Kënga e Beratit
- “O Berat, o Berat !
- (Këndoi Mara që menatë)
- sa bonjakë na ke lënë !
- Sa të veja shkulën flokët !
- Ditë vrasje, ditë e zezë
- Mos ardhsh kurrë më në jetë !
- Nata e vdekja të mbuloftë !
- Dielli kurr’mos të gëzoftë !
- Nga të katër an’t e dheut
- Tufa-tufa vinin qiftet
- E nga gjith’shpellat e malevet,
- Zbrisnin bisha këtu-atje ;
- Gjak në erë, gjak në re,
- Gjak në ujë, gjak në dhe ;
- Gur më gur një copë mish
- Kreje a llëre trimash kish !
- Zonj’Mamica atë natë
- Pa një ëndërr keq të gjatë,
- Se iu duk i shoqi i verdhë
- Me gjith’kurmin copëtuar
- E kurorëzat mbi shtrat
- I mbuloi me shqep të zi ;
- Hoq unazën e martesës
- E ia ndau më dy pjesë,
- Një e mbajti, një ja dha,
- Pra u zhduk e gjë s’i tha.
- Natë e ditë ajo vajtoi,
- Por nga varri dot s’e çoi”.
- Ashtu Mara më këndoi,
- Nuk këndoi, por rënkoi ;
- Që nga oda e dëgjoi
- Zonja Lenë e ma qortoi :
- - “E përzishme, zonja nuse,
- T’u çel kënga që menatë ;
- Mos ndonjë ëndërr të keqe
- A të vdekur ti ke parë ?”
- - As ndonjë ëndërr të keqe
- As të vdekurit kam parë,
- Por e kam zemrën të thyer
- E pahir më dalin lot.
- Çfarëdo shoh, e shoh në zi.
- Ububu ! Ky Niku ynë,
- Kur u nis, seç u helmua
- Dhe unazën më kërkoi !...
- Vemi, nën’, vemi mbi kodër,
- Tek zbulohen gjithë fushat,
- Mbase Nkiu na rikthehet !”
- Van’ të nxirat përmbi kodër,
- Tek zbulohen gjithë fushat,
- Mbase niku na rikthehet !”
- Van’ të nxirat përmbi kodër
- E vërejtën djathtas-majtas,
- Kur përderësin me shkop
- E me trastë pan’tek qante
- - “O përderës, derëzi,
- Paç uratën, përse qan ?
- A mos kafshët t’i kan’ vjedhur,
- A koliben ta kan’ djegur,
- Apo birëthin e humbe
- Në këto luftëra të shkreta ?”
- - As kafshët e as koliben,
- As dhe birëthin es’po qaj...
- Sytë e mi u bënë lumë,
- Që për Arbërin kullon...-
- - “Fol’ti, zë i fatit t’keq !
- (thirri vasha si e zalisur)
- Ç’mizori pe në ushtri,
- Si ra Arbëri në zi
- Fol’ ! Ndër flamurët e luftës
- Qift’n e Petës a e pe ?”
- U përgjigj ai derëziu :
- - “Them, un’them se dje menatë
- atje lart në Myzeqe
- ndiheshin gjëmë e llumabardhat
- gjithë bota seç gjëmonte,
- tymi i dyfeqevet
- gjithë malet mjegullonte ;
- zbardgëllimet të shpatavet
- gjithë fushat seç shkëlqenin,
- gjakut të ushtarëvet
- lumenjt’seç mbuloheshin ;
- nga copat eushtavet
- bëheshin ura e ngriheshin male ;
- si tallazi i detit bie,
- pastaj kthehet në thellësi
- e si arat e bleruara
- tunden erës, që i përthyen,
- vej e vinin duke u shtytur
- gji më gjin ushtar më ushtar.
- Por në orën që lëshon qetë
- Punëtori e sanë u jep
- E para kolibes s’vet
- Kafshon pakëz buke e kripë,
- U ndryshua pamja e luftës,
- Për nga e djathta si shkreptimë
- U sul mbreti e shpoi gardhin,
- Gardhin e shkretë të heshtavet.
