Jacques Bourcart (1891-1965) është një gjeolog, gjeograf dhe oqeanograf, doktor i shkencave, profesor dhe akademik francez


Biografia

Redakto

J. Bourcart ishte Oficer i Legjionit të Nderit, përgjegjës i Katedrës së Gjeologjisë në Universitetin e Parisit (Sorbonë), ku dha mësim mbi 35 vjet, anëtar i Akademisë së Shkencave (1962), ish president i Shoqatës Gjeologjike të Francës (1943), këshilltar shkencor i Marinës Luftarake Franceze (1954). Si gjeolog e gjeograf ai u bë i njohur fillimisht për punimet e tij mbi Shqipërinë dhe Marokun, para se t’i kushtohej një fushe të re kërkimesh e studimesh, asaj të gjeologjisë së thellësive detare, prandaj mbahet si një nga themeluesit e oqeanografisë moderne. Gjatë tërë veprimtarisë së tij shkencore pesëdhjetëvjeçare botoi mbi 300 punime, si kumtesa, artikuj, tekste mësimorë dhe libra të ndryshëm. Jacques Bourcart erdhi në Shqipëri gjatë Luftës I Botërore si oficer i Armatës së Lindjes, në detashmentin e vendosur në Korçë dhe qëndroi në vendin tonë, si i ngarkuar me detyra të veçanta në administratën ushtarake franceze të Shqipërisë juglindore deri në qershor 1920. Ai kaloi më këmbë tërë këtë vend duke u marrë me shtrimin e linjave të ndërlidhjes telegrafike dhe telefonike dhe me studimin e gjeografisë së tij. Por natyra e tij e një gjeologu kureshtar e çoi të kryente edhe studime, shpesh të një pionieri mbi gjeologjinë e kësaj treve, të cilat i bëri të njohura botërisht, në vitet 1918-1926 në rreth 40 kumtesa, artikuj e libra. Por në to ai foli edhe për probleme më të përgjithshëm të botës shqiptare, duke e treguar veten jo vetëm si një gjeolog i dorës së parë dhe një gjeograf i vëmendshëm, por edhe si një njohës i mirë i jetës materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve. Në 1922 ai mbrojti në Universitetin e Parisit (Sorbonne) doktoratën me temë mbi gjeologjinë dhe gjeografinë e Shqipërisë së Mesme, të shoqëruar me hartën e shkëlqyer gjeologjike 1:200.000 të Shqipërisë Juglindore. Ky punim i tij, me ndarjet e hollësishme stratigrafike të depozitimeve të terciarit i qëndroi kohës, siç është vërtetuar nga studimet e mëvonshme. Në një vepër tjetër të njohur mbi tektonikën (1925) ai dhe një skemë të plotë tektonike që përfshin tërë territorin e sotëm shqiptar, duke vënë theksin mbi stilin e tij tektonik me napa të mëdha sharriazhi, veçanërisht të ofioliteve, siç pranohet sot botërisht në frymën e tektonikës së pllakave. J. Bourcart dha një ndihmesë të shquar edhe për studimin e gjeografisë fizike dhe njerëzore, si dhe për njohjen e dokeve dhe zakoneve, të etnografisë dhe të kulturës materiale e shpirtërore dhe, madje, të së ardhmes ekonomike të Shqipërisë. Ai foli për tipin antropologjik të shqiptarëve dhe për besimet fetare, për vendbanimet dhe llojet e banesave si dhe për mënyrën e jetesës dhe organizimin komunal, foli për bujqësinë dhe blegtorinë, për zejtarinë e tregtinë. Ishte i pari që mblodhi shumë terma gjeografike dhe gjeologjike si dhe toponime shqipe dhe i përdori ato në veprat e tij krahas termave përkatëse në frëngjisht. Dhe korolari i tërë këtyre vrojtimeve të tij ishte vepra "L'Albanie et les Albanais" (1921), pekthyer nga Asti Papa dhe botuar ne 2004 : Shqipëria dhe Shqiptarët.

Veprat kryesore mbi Shqipërinë

Redakto
  • BOURCART, J. - L'Albanie et les Albanais. – Editions Bossard, Paris 1921, 264 p. Përkthyer shqip nga Asti Papa : Shqipëria dhe Shqiptarët, Shtëpia Botuese “Dituria”, Tiranë 2004,200 f.
  • BOURCART, J. - L’Albanie. – La Géographie, Vol. XXXV, N°3, Paris 1921, pp. 319–321.
  • BOURCART, J.- L’Albanie et son avenir économique. – France-Orient, N°3, Paris 1921, pp. 32–41.
  • BOURCART, J. - Les peuples des Balkans. – 'La Géographie', Vol. XXXV, N°4, Paris 1921, pp. 329–342.
  • BOURCART, J. - L’Albanie et sa population. – La Géographie, Vol. XXXVI, N°4, Paris 1921,pp. 510–511.
  • BOURCART, J. - Les confins albanais administrés par la France (1916-1920). Contribution à la géologie et à la géographie de l’Albanie moyenne.- Editions Delagrave, Paris 1922, 380 p.
  • BOURCART, J. - Observations nouvelles sur la tectonique de l’Albanie moyenne.- Bull. Soc. géol. France, 4ème Sér., Vol. XXV, Paris 1925, pp. 391–429.

Referime

Redakto
  • PAPA A. - L’oeuvre de Jacques Bourcart sur l’Albanie. – Studia Albanica, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2001, Viti XXXIV, f. 171-184.
  • PAPA A. – Jacques Bourcart dhe Shqipëria. – Në : Shqipëria dhe Shqiptarët, Shtëpia Botuese “Dituria”, Tiranë 2004, faqet 7-15.
  • FJALORI ENCIKLOPEDIK SHQIPTAR – Akad. Shk. e Shqipërisë, Tiranë 2009, Vëll. I, faqja 336.