Kalendari kremtues i krishterë ortodoks

Redakto

Kisha, e udhëhequr nga Shpirti i Shenjtë, transformoi kalendarin e përditshëm në një kalendar kremtues. Katalogu i ditëve shndërrohet në katalog festash. Të gjitha ditët e vitit vishen me një përmbajtje të shenjtë, kështu që rrjedha e tyre bëhet vazhdimësi festash, të kremtesh.

Pra, e gjithë jeta e besimtarit bëhet një festë e vazhdueshme, siç na e theksojnë qartë edhe etërit: "Jeton në tokë, por qytetërohet në qiell". Kështu koha e kësaj bote bëhet model i përjetësisë që pritet të vijë, dhe parashikim i jetës së ardhshme. Besimtari jeton në tokë duke e transformuar jetën e tij në një jetë me Krishtin.

Kalendari kremtues kapërcen kohën e kësaj bote

Redakto

Përveç të tjerash, Kisha me kalendarin e saj kremtues parashikon realitetin e përmbikohshëm të mbretërisë qiellore, duke shfuqizuar në thelb kohën e kësaj bote, përderisa ngjarjet e së shkuarës i sjell çdo herë në kujtesën e saj jo si një e shkuar, por si reale dhe mistike, që përsëritet çdo vit, dhe madje çdo ditë.

Kur kremton p.sh. Lindjen e Krishtit, Pagëzimin, Pësimet shpëtimtare, Ngjalljen, Zbritjen e Shpirtit të Shenjtë (Pentikostinë) e të tjera ngjarje historike të shpëtimit tonë, nuk i kujton thjesht, por i rijeton si të tashme, ashtu si edhe për Perëndinë të gjitha janë të tashme, si ato që u bënë në të shkuarën, ato që bëhen tani, ashtu edhe ato që do të bëhen në të ardhmen.

Ndaj e përjeton Ngjalljen e Krishtit ditën e Pashkës së çdo viti si "sot" pra jeton si sot ditën e të Dielës historike të Ngjalljes, të vitit 33 pas Krishtit. Himnografia jonë i bën jehonë shumë të qartë kohës liturgjike, kur në çdo të kremte përsërit dhe vërteton vazhdimisht se ngjarja kremtuese nuk u bë vetëm në atë kohë të pranisë hyjnore mbi tokë, por ajo që ndodhi atëherë përsëritet edhe "sot".

E njëjta gjë bëhet dhe me uratat e shenjta, leximet, sinaksarët, shërbesat dhe ikonat e shenjta, që e bëjnë të prekshme ngjarjen kremtuese.

                                           *  *  *

Ky kapërcim i kohës së kësaj bote dhe hyrja në kohën liturgjike hyjnore ka edhe rrjedhoja të tjera më rrënjësore. "Sot" nuk përkon vetëm në përsëritjen mistike të ngjarjes së shenjtë në çdo vit, por, duke thyer edhe skemën kohore, përhapet në jetën e përditshme të Kishës.

Kështu, kremtojmë Ngjalljen e Zotit gjatë Pashkës së çdo viti, por dhe çdo të diel (p.sh. himnet "Sot erdhi shpëtimi në botë...", "Sot Krishti shkeli vdekjen dhe siç paratha u ngjall..." etj.). Dhe jo vetëm çdo të diel, por në çdo liturgji, të cilësdo ditë të javës që kryhet (p.sh. "Ne që pamë ngjalljen e Krishtit..." pas Kungimit Hyjnor). Kremtojmë vdekjen e Krishtit jo vetëm çdo të Premte të Madhe, por edhe gjatë Lartësimit të Kryqit të Nderuar, gjatë Faljes së Kryqit, çdo të premte si edhe në Shërbesën e Orës së 9-të të çdo dite.

Kremtojmë Zbritjen e Shpirtit të Shenjtë (Pentikostinë) jo vetëm gjatë përkujtimit vjetor të saj, 50 ditë pas Pashkës, por edhe në Shërbesën e Orës së 3-të të çdo dite, në shenjtërimin e Dhuratave të Çmuara gjatë Liturgjisë Hyjnore, në çdo mirosje dhe dorëzim klerikësh, në çdo thirrje të Shpirtit të Shenjtë gjatë kryerjes së Mistereve Hyjnore, në cilëndo ditë dhe orë që kryhen. Vetë jeta e Kishës është një Pentikosti e vazhdueshme.

