Ilir Ikonomi lindi në Pogradec1 shtator 1954 dhe e kaloi fëmijërinë në Tiranë dhe Berat. Kreu studimet e larta për gjuhë kineze në Pekin (1978). Punoi si përkthyes në Radio Tirana (1978-1991), pastaj si gazetar për agjencinë e lajmeve Reuter. Prej vitit 1992 jeton në SHBA dhe punon për VOA (Zëri i Amerikës). Është autor i librit "Faik Konica, jeta në Uashington"

Ky libër flet kryesisht për jetën e Faik Konicës[1] gjatë kohës që ai përfaqësonte Shqipërinë e Zogut në Uashington, 1926-1939, e deri sa vdiq më 1942. Bazuar në dëshmi të zbuluara në arkivat amerikane, britanike dhe shqiptare, libri hedh dritë mbi marrëdhëniet komplekse të Konicës me Zogun, marrëdhëniet e Konicës me qeverinë e SHBA-së, miqësinë dhe polemikat mes Konicës dhe Nolit, komunikimet e Konicës me italianët gjatë luftës, polemikat e Konicës me Kostë Çekrezin si dhe i jep lexuesit një vështrim të rrallë mbi jetën personale të Konicës në Uashington.

"Libri i Ilir Ikonomit pa dyshim që zë një vend të mirë në listën e punimeve mbi Faik Konicën, këtë personalitet shqiptar poliedrik. Faiku del para nesh me të gjitha të mirat dhe të metat që ka pasur, por përfundimisht si një mendje e ndritur dhe një zemër që ka rrahur gjithherë për vendin e tij." - Sami Repishti, Doktor i Shkencave.

"Me këtë libër, Ilir Ikonomi ka vendosur standarde të panjohura deri tani në literaturën e këtij lloji. Studimet dhe kërkimet për periudhën që përfshin libri janë nga më të plotat dhe i dhurojnë lexuesit hollësi interesante nga jeta e Faik Bej Konicës në Uashington. Kjo biografi me vlerë do të shërbejë si referencë jo vetëm për studiuesit shqiptarë por edhe ata të huaj." - Bejtullah Destani

"Vlera kryesore e këtij libri qëndron në informacionin e pasur historik dhe në seriozitetin e burimeve që ka përdorur autori. Nga pikëpamja burimore, libri është jashtëzakonisht i dokumentuar. Këtë dokumentacion e hijeshon stili i veçantë, pak i njohur deri sot në letrat shqipe. Të duket sikur autori e ka kapur prej dore lexuesin dhe e shoqëron për të parë mjedisin ku Faik Konica ka jetuar dhe punuar për gjënë më të madhe që kishte në zemër - çështjen kombëtare shqiptare. Për hir të veshjes së këndshme letrare, libri lexohet me një frymë. Është një trajtesë thellësisht e goditur, e cila e nderon si pak shoqe bibliografinë kulturore, historike dhe letrare shqiptare." - thotë Profesor Kristo Frashëri.

Ilir Ikonomi është gjithashtu autor i librave "Pavarësia, udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit" (UET Press, 2012) dhe "Pushtimi, ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin shqiptar" (UET Press, 2012).

Referimet

Redakto