Isak Shehu lindi në Dibër me 21 gusht 1956 dhe shkollën tetëvjeçare e të mesme i kreu në Peshkopi. Jeta kulturore - artistike e këtij qyteti në këtë periudhe ka qene mjaft e pasur, gjë që ndikoi drejtpërsëdrejti në zhvillimin e prirjeve të tij artistike. Nën drejtimin e Tonin Rrotës (kompozitor i njohur, atëherë drejtues muzike në Estradën e Peshkopisë) dhe Zef Çobes (një kompozitor dhe dirigjent shkodran që punoi ato vite në Peshkopi), mori mësimet e para të muzikës, ku filloi menjëherë me mjaft sukses të shkruajë këngët e para dhe të luajë si orkestrant në orkestrën e qytetit.

Në përgatitjen e tij artistike, në rol të rëndësishëm ka luajtur i ati, Adil Shehu, i cili ishte aktor profesionist dhe këndonte mjaft bukur. Prirjet e tij përveç artit, ishin dhe për shkencat ekzakte, prirje të cilat edhe në sajë të punës se tij, e çuan në fitimin e çmimit të Parë të Olimpiadës së Parë kombëtare të Matematikës, në Mars të vitit 1975. Pas shkollës së mesme, në qershor 1976, konkurron dhe fiton të drejtën e studimit në degët Kompozim dhe Trombë në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve), ku diplomohet në këto dy degë në vitin 1981. Gjatë viteve të shkollës së lartë shquhet për interpretim dhe krijimtari me cilësi të larte artistike, për të cilat vlerësohet me mjaft çmime në Koncertet e Majit të atyre viteve, si i vetmi aktivitet që zhvillohej në ato vite për muzikën serioze.

Në kualifikimin e tij si momente kryesore janë:

a) Specializimi në Santa Cecilia në Rome, Itali, në fushën e Pedagogjisë muzikore dhe në Solistikën trombistike në periudhën 1985-1987;

b) Mbrojtja e doktoratës në periudhën 1987-1996 me temën “Probleme të teknikes e Lojës në Trombë”;

c) Marrja e titullit “Profesor i Asociuar” në dhjetor të vitit 1999; si dhe

d) Marrja e titullit “Profesor” në prill të vitit 2004.

Edhe në fushën e pedagogjisë dhe studimeve muzikore për interpretimin në instrumentet e frymës, kontributi i tij është i ndjeshëm duke patur parasysh që çdo gjë fillonte nga hiçi. Studentet që janë diplomuar me Isak Shehun në specialitetin e Trombës janë mbi 70, pa përmendur ata që kanë mësuar në klasën e tij të Harmonisë, Muzikologjisë, Muzikës së Dhomës, apo të Folklorit, lëndë të cilat ai i ka dhëne ndër vite në Institutin e Larte të Arteve.

Edhe botimet në fushën e muzikës, kanë shërbyer për fillimin e krijimit të traditës në këtë fushë ku mund të veçojmë: Dy “Përmbledhje didaktike për Trombë”, “Loja në Trombë”, “Tromba dhe Trombisti”, “10 etyde Karakteristike për Trombë”, “15 kënge popullore qytetare të punuara për Kuintet Tunxhi” dhe “Loja e shkallëve në trombën Si b”. Që nga shtatori 2011 jep kontributin e tij dhe si profesor i trombës në Fakultetin e Muzikës në Universitetin e Tetovës.

Në krijimtari mund të përmendim veprat: Simfonia “Iliret”, “Koncert nr. 1”, “2”, “3”, për trombë e Orkestër, “Rondo” për dy tromba e Orkestër, “Sonate” për trombë e piano, “Atdheu”  poemë vokalo-sinfonike, “Poemë-Koncert” për Oboe e orkestër, “Variacione” për fagot e harqe,  “Variacione mbi një temë dibrane”  për harqe, “Suitë” për Piano-Kuartet, shume Romanca për vokal e piano, etj. Këtu duhet përmendur kontributi i padiskutueshëm në formimin e tij muzikor, i Profesorit të tij të Kompozicionit, mjeshtrit të madh, ÇeskZadeja.