Kalendari kremtues ruan të tërë vlerën edukuese dhe formuese në Krishtin

Redakto

Përveç këtyre, kalendari kremtues kujdeset dhe shëron veçanërisht dobësinë e natyrës njerëzore, ku megjithë relativitetin e lartë teologjik të pashmangshëm të tij, ruan të tërë vlerën edukuese dhe formuese në Krishtin.

Për besimtarët, përsëritja çdo vit e ngjarjeve të shenjta shpëtimtare dhe prania e shenjtorëve gjatë ditës së caktuar të përkujtimit të tyre vjetor, mbetet një pikë referimi e patundur, si dhe shkak për t'u familjarizuar me mesazhin dhe për t'iu afruar përjetimit të tyre.

Pikërisht për këtë gjë, Kisha i ngarkon këto ditë me të gjithë përmbajtjen didaktike që përshtatet me çdonjërën, duke i nxitur kështu besimtarët në misterin e shpëtimit me çdo mënyrë të mundshme katekizmi: me leximet, himnet, predikimet, ikonat, si dhe me ripërfytyrimet më të ndjeshme të këtyre ngjarjeve të shenjta, aty ku kjo është e mundur (si Pagëzimi i Jisu Krishtit, Kryqëzimi, Varrimi, Ngjallja etj.).

Çdo vit i veshur me kalendarin kremtues përbën një përshkrim të shpejtë të historisë së botës, të veprës shpëtimtare të Zotit, të jetës shekullore të Kishës me të kremtet zotërore të shpërndara në të, si edhe të kujtimeve të profetëve, të të drejtëve, të apostujve, të dëshmorëve, të kryepriftërinjve dhe murgjve (oshënarëve), të shenjtorëve burra e gra, që gjetën hir përpara Perëndisë.

Rikthimi i temave të njëjta kremtuese në çdo vit nuk përbën shkak ngopjeje, as çështje rutine të mërzitshme, por nëpërmjet përsëritjes (e cila është "mëma e dijes"), është shkak rigjallërimi dhe përforcimi i katekizmit, i thellimeve të reja në temat e besimit, i vendimeve të reja të mundshme dhe i përparimit në jetën më Krishtin.

Kështu merr kuptim edhe urimi popullor "për shumë vjet" ose "mot më mirë", i cili lidhet në veçanti me të kremtet e mëdha. Nuk bëhet fjalë thjesht për një urim për zgjatjen e dëshirueshme të jetës këtu mbi tokë, por është urim për të pasur raste të reja për të mësuar në shkollën e Kishës dhe të përvetësimit të të vërtetave shpëtimtare të besimit.

Ashtu si ikonat janë "libër i të shkolluarve dhe i të pa shkolluarve", kështu edhe kalendari kremtues është shkolla e besimtarëve, e të shkolluarve dhe të pa shkolluarve.

Pashka

Redakto

Pashka e përvitshme qëndroi si e kremtja kryesore e madhe, "e kremtja e të kremteve" dhe qendra e adhurimit të krishterë. Duke pasur si qendër Pashkën, u zhvillua gradualisht një sistem kremtues i varur prej saj, si p.sh. Java e Madhe e Pësimeve të Zotit, dhe Java e Ndritshme (kjo si një e kremte e pandarë paskale, si "një ditë").

Duke u bazuar në tregimin dhe përcaktimin kohor të Veprave të Apostujve, u caktua dita e 40-të pas Pashkës, si e kremtja e Ngjitjes së Zotit në qiej (Analipsit) dhe e 50-ta si e kremtja e Pesëdhjetores (Pentikostisë), në kujtimin e Zbritjes së Shpirtit të Shenjtë tek apostujt. Së fundi i gjithë cikli lëvizës i Pashkës mbyllet me të Dielën e të Gjithë Shenjtorëve.

I gjithë ky cikël kremtues me qendër Pashkën, lëviz në vartësi të përcaktimit të ditës së Pashkës. Dita e Pashkës e Kishës Ortodokse përcaktohet: të dielën e parë, pas Hënës së plotë, pas Ekuinoksit pranveror. Gjithashtu edhe pas Pashkës hebraike.

