Këneta e Maliqit është një ngjarje historike e cila i referohet të ashtuquajturës "organizatës sabotatore" në tharjen e kënetës së Maliqit në vitin 1946. Për tharjen e saj u angazhua një grup inxhinierësh, si: Abdyl Sharra, Kujtim Beqiri, Vasil Mano dhe Zyrika Mano. Ata u ekzekutuan nga pushteti popullor i asaj kohe si spiunë dhe sabotatorë të sistemit totalitar në Shqipëri. [1]

Në vitin 1946, këtij grupi iu besua puna e bonifikimit të kënetës së Maliqit dhe se ujin e saj do ta devijonin në lumin Devoll. [2] Këneta duhet të thahej për gjashtë muaj dhe, meqë kjo fazë e parë dështoi, qeveria sajoi grupin e sabotatorëve, ku një pjesë e tyre u ekzekutua dhe një pjesë tjetër u dënua me burg.

Janë dy faza të ashtuquajtuara të Kënetës së Maliqit, të cilat përkojnë me dy grupe sabotatorësh. Në fazën e parë, e cila përfundoi në nëntor të vitit 1947, u ngrit një proces gjyqësor i montuar për të ekzekutuar grupin e inxhinierëve dhe punonjësve të ndërmarrjes për tharjen e kënetës. Qeveria kishte vendosur si afat që këneta duhet të thahej në datën 1 tetor 1946, pa marrë parasysh problemet që lindën gjatë punës së kësaj vepre madhore. Mungesa e mjeteve të punës dhe e njerëzve të shkolluar shënoi pikënisjen e një vale të re arrestimesh për spastrimin në masë të të gjithë atyre që kishin studiuar në shkolla perëndimore. [3]

Grupi i parë i sabotatorëve

Redakto

Në grupin e parë të sabotatorëve bëjnë pjesë rreth 80 ish-nxënës që kishin studiuar në shkollën e mesme teknike "Harri Fulc". Me dënimin e tyre, u goditën ashpër shtresat e kuadrot e lidhur me idealin e demokracisë perëndimore përmes instalimit të luftës së klasave në Shqipëri, duke goditur kështu shtresat e pasura dhe të shkolluara. Ky veprim shprehte se qeveria në pushtet po zhdukte njerëzit e kualifikuar e të arsimuar me orientim nga kultura demokratike perëndimore që përbënin shtresën nga e cila mund të formohej elita e së ardhmes në vend.

Qëllimi i këtij procesi gjyqësor ishte jo vetëm asgjësimi i këtyre intelektualëve për të shmangur rrezikun për instalimin e regjimit komunist, por edhe nënshtrimi i qeverisë shqiptare para Partisë Komuniste Jugosllave (PKJ), pasi asokohe, qeveria e Tiranës propagandonte miqësinë me Jugosllavinë dhe bashkimin me të.

Në një klimë të tillë politike, propagande dhe ndërtimit të një strukture shtetërore të drejtuar nga Partia Komuniste, si: Sigurimi i Shtetit dhe Gjykatat Ushtarake, të cilat konsideroheshin si grushte të hekurta të sistemit kundër "armiqve të regjimit", nis gjyqi i famëkeq kundër inxhinierëve.

Bazuar në pëmbajtjen e dosjeve të këtij gjyqi, Sigurimi i Shtetit përdor emërtimet të llojit: tekniko-kriminale, organizatë agjenturore, organizatë tekniko-sabotatore, etj që qartazi tregojnë forma të propagandës.

Gjithashtu, Sigurimi sajoi që inxhinierët u bashkuan dhe u lidhën me njëri-tjetrin kundër sistemit dhe bonifikimit të kënetës. Në kushte të vështira, torture dhe presioni, të pandehurit pranuan se një sabotatim i tillë ishte kryer me qëllime jo vetëm ekonomike, por dhe politike. Ata deklaruan se i kishin ndarë detyrat sabotatore, me porosi të Harri Fulcit, mes tyre, ku Abdyl Sharra do të sabotonte "punët në kanal".[4]

Procesi gjyqësor i tyre filloi më 8 nëntor 1946 dhe zgjati 10 ditë.

Grupi i dytë i sabotatorëve

Redakto

Pas përfundimit të gjyqit më 8 nëntor 1946, Sigurimi i Shtetit kishte në plan të godiste një grup tjetër sabotatorësh dhe kundërshtarësh të regjimit komunist. Këtë herë, Sigurimi po punonte të zbulonte sabotatime të tjera në qarqe të ndryshme në Shqipëri, lidhjet që grupi i parë kishte me pasur më parë. Kështu, më 29 tetor 1946, organet e Sigurimit arrestuan inxhinierin Aleks Vasili, gjeometrin Mirush Përmet, gjeometrin austriak Hans Vala, etj. Ata akuzoheshin për të njëjtat arsye si grupi i parë, si armiq të popullit, sabotatorët e pushtetit dhe anëtarë të grupit të inxhinierëve të Maliqit. Gjyqi i tyre filloi më 21 nëntor 1946 dhe të pandehurit pranuan se nuk kishin simpati për regjimin dhe se në Maliq punët nuk kishin ecur si duhet. Edhe pse pranuan që kishte pasur vonesa, mungesë organizimi, se ishin fajtorë që nuk kishin folur më përpara për këto probleme në Maliq, ata nuk pranuan asnjëherë që ishin pjesë e një grupi sabotatorësh.

Megjithatë, kjo gjë nuk e pengoi prokurorin të dënonte inxhinier Aleks Vasilin, gjeometër Mirush Përmetin, etj me 30 vite burg.

Lidhje të jashtme

Redakto

Këneta e Maliqit, “Organizatë tekniko-sabotatore

Referime

Redakto
  1. ^ E vërteta e inxhinierëve të Kënetës së Maliqit. Tiranë: Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH). 2019. fq. 9–12. ISBN 978-9928-4553-3-8.
  2. ^ "Si e thamë kënetën e Maliqit me gjak!". Telegraf.al.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  3. ^ E vërteta e inxhinierëve të Kënetës së Maliqit. Tirana: Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH). 2019. fq. 14. ISBN 978-9928-4553-3-8.
  4. ^ E vërteta e inxhinierëve të Kënetës së Maliqit. Tirana: Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit. 2019. fq. 22. ISBN 978-9928-4553-3-8.