Aktiviteti koncertal solistik është më i ngjeshur dhe i shumanshëm. Rendësi ka të theksohet fakti se është instrumentisti i pare që nxori instrumentin e trombës në skenat shqiptare, si solist me vepra të mirëfillta simfonike. Ka realizuar mbi 300 koncerte me orkestra të ndryshme dhe të mirënjohura, si shqiptare dhe të huaja, duke performuar si brenda dhe jashtë vendit, ku mund të veçohen Orkestra e Harqeve e Institutit të larte të Arteve, Orkestra simfonike e I L A, Orkestra e Re Filarmonike (Tiranë), Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar, Orkestra e Teatrit të Operas të Odesës (Ukrainë), Orkestra Filarmonike e Sofies (Bullgari), Orkestra simfonike e Plovdivit (Bullgari), Orkestra e Teatrit të Operas së Kraiovës (Rumani), Orkestra e Harqeve e qytetit të Kluzhit (Rumani), Kuinteti “Eufonium” (Itali), etj. Repertori i këtyre koncerteve është shume i gjerë duke përfshire autorë nga Paraklasikët deri tek Bashkëkohorët. Publiku i ka pritur gjithnjë mirë interpretimet e tij cilësore, duke krijuar dashamirësit e tij në të gjitha skenat ku ai luante, ku veçojmë Tiranën, Shkodrën, Peshkopinë, Korçën, Vlorën, Gjirokastrën, Beratin, Lezhën (Shqipëri), Napolin, Peruxhian, Komon, Beneventon, MassaKarraren (Itali), Athinën, Karditsan, Selanikun (Greqi), Odesën e Kievin (Ukrainë), Kraijovën (Rumani), Plovdivin dhe Pazarçikun (Bullgari) etj.

Nuk mund të lëmë pa përmendur në fushën e interpretimit, themelimin nga ai të Kuntetit të tunxhit “Tirana”, si i pari në këtë lloj në vendin tonë, në vitin 1984, i cili debutoi në Koncertet e majit me “Suitën” për kuintet tunxhi të shkruar prej tij. Sot ky formacion është përhapur mjaft në të gjithë vendin.

Por jo i parëndësishëm është dhe aktiviteti i tij si drejtues e producent muzikor. Detyrat shtetërore që ka patur janë:

  • Janar 1988 - Dhjetor 1993, Shef katedre i Instrumenteve të Frymës, në Fakultetin e Muzikës, Akademia e Arteve, Tiranë;
  • Mars 1989 - Shtator 1991, Zevendesdekan i Fakultetit të muzikes, Akademia e Arteve, Tiranë;
  • Janar 2000 - Mars 2003, Zgjidhet Dekan i Fakultetit të Muzikes, Akademia e Arteve, Tiranë;
  • Mars 2003 - Mars 2007, emërohet Zv/ Rektor i Akademisë së Arteve, Tiranë.
  • Ne 2016 zgjidhet Dekan i Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve, post të cilin e rikonfirmon në Maj 2020.

Gjatë gjithë kësaj periudhe është përpjekur të ngrejë në nivelet bashkëkohore shkollën shqiptare të muzikës. Në periudhen 1993- 1998 ka qene drejtues i Shoqatës se Ansambleve të dhomës dhe Instrumenteve të Frymës, me të cilën u gjallërua së tepërmi jeta artistike e vendit, por në veçanti, këto formacione dhe instrumentet e frymës, si të palëvruara deri në atë kohë, filluan të zhvillohen e të zëne vendin që u takon në jetën koncertore. Është drejtuesi i Shoqatës “Orkestra e Re Filarmonike” që nga viti 2004, e cila ka krijuar fizionominë e vet duke nxjerre produksione artistike të një niveli të larte artistik. Me “Orkestrën e Re Filarmonike” janë realizuar të gjitha koncertet e “Tre Tenoreve”, (gjithsej 11), janë realizuar katër edicione të festivalit lirik operistik “MariaKraja”, Shume koncerte simfonike Brenda e jashtë vendit etj.

Në Shtator të 2020 Presidenti i Republikës i jep titullin "Mjeshtër i Madh" për "Cilësinë e lartë të krijimtarisë artistike, kontributin e tij të shquar në shkollën shqiptare të edukimit muzikor, talentin e spikatur interpretues e krijues në instrumentin e trombës, si dhe veprimtarinë e pasur koncertale e solistike brenda dhe jashtë vendit. Drejtues i shumë formacioneve të instrumenteve frymore dhe orkestrave filarmonike, si dhe producent i njohur muzikor."

Në Nëntor të 2020 Bashkia e qytetit Peshkopi i jep titullin "Qytetar Nderi", me motivacionin "Për merita dhe kontribut të padiskutueshëm në fushën e artit, për emërin e mirë që i ka dhënë dhe vazhdon t'i japë Dibrës dhe gjithë Shqipërisë".

Dhjetor 2020