet e ngjashme deri më tash. Kompleksi arkitektonik i cili paraqitet në tjegull mund të jetë kamp ushtarak (apo së paku një pikë kontrolli) i ndonjë njësiti të ushtrisë romake, i cili ka qëndruar në këto vise gjatë periudhës së sundimit romak. Në të mirë të kësaj mundësie flet renditja e kullave dhe e mureve rrethuese si dhe prezenca e portës e cila sipas gjasave duhet të ketë qenë Porta Praetoria, respektivisht porta kryesore e kampit ushtarak. Meqë në Kosovë, së paku deri më tash, nuk është zbuluar ndonjë kamp ushtarak analogji me paraqitjen tonë duhet kërkuar nëpër provincat romake dhe analogjitë më të përafërta i gjejmë në dukjen e mbetjeve të kampeve ushtarake në Kastel Ëelzheim në Austri dhe në Fort Arbeja në Angli Veriore që të dyja nga shekulli II të e.s.

Pra është e qartë se kemi të bëjmë me një tjegull romake e cila në këtë rast kishte funksion dekorativ e duke pasur parasysh faktin se tjegullat e këtilla për përdorim të përditshëm në të shumtën e rasteve prodhoheshin nga ushtarët romakë, mund të supozojmë se ndonjë pjesëtar i ushtrisë romake në momentet e frymëzimit artistik e kishte përjetësuar në këtë mënyrë kampin në të cilin kishte kaluar një kohë të caktuar në kuadër të shërbimit të tij. Numri romak IV i cili paraqitet në pjesën më të poshtme të tjegullës mund të interpretohet në dy mënyra: si numër i cili shënon pjesën e katërt të një paraqitjeje figurative narrativo-sukcesive në formë stripi dhe nëse është i saktë ky supozim atëherë duhet të kenë qenë së paku edhe 3 tjegulla të tjera me pjesë të ndryshme të kompozicionit të paraqitjes.

Mundësia tjetër e cila është shumë më afër mendsh është se, meqë tjegulla duhet të ketë qenë vepër e ndonjë ushtari, numri katër ka lidhje me njësitin në të cilin ka shërbyer autori i kësaj tjegulle dhe i cili kishte qëndruar në këtë kamp. Duket shumë më reale mundësia që këtu është paraqitja e portës kryesore Porta Praetoria të kampit ushtarak. Kampet ushtarake ishin në formë katrore dhe pos portës Praetoria zakonisht kishin edhe të ashtuquajturën Porta dekumana në anën e kundërt të kampit dhe dy porta anësore: Porta principalis dextra në anën e djathtë dhe Porta principalis ministra, në të majtën. Kjo mundësi është aq më e pranueshme kur dihet që territori i Kosovës së sotme në lashtësi i takonte Mbretërisë Dardane., ndërsa pas pushtimit të saj nga romakët të provincës Moesia, respektivisht prej vitit 86 të e.s. Moesia Superior (Mezia e Epërme) dhe se në Mezi të Epërme prej vitit 101 të e.s. e deri në fund të antikës si ekuipazh i përhershëm ushtarak ishin të stacionuara dy legjione romake (të cilët i përkrahnin edhe repartet e ndryshme ndihmëse dhe legjionet e tjera romake në raste të rreziqeve).

Mundësia e domethënies së numrit IV është që ky numër shënon pjesën e parë të emrit të ndonjë njësiti ushtarak (meqë njësitet e ushtrisë romake kishin emrat e përbërë nga numri rendor dhe apelativi, si p.sh.: I (prima) Italica) i cili kishte qëndruar në kampin në fjalë. Nëpër monumentet e ndryshme të cilat i kishin ndërtuar ose kishin ndonjë lidhje me këto dhe linin mbishkrime, legjionet shpeshëherë shënoheshin vetëm me numër, siç ishte rasti bie fjala me legjionet IV Macedonica, VI Victrix dhe X Gemina (që morën pjesë në luftë kundër kantabëve në kohën e perandorit August) të cilat shënohen vetëm si IV, VI dhe X nëpër mure me monedhat e vendbanimit Caesaraugusta (Saragoza në Spanjë) dhe mbi gurët e urës Martorell nja 20 kilometra nga Barcino (Barsellona e sotme).

Në bazë të të dhënave epigrafike mund të supozojmë që është fjala për ndonjë legjion emri i të cilit fillon me numrin IV. Në këtë mënyrë arrijmë te dy legjionet: Legio IV Scythica dhe Legio IV Flavia Felix, prezenca e të cilëve është dëshmuar epigrafikisht në këto vise gjatë antikës. Ndër njësitet e para ushtarake romake të cilët depërtuan nga Maqedonia në Dardani ishte Legio IV Scythica. Këtë legjion e kishte formuar Mark Antoni para vitit 30 p.e.s. dhe rreth vitit 49 të e.s. ai u transferua në Gjermani. Një kohë ka qëndruar edhe në Mezi të Epërme, por ka vetëm një dëshmi epigrafike lidhur me këtë dhe është vështirë ta vejmë në lidhje me tjegullën nga Uglari. Shumë më tepër ka mundësi që është fjala për Legio IV Favia Felix të cilin e formoi perandori Vespasian në verën e vitit 70 të e.s. në vend të Legio IV Macedonica (të cilin e shpërndau për shkak të disfatës në luftë kundër germanëve të Civilisit) dhe në fillim ishte e vendosur në Dalmaci. Emblema e saj ishte luani. Ky legjion ka marrë pjesë në shumë fushata luftarake jashtë Dalmacisë kundër sakëve, sarmatëve etj., ndërsa në vitin 86, pas ndarjes së Mezisë, Domiciani e transferoi në Mezi të Epërme ku u vendos në Ratiaria ndërsa në vitin 91 të e.s. vendoset në kamp të përhershëm në Singidunum (Beogradi i sotëm) ku mbetet deri në fund të antikës së bashku me Legio VII Claudia (me kamp në Viminacium) si ekuipazh i përhershëm ushtarak i provincës. Gjatë shekullit III, ky legjion fitoi edhe epitetet Severiana Alexandriana për shkak të mirënjohjes së perandorit Alexander Severus (222-235).

