Kadmi
Ky artikull nuk citon asnjë burim, prandaj mund të mos jetë i saktë. |
Ky artikull ose seksion duhet të përmirësohet sipas udhëzimeve të Wikipedia-s. Ju lutemi ndihmoni edhe ju në përmirësimin e këtij artikulli. |
Kadmi (greqisht: Κάδμος, Latin: Cadmus) - i biri i Agenorit, mbretit të Sidonit dhe gruas së tij Telefasës, themelues i Tebës në Beoti.
Rininë e kaloi në Sidon, në bregun lindor të detit Mesdhe, në mesin e vëllazërve Fenikës, Kiliks, Tas dhe motrës Europa. Një ditë në mënyrë të pashpjegueshme u zhduk Europa dhe Agenori u urdhëroi djemëve që të nisen për ta kërkuar, duke iu kërcnuar me vdekje por mos të kthehen deri sa mos ta gjejnë. Feniksi dhe Kiliksi së shpejti hoqën dorë nga kjo dhe u vendosën në vendin e parë që u pëlqeu. Kadmi vazhdoi kërkimin, por motrën nuk e gjet, sepse e kishte rrëmbyer dhe fshehur vetë Zeusi, zoti suprem. Nga frika prej babës edhe Kadmi vendosi që të mbesë në vend të huaj dhe me shokët që e përcillnin shkoi në Delfe për të pyetur për këshillë orakullin e atëhershëm për vendin se ku të vendoset. Zoti Apollon, me gojën e Pitisë, i tha që të udhëtoj deri sa mos ta gjejë lopën me pullë të bardhë në ballë e cila ende nuk e kishte njohur zgjedhën dhe, ku të shtrihet ajo lopë, aty le ta ndërtojë kështjellën dhe të themelojë qytetin.
Kadmi e dëgjoi këshillin e Apollonit, por siç u tregua, lopa nuk e kish¬te zgjedhë vendin fatlum për qytetin e ri. Aty nuk kishte pasur ujë, prandaj Kadmi nuk ka mundur që t'ua ofrojë flijimin gjegjës zotërave. Andaj i dërgoi shokët e vet në pyll për të gjetur burim. Këtë e gjetën në një shpellë të thellë, por nuk munden të marrin ujë, sepse në shpellë jetonte gjarpri i madh me kokë dragoi i cili i shkyente posa i shihte. Pas pritjes së kotë Kadmi u nis për t'i kërkuar. Kur i gjet dhe pranë tyre e vërejti gjarprin, menjëherë kuptoi se çka ka ndodhur. Pa u hamendur çoi heshtën dhe menjëherë hudhet në të dhe pas betejës së rëndë e vret. Siç u tregua më vonë, ky ishte gjarpri i Aresit, zotit të luftës.
Dëshpërimin e Kadmit për shkak të humbjes së shokëve e shioi hyjnesha Athena, e cila nuk e donte aq shumë zotin Ares. E këshilloi Kadmin që nga goja e gjarprit t'i nxjerrë dhëmbët e dragoit dhe t'i mbjellë nëpër fushë. Kadmi veproi ashtu dhe i habitur shikonte se çfarë fryti do të sjellë kjo mbjellje e dragoit: nga toka mbiu njësia e ushtarëve të armatosur dhe, siç u ka hije ushtarëve, menjëherë u lëshuan në luftë dhe e vranë njëri tjetrin. Kur mbetën vetëm pesë më të fortit, Athena u urdhëroi që t'i dorëzojnë armët dhe të përbetohen për besnikërinë ndaj zotërisë së tyre të ri, Kadimit, mbretit të ardhshëm.