- Tek e rënda kordhë binte,
- Binin krerët breshërimë.
- E kaloi plot me zhurmë
- Duke shkelur me murgjarin
- Të vdekur e të plagosur,
- Ndërsa më të mëngjërën
- Dukagjini, që e pa,
- Mbi armiqtë si një shkëmb ra,
- por ndër grykat me Baderin
- Juniçerët u shtrënguan,
- Trup më trup duke bashkuar
- Dhe mburojën me mburojën
- Porsi ndonjë ledh i hekurt,
- I patundur dhe i tmerrshëm.
- Më kot trimat guximtarë
- Kryet përpoqën n’të ledh,
- se goditur përdhe ranë.
- Atëherë dhjet’kalorës,
- Dhjet’dragonj u ranë shporevet,
- Dhjet rrufera në stuhi,
- U vërvitën mu në mes ;
- Zgjatën ushtat si purteka,
- shtinë, vranë, copëtuan,
- ngritën pirgje k’tu e përtej
- me të vdekur e t’plagosur
- edhe hapën dyer të gjëra,
- shtruan një udhë keq të gjatë
- si një brazdë ndër të mbjella.
- Ashtu Drini i Zi në dimër,
- mbushur nga përrenjtë e malevet,
- vjen i fryrë e i tërbuar,
- përpjek uj’rat e liqenit,
- i merr zvarrë e i ndan dysh ;
- Ngrihet lart tallazi i bardhë
- E rreth brigjeve gjëmon ;
- Por si uj’rat e liqenit,
- Që, si ndahen, prapë kthehen,
- kthehen vrap e bëjnë shesh,
- sa dhe lumin e mbulojnë,
- ashtu bë’kopeja e egër ;
- (Si pa që pak po sulmonin),
- duke u mbledhur dhe shtrënguar,
- prapa t’dhjetëvet u mbyll.
- Mbreti ahere e Dukagjini,
- Si shpërndan’tjerët, u kthyen
- Dhe ran’ bashkë mbi Baderin.
- Para, prapa ; k’tej’andej,
- I copëtuar e i thyer,
- qeni i shkret’zu e u zbyth ;
- Po i pazgjidhur e i tërë
- Brenda vaut ai u mblodh ;
- Si ariu i Tomorit,
- I përzënë nga barinjtl,
- Njërin vret, tjetrin e shqyen ;
- Sado i çjerrë e përgjakur,
- Po pa frik’ në t’madhen zemër,
- Kthehet shpatit prej nga doli,
- nginjur gjaku e ngopur mishi.
- Si u ngrys, mbreti u tërhoq
- Me të gjith’ushtrin’në fushë,
- Ndezi dhe zjarret e natës,
- Për t’plagosur u kujdes...”
- - “Mos, të zëntë nëma e zezë”
- (Thirri Mara si e çmendur)
- Qifti i Petës a u mblodh,
- A ma pe ndër të plagosur ?” –
- Ai heshti, s’u përgjigj,
- U zverdh e me sy në truall
- Lotët i binin pikë-pikë.
- Kuptoi vajza e drejt udhës
- Zbriti duke ulëritur ;
- Jo, nuk zbriti, u rrokullis
- E nga malet perëndoi
- * * *
- Gjithë natën, gjithë ditën
- Me kalorëtit e mi
- Unë brodha pa pushuar ;
- E përshkova nëntë fusha,
- nëntë fusha e nëntë male
- Duke prerë, duke vrarë
- Qentë e shprishur dhe të ikur.
- Si u zhdukën dhe të sprasmit
- Përtej brinjës së Mokreut
- Edhe dita si u ngrys,
- hoqa shokët e u ktheva.
- Sa më shumë i qaseshim fushës,
- Vrehej, errej zemra ime,
- Prekur vrasjes së trazuar,
- Pasi zjarri u shua në hi.
- Se gjith’drizat e barishtet
- Ishin lyer në të kuq
- Edhe brazdat e hendeqet
- Ishin plot me gjak të piksur.
