Isuf Gjata lindi në Korçë në vitin 1891. Ashtu si shumë bashkëqytetarë të tij të asaj periudhe edhe ai ndërmori, për arsye ekonomike, që në moshë të re, rrugën e emigracionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë qëndrimit atje, ndonëse i detyruar të përballet me vështirësitë që karakterizonin kontekstin e emigracionit - dikur, ashtu si edhe sot - ai mori pjesë aktive në jetën sociale, kulturore, artistike dhe patriotike të bashkësisë ShqiptareAmerikës, si anëtar i shoqërisë “Vatra” të Bostonit.

Isuf Gjata

Malli për familjen, qytetin e lindjes dhe atdheun e tij e shtyu të kthehet sërisht në Shqipëri, ku filloi punë si mësues. Në Korcë Isuf Gjata vazhdoi edhe veprimtarinë artistike, si anëtar i shoqërisë “Lyra” dhe i orkestrinës së saj të suksesshme, që gjallëronte jetën kulturore dhe artistike të qytetit.

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste nuk u mirëprit në familjen me tradita patriotike të mësuesit Isuf Gjata. Veprimtaria e tij antifashiste dhe ajo e bijve të tij, të cilët u bashkuan që herët me luftën partizane për çlirimin e vendit, ra në sy të regjimit. Për këtë arsye ai u arrestua, u burgos dhe më vonë u internua në “Porto Romano”, në Durrës, ku qëndroi deri në kapitullimin e Italisë. Qëndrimi i tij në kampin e internimit kujtohet nga bashkëvuajtësit si stoik dhe i patundur.

Pas largimit nga kampi i internimit, Isuf Gjata u transferua në zonat e çliruara të rrethit të Korcës, ku iu dedikua hapjes së shkollave fillore dhe kurseve kundër analfabetizmit. Veprimtaria e tij atdhetare dhe antifashiste u këput në mes gjatë Operacionit të dimrit të vitit 1944. Ai u kap në befasi nga gjermanët dhe forcat kolaboracioniste të Ballit Kombëtar dhe u pushkatua.

Figura e mësuesit patriot, dëshmorit Isuf Gjata dhe veprimtaria e tij atdhetare është nderuar në Korcë, në qytetin e tij të lindjes, duke i dhënë emrin e tij njërës prej shkollave të qytetit.