Isuf Sulovari
Isuf Sulovari (Elbasan 15.7.1934 - Tiranë 26.1.2006) piktor shqiptar.
Isuf Sulovari ishte një ndër piktoret e rëndësishëm shqiptarë të Realizmit Socialist. Ai vlerësohet për stilin e tij të veçantë piktorik që e dallonte nga të gjithë piktorët shqiptarë të kohës. Isuf Sulovari pas mbarimit të Liceut Artistik “Jordan Misja”, Tiranë, në klasën e piktorit Sadik Kaceli,studjoi për dy vjet 1959-1961 në degën e pikturës, në Institutin e Arteve Plastike “N.Grigoresku”, Bukuresht (Rumani). U diplomua në Institutin e Arteve, Tiranë në ateljenë e piktorit Vilson Kilica. Pas studimeve kthehet në qytetin e lindjes, Elbasan, ku fillimisht ishte mësues vizatimi dhe më tej pedagog i pikturës në shkollën e mesme artistike “Onufri”. Pas vitit 1996 transferohet me banim në Tiranë dhe vazhdoi të realizonte temat e tij të preferuara, nga puna në bujqësi dhe ndërtuesit. Ekspozoi për herë të parë në Ekspozitën Kombëtare të vitit 1956. Sulovari krijimtarinë e tij kryesore e zhvilloi si piktor i realizmit socialist. Ai ishte piktor i tablosë kompozicionale dhe realizoi temën e ditës, temën historike dhe portretin. Kryesisht Sulovari vlerësohet për stilin e tij të veçantë piktorik i ndikuar nga piktori kubist francez F.Leger (1881-1955) dhe nga piktorë meksikanë të shekullit XX. Duke trajtuar temën e ndërtimit socialist, figurat e tablove të Sulovarit edhe pse ndryshe nga piktorët e tjerë shqiptarë, kishin ngjyra dekorative dhe forma të plota larg natyralizmit akademik. Ai i stilizon figurat, peizazhin dhe objektet e kompozimeve duke evidentuar bukur format e mëdha të figurave dhe peizazhit, e duke preferuar sa më pak detaje. Kjo mënyrë pikturimi krijonte efekte piktorike interesante dhe mjaft individuale dhe e evidentoi shumë shpejt Sulovarin, si një individualitet në pikturën Shqiptare. Një koleksion prej 12 (dymbëdhjetë) veprash të Isuf Sulovarit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve Tiranë. Prej tyre mund të veçojmë, “Aksionistja” 1967, “Peizazh industrial”, 1969, “Kooperativistja e duhanit” 1970, “Mjelësja” 1971, “Gjigandi i Metalurgjisë” 1974. Gjithashtu veprat e tij janë pjesë e Galerisë së Arteve në Elbasan dhe e koleksionistëve të shumtë Shqiptarë. Isuf Sulovari ka marrë pjesë nga vitit 1956-1990 në të gjitha ekspozitat lokale dhe kombëtare. Sulovari gjithashtu ka qenë pjesmarrës në ekspozitat kolektive shtetërore të kohës në disa shtete të ndryshme si në Rumani, Grac Austri (1972), RP.të Kinës (1971), Bienale të Aleksandrisë, ekspozita “Piktorët disidentë” Austri, etj.