Të gjitha të kremtet e tjera jashtë këtij cikli janë të përcaktuara në data konvencionale jo të lëvizshme.

Kisha Ortodokse i përdor të dy kalendarët diellorë: atë Julian (i vjetër) dhe atë Grigorian (i ri). Ky i fundit nuk është gjë tjetër vetëm korrigjim i atij Julian.

Kreshmimet

Redakto

Pashkës i paraprin kreshma 40-ditëshe, si imitim i kreshmës së Zotit Jisu Krisht në shkretëtirë, si edhe i personave të tjerë të Dhiatës së Vjetër (Moisiut dhe Ilias), por edhe si ofertë e 1/10-tës së jetës sonë çdo vit drejtuar Perëndisë.

Gradualisht më vonë iu shtuan edhe 3 javë parapërgatitore për krijimin e një hyrjeje të shkallëzuar në Kreshmën e Madhe (me privimin gradual të mishit e të bulmetit).

Në shembullin e saj, si një parapërgatitje për të kremtet kryesore, u zhvillua edhe kreshma para Krishtlindjes, e Fjetjes së Hyjlindëses Mari dhe e apostujve.

Brenda ciklit javor të kalendarit Kisha porosit besimtarët të kreshmojnë të mërkurën edhe të premten e çdo jave, si dhe më 14 shtator, 5 janar dhe 29 gusht.

E diela dhe ditët e javës

Redakto

Kronologjikisht e kremtja e parë e krishterë është pa dyshim e diela, Pashka e përjavshme e Kishës, kjo është dita e Zotit, kjo është dita e pushimit. E diela është dita e parë e krijimit të botës, si dhe dita e Ngjalljes. Kjo është dita e parë e javës për të krishterët.

Gradualisht edhe ditët e tjera të javës morën një përmbajtje kremtuese.

Përcaktimi i të kremteve kryesore

Redakto

Duke marrë si pikënisje kohore fillimin e Indiktit, d.m.th. 1 shtatorin, që ishte dita e parë e vitit kishtar, shohim një përpjekje të ruajtjes së vazhdimësisë historike, të paktën në të kremtet kryesore.

Kështu, Lindja e Hyjlindëses Mari më 8 shtator, ngjizja (zënia) e Joan Pararendësit dhe Pagëzorit, vendoset më 23 shtator.

Pastaj pasojnë: Hyrja e Hyjlindëses në Tempull 21 nëntor; Lindja e Krishtit më 25 dhjetor; Rrethprerja e Krishtit më 1 janar; Hyrja e Krishtit në Tempull më 2 shkurt; ngjarjet e Pësimeve dhe të Ngjalljes; Ngjitja në qiej; Zbritja e Shpirtit të Shenjtë dhe viti mbyllet në gusht, me Fjetjen e Hyjlindëses më 15 gusht dhe me Vdekjen e Joan Pararendësit më 29 gusht.

Me bazë përcaktimin e Krishtlindjes më 25 dhjetor, 9 muaj më parë ishte Ungjillëzimi, d.m.th. më 25 mars, ndërsa 6 muaj përpara kësaj (sipas Dhiatës së Re) ishte ngjizja e Joan Pararendësit më 23 shtator dhe 9 muaj më pas lindja e tij, d.m.th. më 24qershor, ashtu si edhe mbarsja e Shën Anës 9 muaj përpara lindjes së Hyjlindëses (8 shtator) d.m.th. më 9 dhjetor.

Përcaktimi i të kremteve të shenjtorëve

Redakto

Përveç përkujtimit të profetëve dhe të të drejtëve të Dhiatës së Vjetër, të cilët zunë vend në periudhën para Krishtlindjes, ditët përkujtimore të shenjtorëve caktoheshin kryesisht në ditën e vdekjes se tyre, d.m.th. në ditëlindjen e tyre në Perëndinë.

Kështu, në të njëjtën ditë regjistrohej kujtimi i shenjtorëve të hershëm dhe të mëvonshëm pa asnjë dallim, me të vetmen arsye se vdekja e tyre qëlloi në atë ditë, p.sh. më 3 shtator regjistrohet kujtimi i dhjakones Fivia (shek. I pas Krishtit), i hierodëshmor Anthimit (shek. IV pas Krishtit), i oshënar Theoktistit (shek. V pas Krishtit) dhe i dëshmorit të ri Polidor (shek. XIX pas Krishtit) etj.

