Kalendari Kombiar (1897-1916, 1926,1928)

“Kalendari Kombiar” (1897-1916, 1926,1928), botim i përvitshëm enciklopedik kulturor, letrar e politik i shoqërisë “Dëshira” të Sofjes. Numri i parë doli më 1897 me titullin “Ditërrëfenjësi” (kalendari) Kombiar” dhe nga viti 1901 e deri në fund u titullua “Kalendari Kombiar”. Gjatë viteve 1897-1900 u drejtua nga Kristo P. Luarasi me Kosta Trebickën dhe më pas edhe me Nikolla Naçon. Pas vitit 1900 botues i vetëm ishte Kristo Luarasi deri në numrin e fundit. Në vitin 1909-1910 u botua në Selanik; më 1911-1916 përsëri në Sofje. Më 1926 rinisi botimi në Tiranë nën drejtimin e Mit’hat Frashërit (Lumo Skëndos), i cili mundi të nxjerrë një numër të fundit në vitin 1928. E gjithë seria përbëhet prej 22 vëllimesh. Në këto botime kanë shkruar artikujt e tyre shumë pena të Rilindjes shqiptare, arbëreshë, etj. sipas tematikave të cilat zgjidheshin nga botuesi. Për rritjen e nivelit kulturor intelektual të lexuesve, krahas autorëve shqiptarë, botuesit kanë përzgjedhur materiale të autoreve të huaj, gjithnjë me një sens për të rritur ndjenjën kulturore dhe kombëtare shqiptare. Vihen re edhe materiale të përkthyera nga historia, gjeografia,shkencat e natyrës, teknike etj, ku një peshë të madhe ka pasur Mit’hat Frashëri në saje të arsimit dhe kulturës së tij gjerë. Me vlerë janë përmbledhjet e bëra të ngjarjeve të vitit të mëparshëm, reklamat e lajmërimet dhe një risi ishte botimi i listës së ndihmëtarëve financiarë anë e kënd botës, që shërbente si një lidhje mes shqiptare që nga Rusia në Argjentinë dhe Australia në Amerikën e Veriut. “Kalendari Kombiar” është shkruar me tre alfabete që përdoreshin në atë kohë. Pas vitit 1908 është shkruar me alfabetin e Kongresit të Manastirit që përdoret edhe sot.

Burime

Redakto