Kadrush Radogoshi (Gjakovë, 15 shtator 1948) është një poet, dramaturg, novelist, romancier dhe kritik letrar shqiptar. Disident shqiptar në Jugosllavi, kundërshtoi heqjen e autonomisë së Kosovës, arsye për të cilën u burgos në kohën e Millosheviqit. Radogoshi u emërua kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Që më 2010 është vendosur në Kanada.

Biografia Redakto

U lind në Gjakovë, ku kreu shkollën fillore, gjimnazin dhe SHLP, ndërsa studimet universitare të gjuhës e letërsisë dhe studimet pasuniversitare të letërsisë i kreu në Universitetin e Prishtinës, ku mbrojti tezën “Poetika e romanit bashkëkohor me tematikë të shek. XV” dhe mori gradën shkencore Magjistër i shkencave filologjike.Në “NorQuest College” (Edmonton, Kanada) kreu 8 semestra të Studimeve Interkulturore dhe Anglishtes si Gjuhë e Dytë (Intercultural Studies and English as a Second Language), pastaj ishte njëri nga katër kandidatët e zgjedhur në Programin njëvjeçar kanadez për shkrimtarë “Borderlines Writers Circle” 2013-2014.

Prej vitit 1969 e deri në vitin 1981 punoi në arsim, kur e burgosën dhe e dënuan për propagandë antijugosllave. Ishte i vetmi gjakovar në mesin e 237 intelektualëve të arrestuar më 28 mars 1989 e të dërguar në izolim fillimisht në Burgun e Leskovcit e pastaj në Burgun e Prokuples me arsyetimin se rrezikonte rendin dhe qetësinë publike në Kosovë. Në të vërtetë ky intelektual kishte kundërshtuar publikisht rrënimin e dhunshëm të autonomisë së Kosovës si njësi e Federatës jugosllave. Vite të tëra ka qenë i papunë dhe i përsekutuar, herë-herë gjer në linç publik. 18 vjet me radhë iu mor e drejta e ushtrimit të profesionit në fushën edukativo-arsimore. Vetëm pas Luftës së Kosovës, në vitin 1999 u lejua të ushtronte profesionin e tij të profesorit të letërsisë shqiptare.

Ka qenë kryetar i Klubit letrar “Gjon N. Kazazi” 1992-1997 dhe redaktor i Revistës letrare “Shtigje” (1979-1986) në Gjakovë. Në vitet 2005-2007 ishte nënkryetar, ndërsa në vitet 2007-2009 ishte kryetar i Lidhjes së Shktimtarëve të Kosovës. Nga 1 Shtatori i vitit 2010 jeton në Edmonton, kryeqytet Albertës (njësi federale kanadeze).

Gjerë tani ka botuar 20 vepra letrare dhe gjashtë tjera i ka në dorëshkrim. Poezitë e tij pos antologjive në gjuhën shqipe, suedeze, rumune janë botuar edhe në 9 antologji kanadeze dhe një antologji botërore në gjuhën angleze.

Pos dhjetëra çmimesh letrare të fituara në gazetat dhe revistat e Kosovës, me librin “Nëpër universin letrar” (ese, studime dhe kritikë letrare) ka fituar Çmimin Pjetër Bogdani për librin më të mirë në Kosovë në të gjitha zhanret letrare gjatë vitit (2003) dhe me librin “Çabrat Antologjia-Seancë e përshpirtshme” fitoi Çmimin për libër më të mirë poetik në Kosovë në vitin 2009.

Në vitin 2013 ka fituar medaljen e artë me stemën e University of Alberta nga Borderlines Writer Circle, ndërsa në vitin 2014 ka fituar EAC Project Grant for Individual Artists vlera e të cilit arrin 25.000 $ për projektin e romanit “Laocoon” në gjuhën angleze. Libri i tij poetik “Orpheus’ Palimpsest” në vitin 2018 arriti të hynte në listën e ngushtë prej pesë autorësh (shortlisted) të Shtëpisë Botuese “The University of Alberta Press”. Pos mediave tjera, profilit të tij letrar ia kanë kushtuar nga një faqe dy nga gazetat më të mëdha kanadeze “Edmonton Journal” e Edmontonit (82 faqe) dhe “The Gazette” e Montrealit. Është anëtar i tri asociacioneve të shkrimtarëve kanadezë. Për veprat e tij letrare kanë shkruar shkrimtarë dhe kritikë të shumtë shqiptarë, të cilët i kanë vlerësuar lartë ato, ndërsa pas shkuarjes në Kanada poezia e tij është pritur shumë mirë. Shkrimtari dhe kritiku letrar Richard Davies shkrimin e tij për poezinë e Kadrush Radogoshit e ka titulluar “Një Orfe i Edmontonit”, ndërsa në një rast gjatë performancës së tij në skenën e poezisë ka deklaruar: “Jam i nderuar që e ndaj të njëjtën skenë me shkrimtarin shqiptar e tani edhe kanadez Kadrush Radogoshin, i cili padyshim është ndër poetët më të mirë në Edmonton” (kryeqytet i Albertës) .

Ky autor është prezantuar në shumë kategori enciklopedike në enciklopedi (botime klasike apo online) në gjuhën shqipe, angleze, holandeze, gjermane etj.

Gjerë tash ka botuar këta libra:

• Në mes heshtjes e këngës, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1981,

• Në udhëkryq, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1984,

• Poetika e romanit bashkëkohor me tematikë të shek.XV, studim letrar, Fakulteti Filozofik, Prishtinë, 1985,

• Nekrologji për Sodomën, poezi, Zëri, Prishtinë, 1991,

• Jeta artistike e Ilir Shkretës, roman, Rilindja, Prishtinë, 1993,

• Interpretime, kritikë dhe studime letrare, Rilindja, Prishtinë, 1993,

• Heraldika e pikëllimit, poezi, Rilindja, Prishtinë, 1997,

• Homo dardanicus, roman, Rilindja, Prishtinë, 2000,

• Adem Jashari dhe Vdekja, dramë, Rilindja, Prishtinë, 2001,

• Nëpër universin letrar, ese, studime dhe kritikë letrare, Rilindja, Prishtinë, 2003,

• Pikon çati e shpirtit, poezi, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 2004,

• Orfeu nga Vendenisi, poezi, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 2005,

• Nëpër rrathët e Ferrit serb, publicistikë dokumentare, Brezi ‘81, Prishtinë, 2005,

• Pikëllim i buzëqeshur, poezi, Buzuku, Prishtinë, 2006,

• Çabrat Antologjia-Seancë e përshpirtshme, poezi, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, 2008,

• Semantika e bregut tjetër, ese dhe kritikë letrare, Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës, Prishtinë, 2008,

• Seancë e përshpirtshme 2, poezi (Libër bilingual:anglisht-shqip), Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë, 1914,

• Laokooni, roman, Toena, Tiranë, 2017,

• Orpheus’ Palimpsest, poezi në gjuhën angleze, Nacional, Tiranë, 2018,

• Palimpsest orfeik, poezi 2, poezi, Nacional, Tiranë, 2018.

Referime Redakto

https://www.voal.ch/ftese-20-prill-ora-1100-promovimi-romanit-te-shkrimtarit-kadrush-radogoshi-laokooni/

https://www.youtube.com/watch?v=HVtkLc0JLjI

Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945-1990