Kalendari kremtues plotësohet gradualisht me regjistrimin e kujtimit të shenjtorëve, profetëve, stëretërve, të drejtëve, dëshmorëve, hierarkëve, mbretërve, oshënarëve, burra e gra, të rinj e të reja, fëmijë e të moshuar, të profesioneve të ndryshme, që gjetën hir përpara Perëndisë me mënyra të ndryshme, në vende dhe kohë të ndryshme.

Dita e përkujtimit të tyre është caktuar në bazë të ditës së vdekjes së tyre, "ditëlindjes" së përsosjes së tyre në Krishtin, por edhe të gjetjes ose transferimit të lipsaneve të tyre, si dhe të përurimeve të kishave për nder të tyre.

Gjithashtu, regjistrohen edhe "mbledhjet", d.m.th. grumbullimet festive të besimtarëve, për nder të engjëjve, të shenjtorëve, mrekullive të tyre, ikonave të shquara çudibërëse, grupeve të shenjtorëve të të njëjtit rend, si edhe mbledhjet për nder të personave të shenjtë që luajnë rol parësor në ngjarjen e kremtuar të historisë së shenjtë, që regjistrohen ditën e nesërme të këtyre të kremteve dhe përbëjnë arsye të vazhdimësisë të të kremteve (p.sh. Theofania - Pagëzimi i Krishtit 6 janar / Joan Pagëzori 7 janar).

Ciklet parakremtuese dhe paskremtuese

Redakto

Kujdesi baritor i Kishës vazhdon edhe me "rrethimin" e të kremteve të mëdha me cikle ditore parakremtuese dhe paskremtuese, zakonisht 8-ditëshe, (ku në fund thuhet "mbyllja e së kremtes") dhe e dy të dielave që i rrethojnë (p.sh. "e Diela para Krishtlindjes" dhe "pas Krishtlindjes").

Në këtë mënyrë jepet parapërgatitja për të kremten me lexime, predikime, himne si dhe përvetësim të mesazheve gjatë të paskremteve.

                                             *  *  *

I gjithë kalendari kremtues, si një cikël i pasur liturgjik, është një thesar i pafund për të gjithë besimtarët, nëse e kuptojnë dhe e përdorin në mënyrën e duhur. Duhet që cikli i jashtëm festiv të jetohet edhe si cikël i brendshëm shpirtëror dhe ripërtëritës në shpirtin tonë.

Vëmë re se të gjitha të kremtet nuk kanë të njëjtën moshë. Disa janë shumë të hershme, disa të reja, të tjera shumë të reja. Formimi i kalendarit kremtues është bërë gradualisht dhe vazhdon ende, duke iu shtuar të kremte të reja, shenjtorë të rinj e lokalë dhe kështu do të vazhdojë gjithë kohën. Kisha nuk pushon së linduri shenjtorë.

Kjo, përveç të tjerash, përbën edhe mbështetjen e popullit të Perëndisë, që me këtë mënyrë vërteton se shenjtëria nuk është çështje dhe privilegj i një epoke të shkuar, dhe as i atyre kohërave të mira e të hershme, por e çdo epoke, e çdo race dhe e çdo brezi.

Njerëzit janë gjithmonë dhe kudo të njëjtë dhe kohët janë të ngjashme. Shenjtorët nuk i lind as koha, as vendi, por "fuqia e të Lartit" që forcon Kishën, dhe Shpirti i Shenjtë që e "mbulon" dhe e bën atë Nënë të Shenjtorëve.

Burime

Redakto
  • Ιωάννης Φουντούλης, Λειτουργική Α' - Εισαγωγή στη Θεία Λατρεία, Εκδ. Πουρναρά, Θεσσαλονίκη, 1995.
  • Protopresviter Thoma Hopko, Besimi Orthodhoks (Orthodox Faith), Botim i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 1997.
  • Kalendari 2006 i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Tiranë, 2005.
  • Besimi Orthodhoks, Kosherja Ortodokse, Selanik, 1997.
  • Anastas Janullatos, Mesazhe Hyjnore, bot. Ngjallja, Tiranë, 2009.
  • Orthodoxalbania.org

_____________________________________________________________