Pjesë përbërëse e Legio IV Flavia ishte edhe reparti i flotës lumore i vendosur në Danub. Edhe pse kishte qëndruar disa shekuj në Mezi të Epërme së bashku me Legio VII Claudia, megjithatë ky legjion ka lënë më pak gjurmë sesa Legio VII Claudia, duke lënë në Mezi të Epërme rreth 50 monumente, ndërsa vetëm në territorin e Dardanisë qendrore rreth 15 sosh. Selia e këtij legjioni ishte tërë kohën në Singidunum, por repartet e ndryshme të tij kanë qëndruar nëpër vise të ndryshme të Mezisë së Epërme me qëllim të kontrollimit dhe sigurimit të qrkullimit të mallrave dhe të njerëzve, të pagimit të taksave doganore e të tjera, të mbrojtjes së distrikteve xehetare, të mbajtjes së rendit dhe të sigurisë dhe të ndërmarrjve ndërtimore me rëndësi shtetërore. Dëshmitë epigrafike të reparteve të këtij legjioni janë zbuluar në Mitrovicë, Syriganë të Istogut, Gjakovë, Prizren, Batusë të Fushë-Kosovës, Graçanicë, Smirë të Vitisë, Kotlinë të Kaçanikut, Llojan dhe Llopatë të Kumanovës, Zllokuqan të Shkupit etj., respektivisht buzë rrugëve magjistrale dhe vicinale që shpinin prej Municipumi DD, nëpër Mitrovicë, Runik, Rakosh, Istog dhe buzë rrjedhës së Drinit të Bardhë (Zllakuqan, Klinë, Dresnik, Çifllak, Rakovinë) deri në Gjakovë dhe Prizren. Një nga rrugët shkonte nga veriu përmes Municipumit DD dhe përmes Mitrovicës dhe Ulpianës drejt Scupit e tutje në jug.

Sipas të gjitha gjasave, kampi ushtarak i Legio IV Flavia i paraqitur në tjegull ishte i vendosur në Uglar me qëllim të mbrojtjes dhe sigurimit të trasesë së rrugës e cila ndahej nga rruga magjistrale diku te Ulpiana dhe përmes Kllokotit, Parteshit, Uglarit, Pograxhës, Muhaxherit, Domarovcës, Vrellës, Kolloleçit dhe Hogoshtit, respektivisht buzë rrjedhave të Moravës dhe të Lumit të Hogoshtit, ndiqte rrugën në të cilin Çershkovi e kërkonte trasenë hipotetike të rrugës Naissus-Scupi. Edhe në pjesë të tjera të Kosovës së sotme janë zbuluar rreth burimeve termale dhe banjave reliktet e vendbanimeve që nga parahistoria të cilët kanë vazhduar së ekzistuari në forma të ndryshme edhe gjatë Antikës e Mesjetës si në Banjë të Pejës, në Kllokot dhe gjetkë. Rast i ngjashëm duhet të ketë qenë edhe në Uglar meqë shumë afër tij gjendet Banja e Uglarit të cilën e kanë shfrytëzuar ushtarët romak të Legjionit IV Flavia për shërim dhe rehabilitim siç i kishin shfrytëzuar edhe nëpër provincat e tjera të Perandorisë.

Edhe pse Legio IV Flavia Fleix ishte transferuar në Mezi të Epërme që në vitin 86, megjithatë monumentet e përmendura në aspektin kronologjik i përkasin fundit të shekullit II dhe shekullit III të e.s. Edhe pse janë zbuluar mjaft tjegulla në të cilat janë skalitur vizatimet mjaft primitive tjegulla nga Uglari paraqet një shebull të rrallë të tjegullës së dekoruar meqë në të është paraqitur një vepër artistike e cila deri më tash nuk ka analogji të njohura jo vetëm në regjion, po as në provincat e tjera të Perandorisë Romake. Në tjegull pra është paraqitur kampi i përkohshëm i ndonjë njësiti përbërës të Legio IV Flavia Felix e cila kampin kryesor të përhershëm e kishte në Singidunum mbi Danub, por repartet e së cilës shërbenin nëpër vise të ndryshme të Mezisë së Epërme gjatë tre shekujve të parë të erës sonë. Në bazë të karakteristikave të tjegullës, por edhe në bazë të analogjive të paraqitjes figurative me godinat përkatëse, tjegulla në fjalë mund të datohet në gjysmën e dytë të shekullit II ose në shekullin III të e.s., periudhë kohore kjo të cilës i përkasin monumentet epigrafike të pjesëtarëve të njësitit të ushtrisë romake Legio IV Flavia të zbuluara në këtë trevë dhe në rrethinë.