Pastaj me ndihmën e ushtarëve u ndërtoi Kadmenë, kështjellën me shtatë dyer, të rrethuar me muret e larta dhe qytetin që e quajti Teba. Banorëve që i vendosën aty ua dha ligjet e urta dhe të drejta,ndërsa prej burrave e krijoi ushtrinë e pamposhtur, komandantët e të cilave u bënën ushtarët e lindur nga dhëmbët e dragoit. Pastaj u martua si mbret i fuqishëm dhe i pasur: për grua ia zgjodhën vetë zotërat Harmoninë, bijën e bukur të Aresit dhe të Afroditës dhe vetë morën pjesë më dasmën e tyre.
Por zotërat janë tekanjozë dhe më tekanjozi ndër ta është Aresi, zoti i luftës. Ndonëse ka qenë vjehrri i Kadmit dhe gjyshi i fëmijëve të tij,nuk ka mundur t'ia falë vrasjen e gjarprit të tij të shuguruar dhe nuk ia dëshironte të mirën. Edhe hyjnesha Artemida e cila me kohë nuk i ka pasur llogaritë e spastruara me Afroditën, hyjneshën e bukurisë dhe të dashurisë, i sillte Kadmit kokëçarje dhe pikëllim. Për shkak të fajit të vogël, madje edhe të paarsyeshëm, e vrau Akteonin, nipin e tij. Kur për shkak të intrigave të hyjneshës Hera i humbi edhe Semelën dhe Inën, bijat e veta, vendosi ta braktisë Tebën dhe me Harmoninë shkoi në Iliri.
Kadmi nuk ka mundur ta kuptojë shkakun e fatit të vet të kobshëm. Ishte sundues i drejtë dhe i guximshëm, kujdesej për qytetin e vet dhe zotërave u ofronte flijime të begatshme. Kur njëherë, në Iliri, mendonte mbi të gjitha këto, i ra ndërmend gjarpri i Aresit. Dhe tha: "Poqëse kjo është për shkak të gjarprit, atëherë më mirë është dashur që zotërat të më kishin shndërruar mua vetë!" Dhe po sa tha këte, trupi iu Zgjat, këmbët iu ngjitën, gjuha iu nda. Prej fjalëve me të cilën e thirrte Harmoninë për ta përqafur për herë të fundit, i mbeti vetëm fërshëllima e gjarprit. "O zotëra, më mirë të më kishit shndërruar mua në gjarpër!" klithi Harmonia. Dhe zotërat të cilët përndryshe nuk nguteshin t'i plotësonin lutjet e njerëzve vdekatarë, menjëherë i dhanë fund tragjedisë. Në shembëlltyrën e gjarprit e përfunduan jetën e themeluesit të fisit mbretëror teban - themeluesit të Tebës, qytet me shtatë dyer.
Në burimet greke miti mbi Kadmin është ruajtur në verzione të ndryshme. Sot e njohim në trajtën të cilën ia ka dhënë poeti romak Ovidi, në Metamorfozat. Ngjarjet nga miti janë ruajtur sidomos në piktura në vaza, p.sh. Beteja e Kadmit me dragoin katërmbëdhjetë herë, Martesa e Kadmit dhe Harmonisë në ekzemplarët tejet të lashtë dy herë (për nga koha përafërsisht nga fillimi i shek VI para e.s. dhe sot gjendet në Luvër të Parisit dhe në Universitetin e Gottingenit). Interesin që ia kushtuan artistët, në kohën e fundit e kanë marrë historianët dhe arkeologët. Sikurse edhe në mitin për Pelopsin në të e gjejmë dëshminë e hipotezës në çdo mënyrë, se një pjesë e grekëve në atdheun e sotëm është vendosur nga Azia e Vogël. Kuptohet se kjo është vetëm hipotezë. Mirëpo, gërmimet më të reja në Kadme, në qendrën e Tebës së sotme (Thivai i sotëm) i kanë nxjerrë në dritë vulat me shkrimin me kuja të tipit të Azisë së Vogël të lashta gati tre mijë vjet. Kujtimi në mitin për Kadmin nuk është zhdukur deri më sot: për punën që sjell humbje thuhet edhe sot: "mbjellja e dragoit".