- Afër vaut në Vajkal,
- Ku u ndez e ashpër lufta,
- Ishin t’vdekurit mal-mal,
- E ndër stivat e të vdekurvet
- Qen e ujq buzëngjyer
- Grisnin, shqyenin bark e zorrë,
- Ndërsa, duke krakëllitur,
- Si re diellin mbulonin
- Korba, sorra e skifterë.
- Sa e bukur djalëri,që gjer dje i hante retë
- Sot ka heshtur përgjithmonë
- Porsi pleh shtënë në dhe !
- Në sa trajta vdekja e shkretë
- M’u dëftua në atë pamje !
- Këtu një ushtar i ri
- Mbylli sytë duke qarë
- Mëmëzën duke kujtuar,
- Që e priste, oh, më kot !
- Atje armiku krah armikut
- Si dy qen kafshoheshin,
- Se dhe t’vdekur donin t’vriteshin.
- I trazuar e i helmuar,
- Hoqa syt’nga pamja e keqe,
- Ktheva syt e afër urës
- Pash’papritur një murgjar
- Me kryet ulur mbi truall
- E me frerat nëpër këmbë,
- Me mbulesën copë-copë
- E me shalën-o nën bark.
- Un’iu qasa jo pa droje,
- Se mbulesa në ar qëndisur
- Një dyshim të lig më ngjalli,
- Se m’u duk një luaneshë
- N’fush’të gjelbër e qëndisur.
- Pranë murgjarit një ushtar
- Me dhjet’shigjeta në gji
- Shtrirë ish si ka i therur.
- Me dhëmb’ flamurin shtrëngonte,
- kordhën e mbante në grusht
- E me ballin kthyer qiellit
- Edhe vdekjen e përbuzte.
- As nga pendët e shqiponjës
- As nga parzmor’ e argjëndtë,
- Por nga vetullat e trasha
- E nga sytë e zgurdulluar
- Pal Golemin unë e njoha ;
- E kërceva mos ish gjallë ;
- E tërhoqa me kujdes,
- Ku ish bari më i shkriftë.
- Rripta ia preva parzmores,
- Vura dorën përmbi zemër
- E ajo m’u tund nën të.
- Shpejt vrapova gjer te lumi,
- Mora e solla një pikë ujë
- E ia derdha përmbi faqet ;
- Ai u shtriq me psherëtimë
- si njeri në gjum’të rëndë,
- Tundi kryet e m’u kthye ;
- Si më njohu, pa lënguar,
- me një t’humbët zë më tha :
- “Lëri të vdekurit në vend,
- lem’ të fle përgjithmonë
- te ky shtrat i nderit tim,
- mu tek eshtrat e të vrarëvet,
- e të vrarëvet nga kjo dorë
- që gjithmon’do m’jen’ kurorë.
- Na këtë flamur e mbretit
- Të m’i thuash këto fjalë :
- “Pal Golemi edhe i vdekur
- i tmerroi armiqt’me sy
- e, si ikën, pra ai ra.
- E t’u thuash shokëvet t’mi :
- Pal Golemi nuk ka vdekur,
- Zëri i luftës do ta ngrerë
- E do jen’gjithmon’me ju
- Krahu, kordha e zemra e tij.
- Tashti, Balë, në atë lis
- Var mburojën e parzmoren,
- Shtoji karkallin e zi
- E mbi to dhe kordhën time.
- Pra, kur dielli të shkëlqejë
- E me rreze t’i qëllojë,
- Prej shkreptimavet të tyre,
- T’kapur tmerrit, do të bien
- Gjithsa m’u trembën në jetë ;
- E në qetësinë e natës
- Ata hekura e çeliku,
- tundur erës së Mokreut,
- një ushtri e gjall’do t’i duken
- Qenit t’qasur n’errësirë.”
- Foli e kryet i ra në gji.
- Shtrembëroi sytë përdhe
- Me të gjtih’kurmin u shtri.
- Unë u ngrita, se m’u sos
- E nga shokët-o u ktheva
- Që t’i hapnim bashk’një Varr.
- Atje poshtë i pashë ata
- Duke prur’ një të plagosur ;
- Tezgën bër’ kishin me llërë.
