Jean-François Lyotard

filozof francez

Jean-François Lyotard (1924-1998) është një filozof dhe teoricien letrar francez, i mirënjohur për artikulimin që i bën postmodernizmit të gjysmës së dytë të viteve 70-të, si dhe për analizimin e impaktit të postmodernizmit te gjendja njerëzore. Vepra e Lyotard karakterizohet nga një kundërshtim konstant i universaliteteve, metanarrativave dhe përgjithësimeve. Ai është kritik i ashpër i pretendimeve "universalizuese" të Iluminizmit dhe shumë vepra të tij i kushtohen pikërisht shpërbërjes së parimeve bazë nga gjenerohen këto pretendime.[1]

Kushti Postmodern: Raport mbi Situatën e Dijes (La Condition Postmoderne: Rapport sur le Savoir) është botuar për herë të parë në vitin 1979, në Paris. Në vitin 2011 ky libër është përkthyer në shqip nga Orgest Azizi dhe është botuar si pjesë e Kolanës së Filozofisë dhe Shkencave Politike. Kushti Postmodern: Raport mbi Situatën e Dijes është një libër filozofik i shkurtër por tejet ndikues ku analizohet epistemologjia e kulturës postmoderne dhe fundi i metanarracioneve, thelb i modernitetit. Për Lyotard-in, metanarracionet, mes së cilave, reduksionizmi dhe nocionet teleologjike të historisë njerëzore si Iluminizmi dhe Marksizmi janë zhvleftësuar prej zhvillimit teknologjik në fushat e komunikimit, masmediave dhe shkencave kompjuterike; shkenca moderne shkatërron metanarrativën e vet. Lyotard parashikon mbizotërimin e pluralitetit të narrativave të vogla konkurruese mes tyre si zëvendësim të totalitarizmit të metanarrativave, për çka vepra u akuzua si relativiste. Por Lyotard-i nuk mungon të propozojë edhe ekzistencën e të vërtetave objektivave, por këto, për shkak të kufizimit të aftësive kuptuese të njeriut mbi një dije në vetvete gjithashtu të kufizuar, nuk do të mund të perceptohen kurrë prej tij. Me fjalë të tjera Lyotard-i mendon se nuk ka siguri idesh por vetëm mënyra më shumë a më pak efiçente të interpretimit të gjërave. Kjo është edhe vepra që përdori së pari termin "postmodernizëm".[1]

  1. ^ a b Kushti Postmodern: Raport mbi Situatën e Dijes - Jean-François Lyotard