- Si u afruan, u zalisa,
- Kur e pash’të artin qift
- Sqepin ngritur, krahët shtjellë
- Mbi atë karkall prej bronzi.
- Ish i bardhë si qiri,
- Kryet rënë kish mbi supq,
- flokët i ngisnin përdhe,
- gjaku i rridhte pika-pika
- qafës s’hapur si një shegë,
- jeta mbledhur i ish në sy.
- Si më pa, me dhemshuri
- Më vërejti e buzëqeshi :
- “Mos më qaj, vëllauthi im,
- Mos më qaj në zulmën time,
- Në kët’ditë flamurtare,
- Në kët’ditë t’Arbrit tonë !
- Po në ushtri kthehu e thuaju
- E t’i thuash edhe darës :
- - Malli i mir’në djalëri
- Është si vajtë e kandilit ;
- Niku dhëndërith i ri
- Dasmën me luftën ndërroi
- Edhe vallet me Vajkalin,.
- Njëqind qenër m’u vërsulën
- E të njëqind dhe po hanë ;
- Pastaj Bader tradhëtari
- Që nga prapa më qëlloi.
- E t’i thuash edhe mëmës :
- - Niku u nis e do mënojë,
- po ti, nënë, mos e prit.
- Pse për birëthin, që humbe,
- Ai një bijëz të ka lënë,
- ty ta ka truar përjetë !
- Pra lart ngjitu në çardhak,
- nuses sime të m’i falesh,
- S’bukurës së Lalës-o,
- Ndërsa ajo më kujton,
- Më kujton me zemër-o :
- - Këtë unazë ta dërgoi
- Niku yt, se t’u martua,
- T’u martua me një plakë,
- Me një plakë kaq të zezë
- E ti, e bukur t’i martohesh “ –
- Sosi fjalën e m’u shgua
- Si kandili, kur s’ka vaj,
- Si një lulëz e këputur,
- Që dhe e fishkur erë mban.
- E, ndërsa ne po mendonim
- që në varre t’i mbulonim,
- përkëtej urës një vajzë
- na u dëftua si një hije.
- Flok’t i kishte të ndërliksur,
- Syt’ të futur thell’në ballë,
- Me fustanin copë-copë
- E me këmbët të përgjakura :
- “o ushtarë, o vëllezër,
- ju përher’ të lumë qofshi !
- Mbase pat’në këtë fushë
- Një kalorës trim të ri
- Me një karkall-o të artë,
- Ku një qift i fluturon ?
- Ar’i karkallit përzihet
- Me një tuf’flokësh të verdhë,
- E ka ballin porsi dielli
- Ka dy sy si sy shkëndija,
- Dy shkëndija të shkreptimës ;
- E ka gojën si unazë
- Edhe fjalëzën të ëmbël
- Porsi hojet e pranverës...
- Deh, ju lutem, më kallëzoni !”
- Sy ndër sy ne u vërejtëm,
- në lot sytë na u mbytën,
- Helmi buzën na e qepi.
- Ajo u zverdh e na vështroi
- E u kthye dhe, sa e pa
- Shtrirë t’vdekurin mbi dhe,
- Dha një britmë e në krahë
- E ftohtë si borë i ra.
- Vam’t’i flisnim, s’u përgjegj,
- Vam’ta preknim, nuk lëvizi,
- Vam’ta ngrinim e na vdiq.
- Zemra e mbushur m’Nik’n e saj,
- Rritur me mall e hare,
- Si u rëndua helmit t’keq,
- Më s’i nxuri dhe i plasi.
- Jan’ dy varre në Vajkal ;
- Fle te njëri Pal Golemi
- E mbi të mbiu një lis
- Me gjith’ gjethet në blerim.
- Fle te tjetri Niku i Petës,
- Vasha e lalës i fle pranë,
- Se, si u deshën përmbi dhe,
- Ashtu duhen dhe nën dhe ;
- Atje mbiu një qiparis,
- Mbiu dhe molla e bardhë !
- Mori bijë, bija e Lalës,
- Moj e bukur, e trishtuar,
- Pse m’kujtove mot’n e shkuar ?